Albspirit

Media/News/Publishing

Arben Iliazi: Me akademikun e shquar, prof. Beqir Meta

Me akademikun e shquar Beqir Meta

“Ferri janë të tjerët” – kjo formulë ekzistenciale e Sartrit vlen për shqiptarët, për fat të keq edhe sot, kur duhej të mos ishte kështu, kur duhet të qe ndryshuar përfundimisht historia e dhunuar e tyre, më thotë miku im i hershëm, Akademik Beqir Meta, historian dhe studiues i rrallë, që ka analizuar ndarjen e trevave shqiptare në vitin 1913 dhe politikat e dhunës e spastrimit etnik ndaj shqiptarëve në Kosovë dhe Çamëri, duke zbardhur prapaskenat diplomatike dhe politike që kanë ndikuar në fatin e trojeve dhe të drejtave shqiptare.
Prof. dr. Beqir Meta, si askush tjetër, i është përkushtuar gjithë jetën mbrojtjes shkencore të çështjes kombëtare, duke e ngritur këtë çështje në nivelin e studimeve të mirëfillta akademike ndërkombëtare dhe duke shprehur vazhdimisht qëndrime kritike ndaj qeverive shqiptare, madje dhe në kohën kur ishte Drejtor i Institutit të Historisë.
Prof. Beqir Meta ka bashkëpunuar ngushtë me institucionet shkencore të Kosovës e Maqedonisë së Veriut, duke nxitur bashkimin kulturor dhe shkencor mbarëshqiptar.
-Ka akoma sot që mendojnë se historia e shqiptarëve është më tepër e të tjerëve dhe jo e vetë shqiptarëve, pra, një histori jashtë historisë, një histori e deleguar, që nga metropolet e diplomacisë, e koduar në laboratorin alkimist modern të politikës, thotë i shqetësuar profesori.

  • Por vullneti i kombit është më shumë se opsionet e të huajve dhe elitave diplomatike, që nuk identifikohen me të ardhmen e të drejtën natyrore të kombit shqiptar.
    Institucionalizimin e çështjes kombëtare e pengon fakti që rinia, që është pjesa më vitale, ende nuk po merret si duhet me të, ende nuk është ndërgjegjësuar për dinamikën e domosdoshme të kësaj çështjeje supreme. Lexoj me trishtim në shtypin e sotëm shumë pak artikuj seriozë për çështjen kombëtare. Gjithashtu është e trishtueshme, aspak e justifikueshme, që studiuesit, shkrimtarët, intelektualët janë angazhuar shumë pak për këtë çështje. Koha e sotme është një provë për të gjithë. Askush nuk mund të bëjë alibi. Familja është baza e edukimit kombëtar. Pastaj vjen shkolla. Është e pafalshme që në shkollat tona historia është bërë lëndë me zgjedhje, si për provimin me zgjedhje të Maturës Shtetërore, ashtu edhe në kurrikulën e gjimnazit.
    Përçarja mes shqiptarëve është bërë tmerr dhe një ankth i ditës. Historia do ta analizojë se si u shumëfishua kjo urrejtje. Që kombi shqiptar të realizojë vetveten, na duhet filozofia e dashurisë dhe mirëkuptimit. Ndryshe, në reliev, del problemi i pavarësisë së vërtetë të shqiptarëve, që ajo të mos zëvëndësohet me alibinë e sovranitetit, akoma më keq, të instrumentalizimit nga të huajt, për t’i humbur çdo gjurmë të personalitetit.