Ekskluzive/Shkrimtari Arben Iliazi flet për portalin Albspirit
Arben Iliazi: Sekreti i “ishullit” tim të krijimtarisë, romani “Lulja e humnerës”

Intervistoi: Çerciz Loloçi
– Arben, pas një shkëputjeje të gjatë, mbi 30 vjeçare, nga letërsia, vitet e fundit është vërejtur jo vetëm një ringjallje, por dhe një hov në krijimtarinë tuaj, në disa gjini si në poezi, prozë, dramaturgji e studime letrare, ku numërohen disa libra të botuar, vëllime me poezi, romane, eseistikë. Po e nis me një pyetje të thjeshtë: Ka ndodhur ndonjë tronditje emocionale tek ju, që iu rikthyet pas kaq kohësh letërsisë?
Arben Iliazi: Nuk ka ndodhur asnjë mister, megjithëse nuk e përdor shpesh termin “mister”. Letërsia më ka ndjekur në mënyrë të pashmangshme gjatë gjithë jetës sime, si një pasion në palogjikësinë e vet. E shkuara apo e tanishmja nuk janë veçse limite abstrakte. Unë e di mirë që krijimtaria nuk ka origjinë hyjnore. Ne krijuesit, kur shkëputemi nga vetja, gjithmonë, më në fund, marrim pamjen e të vërtetave tona. Ndaj dhe kjo heshtje e gjatë mendoj se është krejtësisht e përligjur. Ishte më shumë një “hallkatje” e imja, një “gjumësi iluzive”-ëndërrandjellëse. Nuk ka kufij kohorë për një krijues. Gjersa ai është në kërkim ekzistencial të rrjedhës kohore.
Qysh kur fillova të shkruaj në mesin e viteve ’80, kam vendosur si epigraf të krijimtarisë sime devizën sokratike “Njih vetveten”. Për 30 e kusur vite jam vërtitur si llauzi (populli) i Moisiut, në kërkim të “tokës së premtuar”, më saktë në kërkim të vetvetes.
U përpoqa të “njoh veten” duke bërë një ndalesë të gjatë që, me sa shoh, ka vepruar në pragun e vetëdijes së qartë, duke e shtyrë tek e pavetëdijshmja. Kur ishim studentë kemi mësuar nga profesorët tanë se arti është shprehja më e lartë e ndjesive të njeriut të “veçantë”. Në kohën kur ndërgjegjësohen këto “ndiesira”-bëhen koshiente, shkalla e artit bie, mençurohet dhe ngurtësohet. Në një moment, nga fillimi i viteve ’90, kuptova se arti im ishte “ngurtësuar”, ishte bërë afekond, çdo gjë më dukej e kërkuar dhe pa vlerë. Intuita artistike ishte ndërgjegjësuar dhe ishte vënë në punë logjika. Fillova të ndërgjegjësohesha mbi ekzistencën realo-objektive të sendeve dhe fenomeneve që vepronin jashtë vullnetit tim. Kësisoj çdo krijim më tingëllonte i ftohtë dhe cerebral kur e lexoja më pas. Tentova të ndërroja preferencat dhe iu futa “derrçe” gazetarisë, me orë të zgjatura, pa orar, për gati 35 vjet.Them se ajo më mësoi shumë gjëra.
– Dhe çfarë iu mësoi konkretisht gazetaria?
Arben Iliazi: Mësova se kur një shoqërie i mungon mendimi, atje ngre krye kaosi; dhe është e kotë të kërkosh davaritjen e këtij kaosi pa arritur që njerëzit të mësojnë që të mendojnë. Mësova, po ashtu, se njerëzit, edhe pse i krijojnë vetë rrethanat, ata bëhen, në ndonjë rast, vetë viktima të këtyre rrethanave, në mënyrë të pashmangshme, gjatë gjithë veprimtarisë së tyre prodhuese e mendore. Duke ndjekur edhe politikën aktive, arrita të dalloj heronjtë e vërtetë nga personazhet komedianë, të kuptoj kur një popull shndërrohet në “fantazmë” dhe kur kjo “fantazmë” e tij fillon ta trembë. (Për fat të keq popujt e indoktrinuar ngasin gjithmonë pas personazheve komedianë, se, midis kësaj komedie që luhet, bëhen, në mënyrë të pakuptueshme, edhe vetë “komedianë”. (Këto janë trillet e popullit, “qesharakësia” e tij, por, ndërkohë, edhe tragjizmi i tij). Dhe të mendosh që ne kemi ndihmuar në kulturën e mesjetës së Evropës moderne, që me Buzukun, dhe jemi populli më i lashtë i Ballkanit, ndaj duhet të na ruhet kreu i vendit në tryezën e popujve të zhvilluar evropianë. Unë e di se ndonjë “nacionalist shallvaregjerë” mund të më vërë lloj-lloj epitetesh, por aq më bën! Ai që i thotë vetes shkrimtar duhet të jetë për një mohim total-për një pohim sublim! Dhe kjo do të vijë kur ne të trembemi nga “fantazma e vetvetes”. – Do të vijë! Le t’i lëmë romantikët në shenjtërinë e tyre dhe aventurierët në koshin e plehrave të historisë. Le të zgjojmë “Ëngjëllin mbrojtës”!
Gjatë punës si gazetar konstatova edhe një të vërtetë tjetër ekzistenciale, se sundimtarët nuk janë për drejtësi. Drejtësinë ata e pranojnë për demagogji e për të mbajtur popullin e paditur e të indoktrinuar nën sundimin e tyre, por dhe nga njëlloj frike, se mos ndonjë ditë, u bie në kokë padrejtësia. Mësova gjithashtu se njeriun e mësuar nuk e do njeri, nuk e do as shteti, as vetë shoqëria, që është e prirur ndaj “mesatarëve”, për shkak të vetë mediokritetit të saj.
Qeverisjet e tranzicionit në Shqipëri, me kompleksin egomonik të “Mbiunit”, e kanë mbështetur ngrehinën e vet mbi këtë bazament social, ndaj dhe cilësia e keqe e tyre justifikohet me cilësinë e keqe të vetë nënshtetasve që i kanë votuar.
– Pra, me pak fjalë, ju njohët pushtetin e së mirës dhe pushtetin e së keqes?
Arben Iliazi: Më saktë njoha ekuilibrat mbi të cilat mbështeten ato, në mënyrë paradoksale, në një ndeshje vitale, eterne, kundërbalancuese. Po t’i referohemi teorisë së ngjyrave, mund të kuptojmë më mirë jo vetëm ndryshueshmërinë e këtyre dy forcave, por edhe ç’pushtet zotërojnë ndaj njëra-tjetrës: Hidhni në bojën e zezë bojë të bardhë, do të shihni-asnjë ndryshim, në mos fare-fare pak; hidhni bojën e zezë (sado pak) në të bardhën, dhe do të vëreni ndryshimin e madh: humbjen e vetirave natyrore ekzistuese të mëparshme të vetat; ja pra dominacioni i të zezës mbi të bardhën, i “së keqes” ndaj “së mirës”.
– Dhe kur e ndiet sërish thirrjen e letërsisë në brendësinë e subkoshiencës suaj?
Arben Iliazi: Kur pashë se bota që më rrethonte ishte shumë më e ndërlikuar nga ç’e mendoja. Kur fillova të mos arsyetoj më mbi konkreten. Kur fillova ta përfytyroj botën përreth të transfiguruar në ato përmasa, që të bëhej e pranueshme për të gjithë. Kur kuptova se logjika dhe intuita, (ose logjika e logjikësisë intuitive), poezia dhe jo-poezia, janë polinomi i botës, shtyllat e Tifonit, që mbajnë ekuilibrin e boshtit njerëzor.
– Mos ndoshta, i ndikuar nga epoka, ishit i prirur për të gjetur kompensimin e asaj “diçkaje” që iu mungonte?
Arben Iliazi: Në një moment e kuptova se, për arsye substanciale, isha në pamundësi për të siguruar këtë “kompensim”. Ka epoka që ndikojnë fare pak, në mos dhe hiç fare, te një shkrimtar. Sikundër ka dhe shkrimtarë që ndikojnë fare pak, në mos dhe hiç fare, te një epokë. Më shumë se sa dhimbja dhe vuajtja, dyshimi dhe zhgënjimi, më ka shqetësuar kërkimi i formave të reja estetike, i mjeteve të reja shprehëse. Nga realiteti kisha marrë atë çka mund të merrja dhe e kisha futur në laboratorin tim modet, por nuk gjeja dot kyçin për të hapur derën e asaj “ndërtesëze” misterioze, për t’u dhënë të tjerëve një realitet-në disa realitete, që t’i ngjante pak “jetës” së tyre të jashtme, ku në çdo rregullsi të fshihej një pamendësi, një çrregullsi.
Në fillim, kur fillova të rishkruaja, në shtator të vitit 2025, më dukej sikur “mëkatoja”. Poezia filloi të ngrinte krye në thellësi të subkoshiencës. Por ideja e “paaftësimit” më ndiqte si fantazmë, duke mos arritur të kuptoja se ishte fantazma ime, apo unë vetë i shndërruar në fantazmë. Botova disa cikle dhe shumë shpejt, në mënyrë të pashmangshme, nga “nostalgjia” lindi tendenca predominative, stili dhe ngjyra, kënaqësitë ngarendëse shpirtërore, vetë esenca e njeriut me një shumësi abstraksionesh. Për herë të pare, në mënyrë të pavetëdijshme, ndjeva përjetimet reale që të jep krijimtaria, duke dalë nga lëkura ime dhe lëkura e të tjerëve, me një vullnet kreativ që nuk e besoj as vetë.
– Mos doni të thoni se hoqët dorë nga të menduarit racional?
Arben Iliazi: Gjithmonë jam udhëhequr nga një filozofi njerëzore-jetësore. Por desha të them se, nëse do shprehesha metaforikisht, këmbët mbështetshin në tokë, koka lëkundej në qiell, në një fantazi të pafundme të veshur me petkun e inkoshiencës, duke kërkuar një çlirim asociativ nga konvencionet e krijuara shoqërore, por duke e shqyrtuar çdo gjë, nëpërmjet koshiencës normale, por pa iu nënshtruar më logjikës së përgjithshme formale. Kështu u ngjiz dalëngadalë sekreti i “ishullit” tim të krijimtarisë, diviniteti i këtij zbulimi.
– Dhe krijimtaria e re në poezi, prozë, dramaturgji erdhi si kërkesë ontologjike nga vetënjohja e qënies?
Arben Iliazi: Po, erdhi pikërisht kur dallova nivele të ndryshme të kuptimit të botës dhe gjeta mënyrën time për t’iu afruar të vërtetës. E vura theksin te të kundërtat, te ndryshimi, te ndeshja, te rrjedha, duke e vendosur parimin e identitetit te vetë qënia dhe të pamundshmet logjike, që janë, gjathashtu, të pamundshme ontologjike. Përsa i përket stilit kisha gjithmonë parasysh Heraklitin, që thoshte: “Nuk mund të lahesh dy herë në të njëjtin lumë”. Kur kthehesh te lumi për herë të dytë, uji i mëparshëm tani ndodhet larg: është një lumë tjetër, një ujë tjetër.
– Romani juaj i fundit, “Lulja e humnerës”, sapo është botuar nga URA-Prishtinë, (redaktore Lumnie Thaçi-Halili), si dhe në Amazon në SHBA, (redaktor dhe përkthyes Kujtim R Hajdari). A bazohet kjo vepër mbi një krizë ekzistenciale?
Arben Iliazi: Thyerja e besimit te Zoti dhe feja, humbja e besimit ose zhgënjimi spiritual, përjetohet në letërsi, si një nga temat më të thella dhe më dramatike njerëzore, pra si krizë ekzistenciale. Personazhet që kanë rënë në një kurth ekzistencial dhe zhvishen nga rolet shoqërore. Por ata nuk janë thjesht qenie njerëzore të zhveshura përballë pafundësisë së universit. Kur shohim nekrologjinë e shpresave të tyre, ne ndiejmë dhembshuri, sepse e dimë sa e vështirë është të luftosh kundër mekanizmave të mëdhenj të jetës, që nuk i kontrollojmë dot.
– Në këtë vepër keni ndërtuar një konfliktit me emra realë, fytyra dhe ndjenja konkrete?
Arben Iliazi: Personat dhe veprimet e këtij romani janë të shpikura nga mendja, por dua të theksoj se ata mund të përkojnë me emra në jetën reale. Dua të theksoj se kjo nuk është bërë as me qëllim dhe nuk është as rastësi, por është dicka e pashmnagshme.
Jam përpjekur të ndërtoj një konflikt në nivel psikologjik, me qëllim për të zëvendësuar urrejtjen etnike e fetare me ndjeshmërinë individuale. Konfliktet e gjata etnike mbushin kujtesën kolektive me ndjenja frike, tërbimi dhe dëshire për hakmarrje, që burojnë pikërisht nga një ndërthurje e faktorëve politikë, ekonomikë, historikë dhe psikologjikë, ku dallimet kulturore ose fizike përdoren për të justifikuar ndarjen, pabarazinë dhe dominimin e një grupi ndaj një tjetri. Këto konflikte rrallëherë shkaktohen thjesht nga ekzistenca e dallimeve, por më tepër nga mënyra se si këto dallime instrumentalizohen.
Çdo konflikt etnik apo racor ushqehet nga propaganda, stereotipet dhe dehumanizimi i tjetrit. Romani im nuk rreket të ndryshojë ligjet apo kufijtë, por ndryshon diçka më rrënjësore: zemrën dhe mendjen e lexuesit. Pasi përjeton vuajtjen e tjetrit përmes faqeve të një libri, është shumë më e vështirë ta urresh atë në jetën reale.
– Cili është mesazhi që përcillni në këtë libër?
Arben Iliazi: Ta detyroj lexuesin të shohë se dhimbja, humbja dhe dashuria janë universale, pavarësisht përkatësisë etnike, fetare, apo racore. Kur zjarret e ideologjive sekulare, ateiste, anti-klerikale e raciste, kërcënohen të na përfshijnë të gjithëve, është koha të harrojmë politikën dhe të kërkojmë arsyen e qytetërimit. Qetësimi ose pajtimi shpirtëror, sidomos te popujt e rajonit tonë, Ballkanit, shpesh shihet si një nga misionet më fisnike dhe më të thella të një shkrimtari.

Arben Iliazi, krijimtaria
Arben Iliazi u lind më 1 mars 1963 në Sarandë dhe jeton në Tiranë (Albania).
U diplomua në Fakultetin e Filologjisë në Tiranë në vitin 1988. Deri në vitin 1991 punoi si libretist dhe më pas iu përkushtua gazetarisë, si gazetar dhe kryeredaktor në disa të përditshme në kryeqytet. Njihet si shkrimtar, dramaturg, eseist dhe gazetar. Krijimtaria e tij është përkthyer dhe botuar në disa vende të botës. Në vitin 2012 drama e tij “Delirium” u përzgjedh dhe u vlerësua në edicionin e 10-të të Konventës Europiane të Teatrit (European Theatre Convention – ETC). Në vitin 2025 ka fituar vendin e parë në Edicionin e Parë të Çmimit Ndërkombëtar të Ekselencës “Sergio Camellini” në Itali.
Vepra poetike
“Urtësitë e detit” (Eurorilindja, Tiranë 1997).
“ Akorde psherëtimash” (SHBA, Amazon 2025).
“Kuajt Qajnë ” (Botimet – URA, 2025).
“Në meshën e ullinjve” (Albas, 2025).
Vepra në prozë
“Vezullimet e ferrparajsës”, rrëfenjë tragji-komike, (Geer-2025).
”Manekinët”, roman satirik (Geer -2025).
“Sy të kuq demoni”, roman (Geer-2025).
‘Lulja e humnerës”, roman (URA- Prishtinë, 2026).
“Floëer of the Abyss”, roman (Amazon-SHBA- 2026).
Drama të inskenuara
“Ciceroni prej plasteline”, komedi 1990, Teatri profesionist Sarandë, regjia Thoma Milaj.
“Burri im me zero kilometër”, (komedi – 2009) Teatri Aleksandër Moisiu, Durrës, regjia Milto Kutali – Donard Hasani.
“Trashëgimtari”, (komedi-2018), Teatri Kombëtar Eksperimental, regjia Milto Kutali.
“Farsa e Kurorës” (komedi-2020) Teatri Zihni Sako, Gjirokastër, regjia Ledian Gjeçi.
“Ferrparajsa”, monodramë, (Tiranë-2021), Atelier 31, regjia Milto Kutali.
“Osman Taka”– dramë historike (Tiranë 2023), regjia Naun Shundi, producent Alket Veliu.
Botime dramaturgjike
-“5 vepra dramatike” (përmbledhje dramash, Neraida-2003).
-Spiritus – dramë (2004).
-Tersi i Zululandit – komedi (2006).
-Dhëndërri nga Evropa – komedi (2007).
Ese & studime
“Për paqen, kundër paqes”, (Eurorilindja, Tiranë 1998).
“Qamil Buxheli – Mjeshtër i humorit dhe i satirës”, (Albas, 2024).
“Kumte letrare” (Geer-2024).
“Autorë të shenjuar”, ese (Geer, 2025).
“Pema e krijimit” (Geer- 2025).