Albspirit

Media/News/Publishing

Shtatorja e munguar në Tiranë për Abedin Dinon

Promovohet monografia “Abedin Dino – Martir i Bashkimit Kombëtar”, e studiuesit Ahmet Mehmeti

Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini” promovoi të mërkurën, më 18 nëntor 2026, në ambientet e “Hotel Tirana International”, librin “Abedin Dino – Martir i Bashkimit Kombëtar”, të autorit Ahmet Mehmeti.

Abedin Pashë Dino është një personalitet i shquar i historisë sonë kombëtare, diplomat i madh, figurë e rëndësishme e lëvizjes kombëtare shqiptare, jo vetëm e Çamërisë, por e gjithë Shqipërisë.

Akademiku Beqir Meta, historian dhe studiues i njohur, e vlerësoi si shumë pozitive metodologjinë e ndjekur nga studiuesi Ahmet Mehmeti, i cili kulmin e aktivitetit të tij studimor dhe hulumtues e kurorëzon me këtë libër. Libri dallohet për pasurinë e burimeve arkivore, ku janë shfrytëzuar dokumente autentike, që i shërbejnë historiografisë shqiptare, tha profesor Beqir Meta. Ky botim i dytë, pas shumë vitesh, është i plotësuar dhe i përditësuar me fakte të reja.

Abedin Pashë Dino shihet si një personalitet poliedrik, me kontribute në shumë fusha, si themelues i diplomacisë shqiptare, i cili vuri në themelet e trajtimit diplomatik çështjen shqiptare në përgjithësi. Gjithashtu, Abedin Pashë Dino ishte një figurë me influencë të gjerë, me kulturë moderne evropiane dhe erudicion të gjerë, që shfaqet në të gjitha dimensionet e tij, tha profesor Meta.

Shkrimtari dhe studiuesi Enver Kushi tha se ky libër vjen në 183-vjetorin e lindjes së Abedin Pashë Dinos, atit të madh të dinastisë Dino të Prevezës. Zoti Mehmeti është një studiues i përgjegjshëm dhe skrupuloz, me përgjegjësi shkencore. Monografia i shtohet veprave që janë shkruar për Abedinin, atdhetar të pakrahasueshëm, ideolog rilindas, shpirti dhe zemra e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, siç do të shprehej Anastas Kullurioti. Një nga figurat më të shquara të Çamërisë e ka cilësuar Dervish Hima.

Çuditem se si nuk ekziston askund një monument i Abedin Pashë Dinos, këtij burri të madh shteti, ideolog i Rilindjes Kombëtare, njeri i dijes dhe shkencës, poet, shkrimtar dhe patriot i shquar, tha zoti Kushi, duke e cilësuar Abedin Pashë Dinon si poet dhe evropianist, të arsimuar mirë që në Zosimea, ku studioi edhe greqishten e lashtë dhe latinishten, e më pas studioi për filozofi dhe ekonomi në Stamboll, ku, përveç gjuhëve shqipe, greke dhe turke, të cilat i njihte, studioi edhe arabishten, persishten dhe frëngjishten.

Abedini u pajis me dije të niveleve më të larta të kohës; ai lexonte si Volterin, ashtu edhe Rumiun.

Duke u ndalur te aktiviteti i tij letrar dhe te përkthimi, Enver Kushi tha:

“Abedin Pashë Dino, me talentin e tij krijues, ka bërë që emri i tij të mos përmendet vetëm si një politikan dhe diplomat i zoti, por edhe si një krijues dhe përkthyes i zoti. Poezitë atdhetare të Abedin Pashë Dinos janë thirrje për zgjimin kombëtar, mbrojtjen e gjuhës shqipe dhe bashkimin kundër copëtimit të trojeve. Krijimet e tij, të shkruara fillimisht në gjuhën greke dhe më pas të përkthyera në shqip, ndërthurin frymën e romantizmit evropian të shekullit XIX me kërkesën për liri dhe vetëqeverisje.

Vjersha e tij e parë në gjuhën shqipe është ‘Këngë për Shqipërinë e shqiptarëvet’, e përbërë prej 64 vargjesh.”

Abedin Pasha u lind në trevën e bukur të Çamërisë, në qytetin e Prevezës, në vitin 1846. I ati i tij, Ahmed Beu, ishte pjesëtar i familjes më të njohur të kësaj treve, i fisit Dino, i cili mbeti një burim i pashtershëm personalitetesh që kanë lënë gjurmë në historinë tonë kombëtare, tha profesor Hasan Bello, duke vijuar:

“Si pinjoll i një familjeje me prestigj dhe me ndikim jo të pakët në Shqipërinë e Jugut, në vitin 1864 ai u thirr të bënte pjesë në gardën ushtarake të sulltan Abdylazizit. Por nuk zgjati shumë kohë dhe ai u kthye përsëri në Prevezë si ndihmës mytesarrif (drejtues sanxhaku) dhe nënprefekt i qytetit. Nga këtu u transferua në Izmir si nënkryetar i Gjykatës së Apelit dhe pak më vonë si kryetar i një Komisioni të Jashtëzakonshëm. Me suprimimin e këtij Komisioni, ai u emërua mytesarif i Sofjes, por, pasi nuk pranoi të shkonte atje, u dërgua në Tekfurndag dhe pastaj në Varnë. Më pas u kthye në Stamboll, ku u emërua në postin e rëndësishëm si komisar perandorak i bursës, detyrë të cilën e ushtroi për pesë vjet e disa muaj. Në kohën që ushtronte këtë detyrë, ai botoi një vepër mbi borxhet e Perandorisë Osmane, për operacionet e bursës dhe operacionet financiare, çka tregon mbi njohuritë dhe kompetencën që Abedin Pashë Dino kishte fituar në fushën e ekonomisë.”

Në vijim, profesor Hasan Bello u ndal te përpjekjet e Abedin Pashë Dinos kundër aneksimit të tokave shqiptare nga Greqia.

Në fund të vitit 1878, ai u dërgua në Janinë si komisar i një komisioni, në krye të të cilit ishte komandanti i ushtrisë osmane të Vilajetit të Janinës, Muhtar Pasha. Komisioni kishte për detyrë të zhvillonte bisedime me përfaqësuesit e qeverisë greke mbi kufirin greko-osman në Shqipërinë e Jugut dhe në Thesali, si dhe mbi dorëzimin e disa territoreve Greqisë, në bazë të rekomandimeve që kishte dhënë Kongresi i Berlinit.

Në këtë periudhë, Abedin Pasha shprehu ndjenjat më armiqësore ndaj helenizmit dhe, sipas optikës subjektive të diplomatit në fjalë, “fanatizmi i tij e la në hije edhe atë të turqve më të ekzaltuar”. Ky fanatizëm kishte si qëllim mbrojtjen e territoreve shqiptare, që kërcënoheshin drejtpërdrejt nga vendimet e Fuqive të Mëdha.

Në prag të mbledhjes së Kongresit të Berlinit (1878), i cili, ndonëse në një masë më të reduktuar krahasuar me Shën Stefanin, përsëri i copëtonte shumë rëndë trojet shqiptare, Abedin Pasha shkoi në Stamboll dhe i dorëzoi Portës së Lartë disa raporte në favor të mbrojtjes së territoreve të banuara me popullsi shqiptare.

Në këtë periudhë, ai ishte gjithashtu organizatori kryesor i nxitjes së popullsisë vendase për të hartuar telegrame, ku protestohej kundër vendimeve të Kongresit të Berlinit dhe në favor të çështjes shqiptare, të cilat më pas i dërgoheshin Stambollit dhe kancelarive të vendeve evropiane. Po aq aktivisht, ai ishte në kontakt me Abdyl Bej Frashërin dhe Mehmet Ali Vrionin dhe, së bashku me degën jugore të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, organizuan rreth 30 000 forca vullnetare, të vendosura për të mbrojtur çdo pëllëmbë të trojeve shqiptare.

Porta e Lartë, e cila ishte në kundërshtim me kërkesat greke dhe vendimet e imponuara nga Kongresi në fjalë, duke pasur parasysh origjinën çame të Abedin Pashës, e emëroi këtë të fundit ministër të Jashtëm dhe kryetar të komisionit që do të zhvillonte bisedimet me Greqinë lidhur me përcaktimin e kufirit. Sipas disa studiuesve, fakti që Janina dhe disa qytete të Çamërisë mbetën pjesë e Perandorisë dhe territore shqiptare deri në vitin 1912 ishte meritë e Abedin Pashës, i cili, me zotësinë dhe ndjeshmërinë e tij prej atdhetari, nuk pranoi në asnjë mënyrë që vendlindja e tij t’i aneksohej Greqisë.

Abedin Pashë Dino vdiq në Stamboll në vitin 1906.

Profesori i Universitetit “Aleksandër Xhuvani”, Ardian Tana, e vlerësoi Abedin Pashë Dinon si një nga figurat më të shquara që ka nxjerrë popullsia çame dhe që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë kombëtare shqiptare, si simbol të atdhedashurisë, qëndresës së armatosur dhe kontributit historik të shqiptarëve të Çamërisë në formësimin e shtetit dhe kombit shqiptar.

Ardian Tana u ndal më shumë në rolin e Abedin Pashë Dinos në mbrojtje të çështjes kombëtare, si hartues i memorandumeve dhe politikave për mbrojtjen kombëtare dhe tërësinë territoriale, duke theksuar se figura e Abedin Dinos spikati më së shumti në ngjarjet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, duke përfaqësuar denjësisht interesat e kombit dhe të trevës së Çamërisë.

“Abedin Pashë Dinon ne, çamët, duhet ta shohim si një model për rrugën tonë”, tha Ardian Tana.

Autorin e monografisë “Abedin Dino – Martir i Bashkimit Kombëtar”, Ahmet Mehmetin, Tana e cilësoi një intelektual shumëplanësh, “një enciklopedi lëvizëse”, “atdhetar të klasit të parë”, talent të vërtetë jo vetëm në studimet historike, por edhe në poezi, ese dhe studime të marrëdhënieve ndërkombëtare, ku çështja çame është trajtuar në disa rrafshe.

Gazetari dhe publicisti i njohur, Hiqmet Zane, duke përgëzuar studiuesin Ahmet Mehmeti për këtë prurje, mes të tjerash tha:

“Biografia e një kombi njihet përmes personaliteteve historike që ka. Ne, çamët, krenohemi që arkitekti i Lidhjes së Prizrenit ishte Abedin Pashë Dino nga Preveza, frymëzuesi, ideatori dhe bashkëpunëtori më i ngushtë i Abdyl Bej Frashërit, një njohës i mirë i politikave të Perandorisë Osmane dhe i së drejtës ndërkombëtare të ‘vetëvendosjes së popujve’. Ky fakt duhet të trajtohet në kurrikulat shkollore! Historiografia shqiptare e përmend rëndom emrin e arkitektit të vërtetë të këtij ‘Kuvendi Kombëtar’, por ende më keq, duke mos i njohur atributet që i takojnë me shumë të drejtë këtij shqiptari të madh nga treva e bukur e Çamërisë sonë martire”, tha zoti Zane.

Më 10 qershor 1878, Kuvendi Kombëtar krijoi në Prizren Lidhjen Shqiptare. Abedin Dino zgjidhet anëtar i Kryesisë së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit për Shqipërinë e Jugut.

Popullata dhe historia e Çamërisë janë të trashëguara përmes ngjarjeve dhe personaliteteve të saj që nga thellësitë e shekujve. Në këtë kuadër njihet personaliteti i Abedin Pashë Dinos, njeriut enciklopedist dhe të panderuar, njeriut politikan dhe të denigruar, njeriut atdhetar dhe të mohuar për kontributet e tij.

Çdo përkujtim i këtij personaliteti të kësaj perandorie të madhe i thotë ndal gjenocidit shkatërrues që ka ndodhur në historiografinë mbi Çamërinë, të cilën historianë të ideologjizuar e kanë shtrembëruar për ta çuar drejt inekzistencës. Është një baltë e hedhur në 50 vjetët e diktaturës, që iu bë historiografisë së trashëgimisë etnike shqiptare, e cila është shkruar me gjak e sakrifica për të mos lejuar cungimin e tërësisë tokësore të kombit shqiptar.

Aktualizimi i figurës së Abedin Pashë Dinos është domosdoshmëri përballë lidhjes greko-serbe që vazhdon investimin antishqiptar, i cili ka mbështetjen e Evropës që na cungoi trojet.

Në një intermezzo gjatë zhvillimit të aktivitetit, nxënësi Aneldo, i shkollës “Abedin Dino”, recitoi disa vargje, duke krijuar mjaft emocion në sallë:

“Ju o Shqiptarë ndë doni
nga i huaji të shpëtoni.
Bëhuni një e luftoni.
Gluhënë tuaj të shkroni,
Shqip të flisni e të këndoni!”

Profesor Bashkim Kuçuku, duke vlerësuar metodologjinë e librit si vlerë më vete, tha se “Abedin Dino – Martir i Bashkimit Kombëtar” është një libër me shumë të dhëna të reja për historinë.

Profesor Kuçuku u ndal te çështja e trajtimit të Çamërisë në “Enciklopedinë e re Shqiptare” (projekt i përbashkët i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës), që ka ngjallur debate të forta në publik mes historianëve.

Jo vetëm si studiues, por edhe si përfaqësues i komunitetit çam, profesor Bashkim Kuçuku shprehu shqetësimin se zërat e parashikuar për historinë, gjeografinë, trashëgiminë kulturore dhe figurat e shquara të Çamërisë janë shumë të paktë në raport me peshën historike të krahinës dhe me vëllimin e përgjithshëm të veprës, e cila planifikohet të ketë 10 vëllime me rreth 10 000 faqe, pavarësisht nga pritshmëritë tona.

“ Nga informacionet që kemi, sidomos pjesa për gjeografinë është krejtësisht e pazbuluar”, tha profesori. Enciklopedia e re duhet të rikuperojë boshllëkun e periudhës së komunizmit (1946–1990), kur historia e Çamërisë dhe spastrimi etnik i viteve 1944–1945 u lanë thuajse tërësisht jashtë teksteve shkollore dhe botimeve zyrtare.

Duke ndërhyrë, edhe akademiku prof. dr. Beqir Meta, një nga hartuesit e Enciklopedisë së re, tha se ende jemi në fazë konsultimi dhe harmonizimi mes redaksive vendore në Tiranë, Prishtinë dhe Shkup/Tetovë, por kam qenë dhe jam i mendimit se hartimi i Enciklopedisë duhet të udhëhiqet nga standarde shkencore, duke lënë hapësirë për sugjerime nga studiues të fushave të ndryshme, që kanë botuar vepra të dedikuara enkas për krahinën, pa lënë mundësi për boshllëqe në botimet e përgjithshme akademike.

“Çamëria ka një histori që nuk duhet harruar dhe duhet transmetuar brez pas brezi.”

Gazetari Arben Iliazi tha se testamenti letrar i Abedin Pashë Dinos, veç të tjerash, na dëshmon qartë se ai i shërbeu vetëdijes kombëtare dhe idesë së ruajtjes së identitetit të shqiptarëve. Janë të paktë ata njerëz që e arritën këtë gjë. Në vitin 1895, Dino mori dekoratën “Palma e Artë” të Akademisë Franceze.

Veprimtaria letrare e Abedin Dinos është e larmishme, si nga tematika, ashtu edhe nga gjuha e përdorur. E veçanta e krijimtarisë së tij është se ka shkruar jo vetëm në shqip, por edhe në gjuhë të tjera që ai zotëronte, si turqisht, greqisht, persisht, arabisht etj.

Abedin Pashë Dino ka krijuar kryesisht poezi atdhetare, lirika dashurie, si dhe vargje me motive filozofike e mistike.

Abedin Pashë Dino ishte përkrahës i shkrimit të gjuhës shqipe me shkronja latine, të cilën e lavdëronte duke theksuar se ishte një mënyrë shkrimi e përparuar dhe e qytetëruar.

Përveç veprave origjinale, shkencore, filozofike, teologjike dhe publicistike, Abedin Pashë Dino ka përkthyer në osmanisht vepra të rëndësishme letrare e filozofike nga frëngjishtja, arabishtja dhe persishtja, ndër to edhe vepra të poetit dhe filozofit persian Xhelaludin Rumi.

Vlerësimet më të mëdha për figurën e Abedinit i ka dhënë populli, i cili e ka përjetësuar atë në folklorin e vet. Trimërisë dhe luftës për pavarësi të Abedinit, në mënyrë mjaft origjinale, i këndon populli i krahinës së Çamërisë:

“Kazatë më këmb’ u ngrinë,
Çamërjotë dhjetë milë,
në krie kanë Abedinë,
Abedin Dinua bajrak,
Evropit i dhe xhevap!”

Në fund, studiuesi Ahmet Mehmeti, autor i librit, tha se e ka trajtuar Abedin Pashë Dinon si një rilindës të rrallë dhe burrë shteti me vizion të qartë për mbrojtjen e trojeve shqiptare dhe tërësinë territoriale të vendit.

“Në librin tim, tha Mehmeti, e shoh Abedinin jo thjesht si një mbrojtës të autonomisë brenda Perandorisë, por si një pararendës të idesë së pavarësisë dhe bashkimit të trojeve shqiptare. E përshkruaj si një figurë të jashtëzakonshme kulturore — gjuhëtar, ekonomist, poet, kritik letrar, përkthyes dhe filozof — me një formim të lartë perëndimor (i shkolluar në Paris dhe Athinë), gjë që e bënte atë të barabartë në tryezat diplomatike me kancelaritë e Fuqive të Mëdha.

Për mua, Abedini është simbol i shqiptarit që nuk u asimilua nga pushteti perandorak, por sakrifikoi karrierën (duke dhënë dorëheqjen si Ministër i Jashtëm për çështjen e Ulqinit dhe Çamërisë) dhe në fund edhe jetën e tij për Shqipërinë. Po ashtu, vlerësoj vizionin e tij për bashkimin e shqiptarëve myslimanë dhe të krishterë kundër copëtimit.

Një aspekt kyç i këndvështrimit tim është rehabilitimi historik. Ahmet Mehmeti tha se historiografia shqiptare e periudhës së diktaturës (dhe disa ribotime të mëvonshme) e la qëllimisht në heshtje figurën e Abedin Dinos për shkak të paragjykimeve ideologjike, duke mohuar rolin e tij vendimtar krahas figurave si Abdyl e Sami Frashëri.”