POEZIA SI UDHËTIM DREJT VETVETES, KUJTESËS DHE PËRJETËSISË SË NATYRËS
Prof. dr. Bardhosh Gaçe
Shpesh kam lexuar vëllimet poetike të poetit të talentuar Ruzhdi Gole, qysh nga jeta studentore, por edhe në qytetin e Vlorës, ku ai ishte një emër i veçantë, në kërkim të individualitetit të tij poetik. Ato kohë ai kishte botuar librat Maji i zambakëve 1976, Emri yt 1984, Vonoj të thinjem 1996, apo Me zjarr fërkoj duart 1998. Në mendje më mbetën fjalët e poetit Fatos Arapi: Ruzhdiu do të udhëtojë gjatë me poezinë, pse shpirti i tij zjarrmon si poet. Këto fjalë më janë kujtuar shpesh, duke lexuar poezinë e këtij poeti, por edhe kohët e fundit, kur ai më dhuroi vëllimet: Retina natyre 2026 dhe Dimër, o vëlla, eja si shaka… 2026, për të cilat u nxita të hedh edhe këto shënime letrare.
Poezia e Ruzhdi Goles shfaqet si një poezi lirike-filozofike, intime dhe e mbushur me një frymë të thellë meditimi, vetmie e ndjeshmërie. Në qendër të saj qëndron qenia njerëzore, me brengat, humbjet, kujtimet dhe kërkimet e saj të pareshtura. Vetmia ekzistenciale, ndjenja e humbjes, dhimbja e ndarjes dhe përballja me rrjedhën e pandalshme të jetës përbëjnë disa nga motivet që përshkojnë krijimtarinë e poetit. Por ajo që e bën të veçantë këtë poezi është mënyra se si përjetimet njerëzore shkrihen me natyrën, duke krijuar hapësira të reja mendimi, ku një dukuri e zakonshme shndërrohet në një përfytyrim poetik dhe më pas në një reflektim mbi ekzistencën.
Poeti ynë i talentuar, shpesh frymëzohet nga gjërat e thjeshta, nga një peizazh, një lumë, një kodër, një valë deti, një shpend apo një gjurmë kohe, por nuk ndalet te pamja e tyre e jashtme. Ai depërton përtej dukjes, i ngarkon me ndjesi e kuptime dhe i transponon në përvojën e qenies. Kështu, natyra nuk mbetet thjesht sfond i poezisë, por bëhet bashkëbiseduese, dëshmitare dhe pjesëmarrëse në dramën e brendshme njerëzore. Një zgjedhje domethënëse është vendosja e poezisë për detin në hyrje të librit. Jo rastësisht, poeti e nis udhëtimin e tij poetik drejt detit, drejt asaj hapësire të pamatshme që përfaqëson universin, përjetësinë dhe lirinë e qenies. Deti bëhet një hapësirë, ku imagjinata mund të shtegtojë pa kufij dhe ku shpirti kërkon të çlirohet nga kufizimet e përditshmërisë.
Poeti Ruzhdi Gole e sheh detin jo thjesht si peizazh natyror, por si një dëshmitar të heshtur e madhështor, si një qenie të gjallë, me të cilën mund të ndajë atë që nuk mund tia besojë askujt tjetër. Ai e përshkruan atë si bujar e vetëmohues: Ai përhera/ia fal tjetrit/pa u ndjerë/gjithçka të vetën.. Në këto vargje deti merr cilësi njerëzore, duke u shndërruar në simbol të bujarisë, sakrificës dhe dhurimit pa kushte. Këtu krijohet edhe një kontrast i heshtur mes madhështisë shpirtërore të natyrës dhe kufizimeve të natyrës njerëzore. Vargu Dola ti flas detit në vesh përbën një nga çastet më intime të kësaj poezie. Njeriu i afrohet detit si një miku të besuar, si dikujt që mund ti dëgjojë sekretet më të thella, dhimbjet dhe brengat e tij. Përsëritja e këtij vargu krijon një ritëm lutjeje dhe një atmosferë të veçantë besimi e konfidencialiteti shpirtëror.
Por deti, pavarësisht madhështisë dhe përjetësisë që përfaqëson, mbart edhe brengën e valës. Kjo metaforë e goditur shpreh dhimbjen e largimit dhe pengesat që ndajnë qeniet njerëzore, duke lënë plagë në shpirt. Valët nuk janë më vetëm dukuri fizike, por shndërrohen në simbole të distancës, të ndarjes dhe të pamundësisë për të kapërcyer disa kufij të jetës. Veçanërisht domethënës është vargu: Detit/vetëm vdekja/si qesh.. Këtu poeti ndërton një marrëdhënie të thellë ekzistenciale midis detit dhe vdekjes. Edhe kjo hapësirë e pakufishme, që duket sikur sfidon kohën, nuk mund të përjashtohet nga misteri i fundit. Përballë saj, njeriu mbetet i brishtë, i përkohshëm dhe i ekspozuar ndaj pashmangshmërisë së fatit. Në këtë mënyrë, deti bëhet njëherësh strehë e brengës dhe një pikë referimi për meditimin mbi jetën, dashurinë, kohën dhe vdekjen.
Pas këtij udhëtimi imagjinativ drejt detit, poeti befasisht pyet: Qenkam në Jug? Kjo pyetje shënon një kthesë drejt një tjetër hapësire, tashmë më të afërt dhe më intime: drejt vendlindjes, kujtesës dhe rrënjëve. Poezia Qenkam në Jug? është një krijim lirik-filozofik, ku ndërthuren: nostalgjia, reflektimi mbi kalimin e viteve dhe lidhja e pashkëputur me Vlorën e Kaninën. Udhëtimi fizik dhe ai shpirtëror shkrihen në një përvojë të vetme, përmes së cilës poeti kërkon të kuptojë veten dhe gjurmët që koha ka lënë në trup e në shpirt. Rrëfimi nis me një pyetje që mbart habi, pasiguri dhe introspeksion: Mbaj mend, smbaj mend/jetën 7 vjeç,/37 po, po, i hijshëm,/tash në moshën…
Koha këtu nuk paraqitet si një vijë e drejtë, por si një udhëtim ku fëmijëria, rinia dhe mosha e pjekur ndërthuren përmes kujtimeve dhe ndjesive të trupit. E kaluara duket e largët, por njëkohësisht e pranishme, ndërsa e tashmja bëhet çasti i ballafaqimit me ndryshimet që ka sjellë jeta. Peizazhi i Vlorës dhe i Kaninës merr përmasa jo vetëm tokësore, por edhe shpirtërore. Vargu Gjoksi hov përpjetë mbi rrudhjet / me dallgëzim të ri antropologjik është një përfytyrim i veçantë, ku trupi dhe peizazhi duket sikur shkrihen në një përjetim të vetëm. Rrudhat e moshës nuk e shuajnë hovin e brendshëm të jetës; përkundrazi, mbi to shfaqet një dallgëzim i ri, një energji që i kundërvihet konsumimit të kohës. Edhe vargu Atletet e rrugës për Kaninë… sjell ndjesinë e lëvizjes, të udhëtimit dhe të përplasjes me realitetin e jetës. Në këtë udhëtim, mendja dhe ndjenja kërkojnë pastërti, freski dhe një lloj ripërtëritjeje shpirtërore, të shprehura përmes imazhit të ujërave të ëmbla dhe fluturave që vallëzojnë në kopshte e ullinj.
Një tjetër veçori e poetikës së Ruzhdi Goles shfaqet në mënyrën se si ai e lidh krijimin poetik me brishtësinë e qenies. Fëmijët e së ardhmes dhe vetë lirika duket sikur lindin nga kësaj mitre shtrat i Lirikës. Por kjo botë e brishtë është vazhdimisht e rrezikuar, sepse fëmijët delikatë lëndohen nga pluhurat dhe u lëngojnë shputat edhe nga një gjemb loje. Këto imazhe të ndjeshme e të prekshme e bëjnë brishtësinë njerëzore pjesë të vetë procesit të krijimit. Edhe vargu hija më ndjek herë shtrirë / herë kollë, endje pak ters dëshmon aftësinë e poetit për tu dhënë gjallëri dukurive abstrakte. Hija dhe koha marrin një lloj pranie fizike, sikur të ishin qenie që e ndjekin njeriun në udhëtimin e tij. Kjo gjallëri e heshtur, kjo frymëmarrje e imazheve, është një nga tiparet dalluese të poezisë së Goles.
Duke kundruar muzën poetike të Ruzhdi Goles, veçanërisht e bukur është metafora: Shushica me gishtat e saj / përkëdhel Vlorën. Lumi Shushica personifikohet dhe shndërrohet në një qenie të dashur, që përkëdhel qytetin. Përmes këtij gjesti të butë, poeti krijon një përfytyrim të pasur të marrëdhënies midis natyrës dhe vendlindjes. Edhe metaforat membranë e re e ujit, qull dhe squll cipëz dëshmojnë një imagjinatë që kërkon vazhdimisht forma të reja shprehjeje, duke depërtuar në kufijtë e ndjesive njerëzore dhe të përjetimit shqisor. Po aq të veçanta janë edhe imazhet e gjinjve të vetëmta argjendojnë / jetët e të tjerëve përmes mitrës, ku trupi femëror dhe mitra shndërrohen në simbole të burimit të jetës, të vazhdimësisë dhe të ekzistencës. Këto përfytyrime nuk synojnë të befasojnë, por të hapin shtigje të tjera kuptimi mbi lindjen, krijimin dhe përtëritjen.
Pyetja Qenkam në Jug? dhe ndërhyrja vetironike (Sikur e teprova / me metaforat paksa?) i japin poezisë një ton të sinqertë, bisedor dhe vetëreflektues. Poeti sikur ndalet për një çast, vë në dyshim vetveten dhe e fton edhe lexuesin të hyjë në lojën e asociacioneve poetike. Këto ndërhyrje e bëjnë poezinë më të afërt, por njëkohësisht kërkojnë prej lexuesit vëmendje dhe përqendrim për të depërtuar në thelbin e saj. Në këtë poezi, koha mund ta gjymtojë trupin, por nuk arrin ta shuajë rininë e shpirtit, e cila ruhet përmes kujtesës dhe lidhjes së pashkëputur me vendlindjen, rrënjët dhe bukurinë e natyrës.
Një tjetër përmasë e kësaj poetike shfaqet në poezinë Sa erdha në…, e cila sillet rreth mbërritjes në qytetin bregdetar të Durrësit. Thelbi i saj qëndron te ndjesitë e agimit, kontrasti midis atmosferës detare dhe dimrit, si dhe përjetimi i brendshëm i kohës dhe hapësirës. Çasti i mbërritjes shoqërohet me freskinë e mëngjesit dhe imazhin e gjallë të dallgëve. Durrësi shfaqet si një qytet që jeton në rrjedhën e pandërprerë të kohës, duke pritur ditë të reja. Por kjo gjallëri përplaset me ftohtësinë e dimrit, që krijon një panoramë të zymtë, me kalldrëme të mpira dhe peshkarexha të vjetra, të lodhura nga koha. Vëmendja e poetit zhvendoset më pas drejt kaltërsisë së detit dhe velave të portit. Nën këtë pamje të jashtme fshihet një botë tjetër, më intime, ku ndjenjat e vërteta qëndrojnë të varrosura thellë në shpirt, larg syrit të të tjerëve.
Edhe këtu poeti Ruzhdi Gole i jep jetë mjedisit përmes personifikimit. Qyteti jeton, dimri merr cilësi njerëzore dhe bëhet dinak. Lidhja e dukurive natyrore me pjesë të trupit apo me elemente të përditshme, si cipa e freskët në shtat dhe veshka e kaltër e detit, dëshmojnë një mënyrë të veçantë të vështrimit poetik. Natyra nuk shihet nga jashtë, por përjetohet sikur të ishte pjesë e trupit dhe e anatomisë së njeriut. Mbiemrat përcaktues, si kalldrëm i mpirë apo peshkarexha barkthatë, nuk shërbejnë thjesht për të përshkruar mjedisin. Ata krijojnë një gjendje emocionale, duke e bërë të prekshme ftohtësinë, lodhjen dhe zymtësinë e stinës. Mbërritja në Durrës shndërrohet kështu në një thirrje për ripërtëritje. Deti dhe poeti mbeten hapësira, ku njeriu mund të përjetojë njëkohësisht gjallërinë e jashtme dhe të ruajë brengat e tij më intime. E shkuara dhe e tashmja përqendrohen në kujtesë, por edhe shpërndahen prej saj, duke krijuar një marrëdhënie të ndërlikuar midis çastit dhe përjetësisë. Në poezinë Lexim, poeti e zhvendos kërkimin e drejt një hapësire tjetër simbolike: kodrave, rrënjëve dhe lutjes. Është një krijim lirik-filozofik, i përqendruar te koha, prejardhja, kujtesa dhe leximi i të vërtetave të shpirtit. Poezia hapet me një ndjesi qetësie dhe pastërtie shpirtërore: Aq mendjelehta përtërihen lutjet,/tek kodrat këtu lexoj të vërtetat/moti kullon baltën shputave. Këtu natyra shndërrohet në një libër të hapur, ku poeti lexon të vërtetat e jetës dhe gjurmët që ka lënë koha. Kodrat nuk janë vetëm pjesë e peizazhit, por vende të kujtesës dhe të njohjes, hapësira ku njeriu mund të rikthehet te vetvetja.
Pyetja Nga çmot kemi ardhur / rrënjë plot rrëfenjë? shpreh kërkimin e vazhdueshëm të identitetit dhe të prejardhjes shpirtërore. Metafora rrënjë plot rrëfenjë është veçanërisht e goditur, sepse përmbledh në pak fjalë historinë, kujtesën dhe trashëgiminë që mbart çdo qenie njerëzore. Koha paraqitet e paqartë, e ngadaltë dhe disi misterioze: Kahera u zbardhëm / pa u zbardhur / njëherë…. Ky përfytyrim krijon idenë e një drite që ka ardhur përpara se njeriu të jetë i vetëdijshëm për të. Është një zbardhje e brendshme, një proces i heshtur ndërgjegjësimi, që nuk ndodh menjëherë, por përmes përvojës dhe kujtesës.
Poezia rikthehet sërish te kodra dhe lutjet: Tek kodra/përtërihen të vërtetat…/Lutjet mendjemprehta. Kodra mbetet vendi i shenjtë i ripërtëritjes dhe i mençurisë. Ndërsa vargu moti kullon baltën shputave i jep kohës dhe stinëve aftësinë për të vepruar mbi gjurmët e njeriut. Koha nuk është më një nocion abstrakt, por një forcë që prek trupin, tokën dhe kujtesën. Interesant është edhe kontrasti midis lutjeve mendjelehta në fillim dhe lutjeve mendjemprehta në fund. Ky ndryshim i hollë leksikor dëshmon se poeti është vazhdimisht në kërkim të nuancave që trazojnë mendimin dhe shpirtin. Lutja duket sikur kalon nga një gjendje e çlirët, e pafajshme, drejt një vetëdijeje më të thellë, të fituar përmes përvojës. Në këtë poezi, toka, kodrat dhe kujtesa e hershme bëhen strehë, ku njeriu gjen të vërtetat e veta. Përballë rrjedhës së kohës, lidhja me rrënjët dhe lutja mbeten udhërrëfyes të qenies, ndërsa natyra shndërrohet në një hapësirë, ku shpirti mund të përtërihet.
Veçanërisht mbresëlënëse është edhe poezia Velëncë, e cila paraqitet si një tablo lirike dhe meditative mbi lidhjen e ngushtë midis njeriut dhe natyrës. Thelbi i saj mbështetet te ndjeshmëria, bashkëjetesa emocionale me gjallesat dhe ngrohtësia që krijon natyra përballë ftohtësisë dhe frikërave të brendshme. Poezia nis me një pohim që përmbledh marrëdhënien e hershme dhe të vazhdueshme midis dy botëve: Njeriu e natyra drithërim ngrohtë/ndillen për dashni veç e veç/motmot. Njeriu dhe natyra paraqiten si dy qenie që tërhiqen nga njëra-tjetra, që ndiejnë dhe kërkojnë dashuri, por që njëkohësisht ruajnë veçantinë e tyre. Kjo marrëdhënie është e përhershme, e përsëritur brez pas brezi, si një ligj i heshtur i ekzistencës.
Reflektimi thellohet përmes një pyetjeje që e vë njeriun përballë misterit të bashkëjetesës me botën e gjallë: “Njeriu e ndin zogun e natyrës/zogu a e pa ku e mbajti/njeriu frymën?. Këtu shfaqet një ndarje e hollë midis qenieve, por edhe një bashkëfajësi e përbashkët në misterin e ekzistencës. Njeriu e ndien zogun, por a mundet zogu ta ndiejë njeriun? A e percepton ai frymën që njeriu mban brenda vetes? Kjo pyetje e zhvendos marrëdhënien nga një vëzhgim i thjeshtë i natyrës drejt një reflektimi filozofik mbi komunikimin, ndjeshmërinë dhe kufijtë e kohës.
Poezia sjell edhe kontrastin midis brishtësisë së natyrës dhe asaj njerëzore: Pema/ndonjëherë ka/për gishtat ngricat,/Njeriu vet… frikërat të ligat?. Pema përballet me ngricat fizike, ndërsa njeriu me ngricat e veta shpirtërore, me frikërat dhe të ligat që e kërcënojnë nga brenda. Kështu, natyra dhe njeriu shfaqen si dy botë që përjetojnë forma të ndryshme të së njëjtës brishtësi. Poezia mbyllet duke u kthyer te ideja e bashkimit: Njeriu e natyra bashkë veç veç/ndillet për dashni/nën një velencë… Vetë titulli Velëncë fiton një kuptim simbolik, duke u lidhur me idenë e një mbulese të përbashkët, nën të cilën njeriu dhe natyra, megjithëse të veçantë, bashkëjetojnë dhe kërkojnë ngrohtësi. Pyetjet e herëpashershme i japin poezisë një ton meditues, të ndjerë dhe bisedor, sikur poeti të jetë në një dialog të vazhdueshëm me vetveten dhe me botën përreth. Në këtë mënyrë, Gole e paraqet marrëdhënien midis njeriut dhe natyrës, si një lidhje të pashmangshme, jetësore dhe të mbushur me ndjeshmëri.
Në tërësinë e tyre, këto poezi zbulojnë një poet që e sheh botën përmes një vështrimi të veçantë, ku e zakonshmja dhe e jashtëzakonshmja, konkretja dhe abstraktja, trupi dhe shpirti, koha dhe përjetësia ndërthuren vazhdimisht. Deti, lumi, kodra, pema, zogu, qyteti dhe trupi njerëzor nuk janë elemente të shkëputura, por pjesë të një universi poetik që merr frymë përmes asociacioneve dhe metaforave. Një nga cilësitë më të dallueshme të poezisë së Ruzhdi Goles është kërkimi i pandërprerë i figurës së re, i lidhjes së papritur midis fjalëve dhe i nuancave që i japin mendimit një drejtim të pazakontë. Ndonjëherë metaforat e tij janë të ngjeshura, madje kërkojnë një lexim të kujdesshëm e të përsëritur, por pikërisht kjo dendësi figurative e bën poezinë të hapur ndaj interpretimeve dhe zbulimeve të reja. Poeti nuk kënaqet me atë që duket. Ai kërkon atë që fshihet pas pamjes, pas një gjesti të vogël, pas një lëvizjeje të natyrës apo pas një kujtimi të largët. Prandaj, leximi i poezisë së tij kërkon të ndjekësh jo vetëm kuptimin e drejtpërdrejtë të fjalës, por edhe rrjetën e asociacioneve që ajo krijon.
Në fund, mund të thuhet, se poezia e Ruzhdi Goles është një udhëtim i vazhdueshëm drejt vetvetes dhe botës, një përpjekje për të gjetur përjetësinë në gjërat e përkohshme dhe për të zbuluar madhështinë e jetës në hollësitë më të thjeshta të saj. Njeriu mbetet i brishtë përballë kohës, humbjes dhe vdekjes, por natyra, kujtesa, dashuria dhe poezia i ofrojnë një strehë shpirtërore ku mund të gjejë vazhdimësinë. Dhe ndoshta pikërisht këtu qëndron thelbi i kësaj poetike: në aftësinë për ta shndërruar brengën në meditim, kujtimin në përjetësi dhe një hollësi të zakonshme të jetës në një zbulim poetik. Për Ruzhdi Golen, poezia nuk është vetëm mënyrë për ta shprehur botën, por edhe mënyrë për ta zbuluar, për ta përjetuar dhe për të gjetur vetveten brenda saj.
Vlorë-Tiranë, shtator-nëntor 2026.