Albspirit

Media/News/Publishing

Ndue Ukaj: Figura e Ibrahim Rugovës

Mirë që flitet për Ibrahim Rugovën dhe figurën e tij, se në këtë zymtësi të madhe mendore e intelektuale, ai shkëlqen, si prijës e intelektual i papërsëritshëm. Ashtu siç shkëlqenin gurët e kristaltë, që ai i jepte dhuratë. Po, dhurata. Sepse, ai e kuptonte peshën e dhuratës e miqësisë, dhe rolin që kishin luajtur në jetën mendore europiane, më saktësisht, në unitetin kulturor të kontinentit.

Mirë që flitet për Ibrahim Rugovën, madje, edhe kur ka tendenca negative ndaj punës së tij prej intelektuali e prijësi, se flitet për një model të munguar, të tillë që historia jonë politike e besa edhe kulturore, i ka të rrallë.

Mirë që flitet për Rugovë, edhe kur flitet kuturu, se trashëgimia politike dhe kulturore e Rugovës është kundërpeshë e kësaj kohe të zymtë që po jetojmë, mendimet e veprimet e tij, janë të kristalta si gurët, krahasuar me mendimet e sotme, plot baltë, që përplasen mes nesh e po ashtu gjuhen kundër miqve e aleatëve tanë.

Mirë që flitet për Rugovën, se ai na kujton njeriun e fokusuar për punë të përbashkëta, kundrejt udhëheqësve të fokusuar veç te interesat personale.

Mirë që flitet për Rugovën, se ai na kujton një kohë kur Kosova kuptohej e mirëkuptohej, përkundrejt Kosovës së sotme të cilën pakkush e kupton dhe me gjasë askush nuk e mirëkupton.

Mirë që flitet për një intelektual e krijues, në këtë klimë Siberie mendore, siç do të thoshte një iluminist shqiptar.

Sepse, të flasësh për të, domethënë të flasësh për një njeri të mirë, prijës intelektual dhe studiues të jashtëzakonshëm.

Po, në këtë klimë, vepra e tij, ka kuptimin që kanë ilaçet për të sëmurin.

Që të jem krejt i qartë: vepra e tij intelektuale e politike, nëse lexohet vërtet, ka efektet që kanë ilaçet në një trup të sëmur, për të përpunuar shëndetin tonë të përkeqësuar kulturor, prandaj, mirë që merren me të – të gjithë.

Për të, flasin edhe ata që nuk e njohin e nuk e kanë lexuar, edhe ata që e kanë lexuar dhe nuk e kanë kuptuar, edhe ata që e kanë urryer e me kohë mund të jenë penduar, edhe ata që e kanë shfrytëzuar dhe me kohë e kanë tradhtuar. Sepse, në figurën e tij janë kryqëzuar kohët, interesat, sukseset.

Sepse, Rugova është i madh sot, siç ishte i madh dje, dhe siç do të jetë i madh në të ardhmen; një referencë e patejkalueshme për t’i kuptuar kahet e zhvillimeve të Kosovës.

Prandaj, jam fort i bindur se ai dhe vepra e tij, më së shumti u duhet kundërshtarëve të tij, mëndje shtrembërve, atyre që dikur nuk e kuptonin, e përqeshnin e përbuznin, se kështu, përmes tij mund të përjetojnë katharsis të nevojshëm.

Në thelb, Rugova ngjan i parrokshëm, është pikërisht ashtu siç e cilësonte shkrimtari Ismail Kadare, një president që “qëndronte larg e lart në krahasim me gjithë liderët e tjerë që e kanë kthyer sot Ballkanin në log të tërbimit e të zisë.” Dhe dy dekada pas vdekjes së tij, ai është në po këto lartësi, madje, do të thosha, duke u përhitur e duke u bërë përditë e më i qartë e më i ndritshëm.

Prandaj, asnjë përshkrim për të nuk mund ta zvetënojë figurën e tij e as ta zvogëlojë përmasën e veprës së tij. Sepse, pesha e veprës së tij, më shumë se te librat që shkruhen për të, te fotografitë që varen në mure, të deklaratat shterpe politike që bëhen rreth tij, është tek e vërteta që ka mbjellë në ndërgjegjen e këtij vendi, tenkapitali që i ka lënë këtij kombi: shtetin i Kosovës, plot miq e aleatë.

Dhe sa herë flasim për trashëgiminë e tij, politike e kulturore, unë kam dëshirë ta përsëris një fjali që e kam thënë në një përvjetor të vdekjes së Rugovës, në mjediset e Fondacionit “Ibrahim Rugova”, teksa promovonim librin e tij, “Pushteti dhe intelektualët.”

“Ibrahim Rugova, ishte më shumë se njeri, ai ishte një epokë” do të thoshte një Viktor Hygo i yni, siç kishte thënë ky shkrimtar për Volterin në njëqindvjetorin e vdekjes së filozofit dhe mendimtarit të madh. Në të vërtetë, Rugova ishte një epokë dhe pas vete la një trashëgimi të pasur intelektuale, me vepra përfaqësuese e identifikuese, dhe një trashëgimi politike, me rezultate të papërsëritshme e monumentale.” Po, më pëlqen ta përsëris për arsye esenciale, sepse, koha, gjykatësja më e drejtë, më e saktë, dëshmon se Rugova ishte më shumë se njeri – ai ishte një epokë.

Në thelb, ai ishte njeri i artit, për rrjedhojë,udhëheqës atipik, që pushtetin nuk e mendonte siç e mendojnë ballkanasit, mundësi për sundim, përçarje, por si mundësi për të krijuar lidhje, miq e mirëkuptim njerëzor. Fjalët pozitive, ishin thelbi i gjuhës së tij, simbolikat, mesazhe të tij, kurse sjelljet e kujdesshme, mënyrë e manifestimit të gjuhës e mendimeve tij.

Në kohë dhe rrethana tejet të vështira, kur fishkëllente dhuna e armët në qiellin e trazuar të rajonit, ai zgjodhi paqen si vlerë, mosdhunën si metodë, gjuhën e mirëkuptimit si armë, kulturën si sjellje, etikën e estetikën, si formë e përmbajtje. Dhe përgjatë punës kolosale, që nuk ishte vetëm çlirimi e demokratizimi, ai kishte një mall tjetër: kthimin e shqiptarëve në Europë, në kuptimin qytetërues, në gjirin e këtij qytetërimi, të cilit ishin shkëputur aksidentalisht. Prandaj, bëhet gabim i madh sa herë thuhet Rugova ishte proeropian, jo, ai ishte europian i madh, siç ishte, ta zëmë, Vaclav Havel, që Europën e mendonte si atdhe të vlerave të përbashkëta. Në këtë kuptim, Rugova identitetin europian të shqiptarëve, nuk e mendonte si zgjedhje, por si një fat të pandryshueshëm historik, një gjendje natyrale, ashtu siç e mendonte Kadare.

Në kohë shumë të vështira, ai ishte president “sui generis”, që nuk u ndal së kërkuari shëlbimin për popullin e vet, ndonëse presidentë të tillë, shkruante Ismail Kadare te parathënia e librit “Çështja e Kosovës, ai “pa armë, pa zyre, pa ushtri, mund të tallen e të keqtrajtohen nga ata që i kanë të gjitha këto, ashtu siç e tallen dhe i vonë kurorën me gjemba Krishtit. E në të vërtetë, serbëve u pëlqen të tallen ashtu. E megjithatë, ky president pritet prej shefave të shteteve, çka jep shpresë se bota diçka ka mësuar, së paku nga historia e Krishtit.”

Pra, duke folur për të e duke iu kthyer trashëgimisë së tij, ne kujtojmë zërin e prajshëm të njeriut, që fliste urtë, mençur dhe me qartësinë e duhur, në mes një zhurmërie të madhem, shpeshherë kobzeze. Ne dëgjojmë zërin që me urtësi e dije, çmontonte strategjinë negative të Serbisë kundrejt Kosovës, që herët, kur u ballafaqua me kolegë shkrimtarë, të cilëve u fliste për vlerat e lirisë, për përgjegjësinë që kishin ata kundrejt politikës hegjemoniste serbe, pa iu trembur syri, deri kur u mori në dorë fatin e kombit, duke u bërë prijës i tyre, me mosdhunën si formë e përmbajtje.

Po, në filozofinë e tij, dominon përpjekja e njeriut human, që problemet të trajtohen me mirëkuptim, një cilësi kjo kaq sublime, e rrallë në krejt rajonin tonë, ku ndodh shpesh, prijës, udhëheqës e intelektualë, të gjunjëzohen përpara së keqes, duke e lavdëruar atë. Rugova asnjëherë nuk e bëri një gjë të tillë.

Dhe dy dekada pas vdekjes, portreti i tij kristalizohet gjithnjë e më shumë, kurse kontributi i tij bëhet përherë e më i qartë, duke na kujtuar njëherësh se mësimet e tij, të politikës, të artit e të kulturës, janë vlera autentike dhe universale, të duhura për shëndetin e Kosovës dhe të shqiptarëve – një shujtë e domosdoshme shpirtërore – që e mirëmban shëndetin tonë.