Albspirit

Media/News/Publishing

Luan Rama: “Parisi letrar”, Marcel Proust

18 nentor – Vdekja e Marcel Proust

Fragment nga një kapitull per Prustin në librin “Parisi letrar”

Një grua në të zeza…

Ai tashmë ishte bërë mjaft i njohur. Për të flitej në New York, në Romë, Madrid… Rreth tij ishte grumbulluar një gjeneratë e re shkrimtarësh si, François Mauriac, Paul Morand, Jean Giraudoux, Jean Cocteau… E dinte se shumë shpejt do të vdiste. Një mbrëmje, më së fundi ai i tha Celestes se «tani mund të vdiste». “Akoma e dëgjoj zërin e tij që mbartëte shpërthimin e një gëzimi të madh”, – do të kujtonte më vonë guvernantja e tij, Celeste. – Atëherë nuk dilte më nga shtëpia. Kohët e fundit ai ishte abonuar në “theatrephone”, një lidhje telefonike ku transmetoheshin koncertet muzikore dhe operat drejtpërdrejt nga teatrot. Vetëm kjo gjë e përhumbte në magjinë e muzikës. E pëlqente shumë dhe mbi të gjithë Debussy.”

Në nëntor të atij viti gjendja e tij u përkeqësua shumë nga bronshiti. Herë pas here i jepnin oksigjen se nuk mbushej me frymë. E megjithatë, e vetmja gjë që kërkonte ishte një birrë e ftohtë nga Hôtel Ritz. Shoferi nisej me të shpejtë dhe e sillte birrën edhe po të ishte ora 2 e mëngjesit.

Ditë e natë Celeste përgjonte zotërinë e saj me frikë në zemër. Për ta ngrohur, i jepte qumësht të ngrohtë. Meqë e folura e lodhte së tepërmi, tani ai komunikonte me të me pusulla, ku jepte porositë e tij. Kur ishte mirë, merrte dorëshkrimin e romanit Albertine disparue për të parë korrigjimet e bëra. Një ditë ai i kishte thënë: «Dua që duart e tua të më mbyllin qepallat». Madje disa ditë, para se të vdiste, ai i ishte lutur tu dërgonte lule miqve të tij, të cilët kishin shkruar disa artikuj për veprën e tij kohët e fundit. Ishte një lloj përshëndetje e tij. Celesten e kishte porositur të shkonte të takonte dhe abatin Mugnier, të cilin ai e njihte dhe ti fliste atij për vdekjen e afërt dhe përshpirtjen që donte t’i bënte.

Më 17 nëntor, ai i bëri shenjë Celeste-s, e cila iu afrua dhe dëgjoi zërin e dobët të tij që i thoshte: «Nëse e hedh dhe këtë natë, kjo do të thotë se jam më i fortë sesa mjekët. Por duhet t’ia dal mbanë. Si thua ti, a do t’ia arrij?»…

Në datën 18 nëntor, pasi kërkoi të pinte një kafe dhe mbeti një çast vetëm, ai i bëri përsëri shenjë Celeste-s ti afrohej: “Në dhomë është një grua e shëndoshë, – i pëshpëriti ai me sytë e shqyer… – Një grua e tmerrëshme në të zeza».

Ishte në delir. Pasi i dhanë përsëri oksigjen, Celeste, që nuk linte askënd të hynte në dhomë, madje as mjekët, të cilët Prusti i kishte refuzuar, thirri më së fundi Robertin, të vëllain e tij. Ishin momentet e fundit. “Prusti nuk po na i shqiste sytë. Ishte diçka e tmerrëshme. Pas pak Roberti iu afrua dhe i mbylli qepallat, ndërkohë që ai ende vështronte nga ne.

– Ka vdekur? – e pyeta.

– Po Celeste. Ai ka mbaruar!…

Ishte ora gjashtë e pasdites. Të nesërmen, gazeta Le Figaro do të njoftonte vdekjen e shkrimtarit të madh Marsel Prust, edhe pse dy të tretat e veprës së tij, të kësaj katedraleje gjigande, siç do ta krahasonin kritikët, ende nuk ishte botuar. Fotografi Man Ray që erdhi me të shpejtë, fiksoi fotografinë e tij post-mortum. Ishte portreti i qetë i shkrimtarit me mjekrën e zezë që i mbulonte pjesën më të madhe të fytyrës.

Një ditë më vonë, trupi i tij u preh në varrezat e Père Lachaise.

Gjatë dy ditëve me kushërirën time, ne brodhëm nëpër rrugët e Parisit në kërkim të Marcel Prustit. Sigurisht, që dikush ta bëjë këtë «udhëtim» në vendet e përjetuara të Prustit, duhet të ketë lexuar diçka nga vepra e tij, në mënyrë që të ngjizë në një autorin dhe veprën, dhimbjet dhe dehjet e tij, dashuritë e tij të munguara, adhurimin për nënën dhe guvernanten besnike, personazhe të një kohe që u bënë heronjtë e romaneve të tij. Eshtë e habitshme sesi për disa dekada pas vdekjes së tij, Prusti nuk u vlerësua nga bashkëkohësit dhe kolegët e vet letrarë. E habitshme sepse për të nuk thotë asnjë fjalë Bretoni, i cili e urrente, ose Aragoni, Malroja, madje as Sartri apo Kamyja. Vonë, duke filluar me Bartesin, siç kujton dhe shkrimtari Filip Solers, vepra e Prustit filloi të marrë vlerën e vet të vërtetë. Në një anketë të botuar me rastin e 100 vjetorit të lindjes së tij, në disan ga organet e shtypit letrar evropian si revista Lire, gazetat El Pais, The Times, Die Zeit, apo La Stampa, krijimtaria e Prustit preferohej pas Shekspirit, Gëtes, Servantesit, Dantes dhe Kafkës, duke lënë mbrapa shumë autorë të njohur dhe nobelistë. Madje si francez, ai ishte vendosur para Molierit, Volterit, Balzakut, etj.