Albspirit

Media/News/Publishing

Sadik Bejko: “Burra lisash” – një histori mbijetese

Libri i Roshi Ajdinit sjell rrugën e gjatë, në harkun e dy shekujve, të një familjeje të Labërisë. Nëpërmjet historisë së disa brezave të kësaj familjeje, autori ka dashur të sintetizojë rrugëtimin e saj jetësor nëpër luftëra, ndërrime pushtuesish dhe ndryshime qeverisjesh. Nëpërmjet jetës së një fisi, brez pas brezi, ai ka sjellë luftërat për mbijetesë të trevave të Labërisë dhe të Toskërisë së Tepelenës.

Libri vjen si një homazh për njeriun dhe familjen shqiptare, të cilët, në përballje me rrebeshet e kohërave, kanë dhënë gjak e mund, bukë e lot, duke u mbajtur fort pas tokës dhe familjes, për të ruajtur traditat identitare të trashëguara nga të parët e fisit.

Libri është ndërtuar mbi disa plane rrëfimore: në njërin rrjedhin ngjarjet historike, të cilat i lënë vendin njëra-tjetrës; në tjetrin shpaloset një plan i brendshëm, që ngjan gati i palëvizshëm. Cili është përbërësi i qëndrueshëm në gjithë këto tallaze të kohërave? Është jeta, me ngjarjet e saj kryesore, të përjetshme. Jeta e brendshme e njeriut gjendet te familja, te ato ngjarje të vogla që përsëriten dhe nuk vdesin. Cilat janë ato? Lindja e fëmijëve, martesat e të rinjve, djem e vajza, puna me tokën, me gjënë e gjallë e me natyrën, si dhe vdekjet e pleqve, bartës të urtësisë së jetës, të fisit e të kohërave.

Këto janë vlerat themelore që mbron njeriu i këtyre krahinave. Janë burra lisash. Të ngulur në tokë. Rezistenca dhe përshtatja e tyre i ngjajnë jetës së lisave, që u bëjnë ballë ngricave e vapës, për të mbetur sërish lisa. Përballjet nuk janë vetëm ato me pushtuesit, as ato me regjimet armiqësore ndaj njeriut. Përballja kryesore është të ndërtosh jetën e familjes sate, ta mbrosh e ta ushqesh atë, të gëzosh në lindjet e në dasmat, të vuash e të qash në vdekjet e në fatkeqësitë.

Burrat që vuajnë në këtë libër kanë një cilësi të vyer: sedrën, dinjitetin. Të fortët e pushtetit mund të të marrin nëpër këmbë, mund të të zhveshin nga pasuria, mund të të luftojnë me padrejtësi, por dinjitetin që buron nga brenda individit dhe që ia mban shpinën drejt, nuk mund t’ia marrin kurrë.

Krahas kësaj filozofie jetësore, libri sjell një lëndë të pasur mbi ngjarjet dhe figurat e shquara historike të krahinës, lidhjen e saj me bektashizmin, si dhe figurat e luftëtarëve të Ballit Kombëtar në këto treva. Nuk duhet të druhemi ta themi: këta ballistë të krahinës nuk kanë qenë me pushtuesin, por kundër tij.

Libri sjell dëshmi të historisë dhe të jetës së krahinës. Ky pikëvështrim përbën një kontribut me vlera njohëse jo vetëm për një krahinë, por edhe për të kuptuar atë vazhdimësi të qëndresës dhe të mbijetesës së një vendi e të një kombi.