Albspirit

Media/News/Publishing

Ruzhdi Gole: Qëndisma fryme

Tregim

– Mbesë, mos fishkëlle. Mos fishkëlle se nuk të rritet gjoksi.

– Noke nënoke, po ç’e dua unë gjoksin e madh?

– Eh, se do ti, por e duan …

– Kush e do, o noke nënoke?

– E duan çunat.

– Po unë çunat i kam më të vegjël se vetja. Ndonjë sa vetja. Ata më kanë mua si motër.

– Motër për lodër edhe ca, o mbesë. Shpejt ata rriten çdo mëngjes.

– Ooo, noke nënoke. Sa të fshehta paska? 

– Si përhera, mbesa ime, si përhera. Sa zgjon sytë në mëngjes ti je tjetër.

– Tjetër?

– Po, ti je tjetër nga shtati.

– Nga shtati?

– Shtati a nuk të duket ty ndonjëherë tjetër. A e ndjen?

– Ua, moj noke? Më bëre të skuqem. E ndjej, e ndjej. U bëra pesëmbëdhjetë vjeçe. 

– Mbesë, pesëmbëdhjetë sa je ti janë lastar ende për një vogëlushe.

– Po ti, nënoke Nurie sa ishe kur…

– Tek të tetëmbëdhjetat, mbesa ime. U bëra nuse në vogëli. 

– Nokja ime, unë jam e vogëlth, ende e vogëlth.

– Ti je si zogu terzi akoma.

– Zogu i zi? Ç’është ky zog? 

– Zogu terzi, jo i zi.

– Edhe zog edhe… Unë di se  zogjtë janë të bardhë, të verdhë, të…por asnjëherë të zinj.

– Ti qëndis bukur, mbesa ime. Si zogu terzi. 

– Ç’është ky zog? S’e kam dëgjuar ndonjëherë, o nana.

– Zogu terzi nuk jeton këtu. Jeton shumë e shumë larg. E njeh bota.

– Po ne pse nuk e njohim? Pse nuk e sjellim këtu këtë zog nga larg?

– Secili zog jeton në vendin e vet. Dikush do diell. Dikush cicëron edhe në borë.

– Edhe në borë këndojnë zogjtë?

– Po, ka zogj që këndojnë edhe në borë, në shpella, edhe në… Ç’të të them, o mbesë.

– E ke parë ti, nana zogun terzi?

– Zogu terzi jeton shumë e shumë larg. Është zog qëndistar.

– Qëndiskan edhe zogjtë? Si qëndisin ata? 

– Me gjilpërë e pe si ty, moj mbesë. 

– O nana, po më çudit.

– Zogu terzi këput gjethet e pemëve dhe…

– Këput gjethet?… Po pse i këput?. Nuk i vjen keq për gjethet. Edhe ato marrin frymë.

– Nga ia dëgjon frymën gjetheve ti, moj mbesë?

– Dje mbasdite dola tek parku. Lexova tek trungu i dy -tri pemëve tabela të shkruara “Mbani qetësi! Këtu cicërojnë zogjtë”!

– Po ti më the moj mbesë se marrin frymë gjethet?

– Noke nënoke, gjethet kur fëshfërijnë a nuk marrin frymë?

– Gjithçka merr frymë në natyrë. Lart e poshtë.

– Edhe gjyshi merr frymë atje poshtë?

– Gjyshi ka ndërruar jetë. U bënë ca mote. Atje poshtë merr pak frymë edhe gjyshi.

– Ooo, s’qenka keq, gjyshi edhe i padukshëm edhe merrka frymë.

– Gjyshi yt ka jetuar me zogun terzi. Shumë e shumë larg nga këtu.

– Po, a nuk jetonit bashkë ju, o noke?

– Bashkë jetuam pesëdhjetë vite. Gjyshi yt u kthye këtu ku ne jetojmë sot. Unë sapo mbarova gjimnazin e Tiranës. U martuam shpejt. Lindëm tri vajza. Njëra është mamaja jote. Nga ajo linde ti.

– Po terziu, zogu terzi flinte me ju? Me ty dhe gjyshin? Po mami ime ku flinte?

– O mbesë, moj e mira mbesë. Gjyshi yt nuk e solli zogun këtu. Mua m’i rrëfeu të gjitha këto për zogun kur erdhi nga larg. Nga andej solli ca erëza që ta kënaqnin hundën.Gjyshi yt jetoi shumë larg kaptuar. 

– Si kaptuar?

– Tutje e tutje maleve e deteve. Në tjetër botë jetoi.

– Pse ka shumë botë bota, moj noke?

– Bota është një, bota e Zotit. Vendet janë shumë, vendet e njeriut.

– Po pse jetoi kaq larg gjyshi? Nuk e merrte malli për ty, moj nënoke?

– Ne njiheshin, por akoma …

– O nana, sa larg…

– E mori fati dhe e çoi tej. Gjer në Azi. Herë misionar, herë tregtar. 

– Noke nënoke, kush e çoi aq larg gjyshin?

– Fati dhe Zoti ahere. Edhe poshtë e çoi Zoti dhe fati.

– O nënokja ime, sa mirë që flemë në një dhomë bashkë. 

– Atje ku jetoi gjyshi yt, vetëm atje rritet zogu terzi. Ky zog këput tre katër gjethe të njoma dhe…

– Mua s’më vjen mirë që i këput gjethet. Edhe gjethet kanë lotë e qajnë.

– Nuk kanë lotë gjethet moj bijë. Janë pikat e shiut që bien nga gjethet, moj mbesë.

– Jo, noke nënoke, jo. Po kur s’bie shi? Gjethet prapë qajnë.

– Janë rrezet e ty të duken si lotë. Ja, i këputi, ç’bën me gjethet ky terziu? Me sqep çpon vrrimthka rreth e rreth gjetheve. Pastaj merr fije bari, fije nga merimangat e s’mbaj mend, ç’më thoshte tjetër Aliu im.

– Ja i mori, po pastaj, o nana ç’bën?

– I kalon fijet në vrimthkat e gjetheve. I qep gjethet.

– Ua, u qepkan gjethet pa gjilpërë e fill?

– Sqepi i zogut është gjilpërë e shkuar gjilpërës, mbesa ime. Gjethet qepen bashkë.

– Po gjethet bashkë ishin tek pema. Zogu pse i këputi? Tani i bën bashkë. U pendua?

– Bën folenë e tij me gjethet. Si pëllëmbë i afron ato. Si pëllëmbë që nuk mbyllen. Shtron aty bar të njomë dhe fshihet.

– Ah, sa mirë, o nana, flenë edhe gjethet me zogun. Ah, sa mirë!

– Mbesë moj, zog je dhe ti. Qëndis.

– O nana, nënokja ime, por edhe ne vend i ngrohtë jemi. 

– Jo aq sa për zogun.

– T’i themi zogut të vij njëherë këndej nga ne. 

– Çdo zog fluturon e fle kudo. Po erdhi këtu atëhere nuk është zog, por mërgintar. 

– Si gjyshi nana kur iku tutje.

– Zogun terzi s’e zë gjumi këtu. Nuk fluturon dot gjer këtu. 

– Ta sjellim me kafaz, o nana. Pastaj e nxjerrim nga kafazi. Të rrijë me mua në dhomën time. Dhe me Ogin, papagallin tim.

– Do fluturoj pak. Si i çalë, moj mbesë. 

– E mbaj unë ngrohtë, e mbështjell me shallin tim. Flemë bashkë.

– Mbyllur i mbahet fryma. Do përplaset sa andej – këndej nëpër mure e dritare.

– Dal bashkë me zogun në kopsht.

– Do ketë ftohtë edhe në diell.

– Nana, unë e mbarova qëndismën. 

– Dritë shpirti, të kam moj mbesollkë! 

– O nënoke, po sikur ta fluturoj nga dritarja këtë qëndismë? 

– Do t’i dalin krahët, moj mbesë. Do ngjitet lart e më lart.

– Ah, sikur ta kap me sqep ndonjë zog!

– Zogjtë qëndisin vet, moj mbesë. Por e duan edhe çdo qëndismë tjetër.

– Sikur jemi në përrallë, o gjyshe.

– Ne hyjmë e dalim nga përrallat çdo ditë, ëngjëlli im. Natën edhe përrallat flenë si ne.

– Po tani është mëngjes, o nana. Akoma flenë përrallat?

– Përrallat kanë dal herët në rrugë. 

– Ecin dhe ato?

– Njerëzit ecin me përrallat e tyre përkrah. Me ato të vërtetat, që asnjëherë nuk janë përralla, por duken si trille.

– O nana, o nana ime. Unë po dal tani. Më lejo, të lutem të fishkëllej…