Brexit: Kur do të dalin britanikët nga BE?
Brexit do të zgjasë më shumë se sa e kishin parashikuar zgjedhësit britanikë në qershor në referendum. Apo ndoshta Britania e Madhe nuk do të ndahet fare nga BE? Këtu gjeni pyetjet dhe përgjigjet më të rëndësishme.
A ka një plan kohor për Brexit?
Gazetat britanike informuan në fundjavë se kryeministrja e re britanike Theresa May mund të presë deri në tetor 2017 deri sa të paraqesë lutjen për të dalë nga BE. Pastaj ajo mund të negociojë më e vonta deri në fund të vitit 2019 për modalitetet e daljes nga BE. Se kur do të fitojë fuqi ligjore faktike dalja nga BE dhe cilat do të jenë afatet kalimtare, kjo për momentin është krejtësisht e paqartë.
Pse zgjat kaq shumë?
Po t’i besosh “Sunday Times” dhe medieve të tjera, në qeverinë britanike aktualisht mbizotëron “kaosi”.Vërtet që tani janë krijuar dy ministri, ajo për Brexit dhe ajo për tregtinë ndërkombëtare – por ato nuk kanë personel të mjaftueshëm të kualifikuar dhe as nuk e dinë saktësisht se për se duhet të negociojnë.
Brenda qeverisë, ministri i Tregtisë Fox dhe ministri i Jashtëm Johnson grinden se kush do të në të ardhmen përgjegjës për marrëdhëniet tregtare me botën dhe me shtetet e BE.
Kryeministrja May lëshoi të martën një deklaratë: E “i gjithë aparati qeveritar punon me kapacitet të plotë” për përgatitjen e negociatave për Brexit. Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker ka kohë që supozon se mbështetësit e Brexit nuk kanë fare plan. Në debatin e fundit në Parlamentin Evropian ai tha se ai “nuk ka mirëkuptim” se do të duhen muaj, deri sa të nisin negociatat.
Si sillen shtetet e tjera të BE?
Deri tani në BE niseshin nga fakti se kryeministrja Theresa May do ta përdorte në fund të vitit Nenin 50 të Marrëveshjes së BE, i cili rregullon në vija të përgjithshme daljen nga BE. Kjo datë tani duket se është shtyrë për në një kohë të pacaktuar. Këto javë May po udhëton në shumë kryeqytete evropiane për vizita prezantuese dhe natyrisht do të flasë me kolegët e saj për Brexit. Por negociata informale këto nuk duhet të jenë.
Si po përgatitet BE?
Disa shtete anëtare, si për shembull Franca, ngulin këmbë që lamtumira e britanikëve të organizohet sa më shpejt dhe pa lëshime të mëdha. Gjermania nga ana tjetër deri tani është angazhuar më shumë për një dalje të butë të britanikëve nga BE.
Në gjendjen e tanishme pezull duket sikur gradualisht po mësohemi. Diplomatët e BE në Bruksel i interpretojnë të dhënat më të fundit ekonomike me fjalët se është Britania e Madhe që po vuan më shumë nga paqartësitë përreth Brexit se sa BE. Prandaj duhet të ishte Britania e Madhe që të kërkonte përshpejtim dhe jo BE, thonë ata.
Të hënën e ardhshme, kryeministrat e Italisë Renzi, Presidenti i Francës Hollande dhe Kancelarja gjermane, Angela Merkel do të takohen në një ishull të vogël italian për të menduar për rrugët për në Brexit. Në 15 shtator pastaj do të trajtohen krerët e të gjithë BE pa Britaninë e Madhe nën Presidencën slovake në Bratislavë për një takim të nivelit të lartë, gjithashtu për të vrarë mendjen.
Vendime sipas të dhënave të Këshillit Evropian nuk do të merren. Në 1 tetor do të marrë postin kryenegociatori kryesor i BE për Brexit, Michel Barnier. Me Michel Barnier, kryetari i Komisionit Evropian Juncker ka emëruar një shok të ngushtë personal dhe ish-ministër francez në një post kyç. Në Britaninë e Madhe, Barnieri që ka qenë edhe Komisar i BE konsiderohet mbështetës i vijës së ashpër.
A do të zbatohet ndonjëherë Brexit?
Disa politikanë të BE ndërkohë dyshojnë nëse kryeministrja britanike May do me të vërtetë të dalë nga BE. “Qeveria britanike nuk është e detyruar juridikisht që ta zbatojë referendumin”, tha eurodeputeti Elmar Brok në një intervistë.
Ministri i Brendshëm i Austrisë, Hans-Jörg Schelling u tregua i sigurt në korrik në një bisedë me Handelsblatt: “Britania e Madhe nuk do të dalë kurrë nga BE. Edhe pas pesë vjetësh ata do të jenë në BE”. Theresa May, supozojnë diplomatët e BE në Bruksel mund ta zvarrisë Brexit deri në zgjedhjet parlamentare, të cilat do të mbahen më e vonta në vitin 2020. Pastaj zgjedhësit britanikë mund të votojnë edhe njëherë, nëse e kishin seriozisht daljen nga BE.