Mimoza Rexhvelaj: Duvaku i bardhë
Duvaku i bardhë
mbuloi malin përballë,
për së gjati, për së gjani,
horizontal e vertikal.
Mbi shtatin e naltë
nusëron shtatëpash,
me buzë në mjaltë,
mbi qiellin e shtatë.
Diku, ca hije zgjaten,
si ruba grash në zi,
e lëshojnë gjamë,
e lëshojnë piskamë…
E bardha nuk asht
gjithmonë e bardhë,
as e zeza nuk asht
gjithmonë skëterrë.
Si shpirti në ferr…
Mjafton me pa agun,
ku dita e nata puthen
me mall,
në një fije të hollë
zjermi…
E ndahen për s’gjallë.