Albspirit

Media/News/Publishing

Cikël poetik nga Valbona Kolaveri

NATA

Nata i përpiu sytë në gjumë,
Dhe filloi të gërrhasë zhurmat e ditës
Nën heshtjen sublime,
Ku çdo gjë po thuhet nën jorgan.

RRUMBULLAKOJ

Kam kohë që rrumbullakoj shpirt,
Herë në të plotën e gjëndjeve të mia pa tepri

Veten e harroj nga pak,
Zakon i kahershëm brejtje e tepruar e ndërgjegjes amësore

Herë në të dhjetat pjesë në buzëqeshje
Duhet të jap në të tepërt,
Dhe kur shpirti mē mban zi

Dhe kur vlerat nominojnë njera tjetrën për herezi,
Lutem,
Shpirt rrumbullakimet më të mira, ruaji të paktën një herë për veten.

BREZI I URISË

Bota po ngjesh pas trupit brezin e urisë
Nder kataklizma fatesh që fundosen
Nga ngjizja e madhe e luftës që e ka sfilit
Ku veç popujt vihen ndër llogore.

ENGJËJT E KUQ

Jam e rrethuar me ëngjëj të kuq
Në zjarret e përtej shpirtit

Mbi kuaj të bardhë ma sjellin triumfin
Me kurorë të dielltë më veshin si një nuse.

E LIRË

Ka ditë që i fshihem të vërtetés sime
Ngaqë po më shtypin blasfemitë
I qëndroj besnike së brëndëshmi shtypjes
Tek negocioj të bëhet më mirë

Ka ditë që vrapin për tek unë nuk e ndal askush
Por vetëm retë që të prekin sy
Dhe atëherë shtriq shpirtin ndër fusha mendimesh
Dhe për pak paqtohem e lirë.

KONTRAST

Unë përmes errësirës që më kaplon çdo ind
Tentoj çdo çast të shoh dritën time

Ti përmes dritës sime
Hyn në tunele të nëndheshme hije të vetvetes

Kontrast i padukshëm gjëndjesh
Zbrapsur si një vagon i rëndë mëndjeje
Që teposhtë rrokulliset.

PJESË E SHPIRTIT

Në tërësi marramendjesh që vrapojnë
Nën kapele ditësh që mbërdhijnë

Një pjesë e shpirtit humbet pa u ndier
Si nën brymë

Agoni e tij mbetet pezull
Si dy sy që kërkojnë shpagim

Dhe pret të ndizet prapë dhe të bëjë dritë.

E DIELA E PARADOKSEVE

E diela, paradoks i çmendur i ndjesive
Ku rrathët e orëve në ngutje,
Të së shtunës dhe të hënës,
E ngushtojnë në mes si gishtin nën unazë

E diela paradokseve
Në gjumin e të marrëve,
Kalon çdo dimension të heshtjes,
Tek shtriqet veç të rri pa bërë asnjë gjë

ASET NËN MĒNGË

Mbi borxhe të pashlyera
Hunjt po rrijnë mbi buzë
Si xhandarë të pamposhtur
Të kërkojnë aset nën mëngë.

PËRBALLË

Ti përballē meje një e panjohur që rrekem gjithnjë ta zgjidh,
Në miniaturë e largët, sa mezi të shoh

Në koeficient zmadhimi një enigmë që shtriqet si ortek të më zërë,
Ndërsa unē përballë teje mbetem bosh.

NJË E KATËRTA KOHË E HIJES

Një katërta e hijes sime të vjetër
Vdiq në kohën e rilindjes
Atëherë kur e plota ime ish gati për udhë të gjatë

Dhe pjesët brënda saj,
Qanë nën frikërat e heshtjes të një terri pa fund,
Gjymtimet shkapërcyen vetet,
Deri në limitet e skajshme të funksioneve pa shkak
Duke bartur shpinës ngarkuar jo të barabartat e saj

Si një segment i presuar pjesëzash,
Mbledh kohët pak nga pak
Rreth një vlere,
Rrumbullakimet e së cilës
Gjithmonë më çojnë tepër larg.