Albspirit

Media/News/Publishing

Pas mbylljes së “Kurumit”, vërshon importi i gizës e çelikut nga Gjermania

 

Kompania turke “Kurum”, e falimentuar në fillim të këtij viti, ishte prodhuesi më i madh i gizës dhe çelikut në Shqipëri

Shpallja e falimentit të kompanisë Kurum në muajt e parë të këtij viti ka rikonfiguruar tërësisht tregtinë e gizës dhe të çelikut në vend.

Të dhënat e INSTAT tregojnë se eksportet e gizës dhe çelikut kanë rënë ndjeshëm në gjysmën e parë të vitit, ndërsa importet kanë lulëzuar.

Kanali i ri nga po importohet giza dhe çeliku në vend tashmë është Gjermania. Importet e këtij nga Gjermania ishin rreth 7.5 miliardë lekë, duke qenë 56 herë më të larta në raport me nivelin minimal prej 133 milionë lekësh në janar-qershor 2015.

Kjo ka ndikuar në rritjen totale të importeve nga Gjermania me 61%, duke e bërë shtetin gjerman për herë të parë partnerin e dytë më të madh për sa u përket importeve, për t’ia kaluar Kinës.

Në të kundërt, eksportet e gizës dhe çelikut në 6 muajt e parë të vitit ranë me 45%, ku ndikimin kryesor e dha Turqia, që më parë ishte destinacioni kryesor i Kurum.

Falimenti i Kurum

Kurum, prodhuesi më i madh i gizës dhe çelikut në vend, që mbulonte pothuajse gjithë tregun vendas dhe ishte një ndër eksportuesit më të rëndësishëm, shpalli falimentin në fillim të këtij viti.

Sipas të dhënave të bilancit të 2015-s, kompania Kurum raportoi të ardhura nga shitjet në 21.3 miliardë lekë me një rënie 13 për qind në krahasim më vitin 2014, teksa kompania ka frenuar zgjerimin e borxhit i cili ndodhet në të njëjtat kuota, përafërsisht në 37 miliardë lekë.

Në analizën që shoqëron të dhënat financiare të 2016-s, nga ana e shoqërisë konstatohet se në muajt në vijim të këtij viti të mos ketë aftësi paguese për shlyerjen në kohë të detyrimeve. Mungesa e aftësisë paguese është evidentuar në muajt e fundit të vitit 2015, kur shoqëria ka reduktuar ndjeshëm aktivitetin e saj. Treguesit dhe arsyet e pafatësisë paguese argumentohen si më poshtë:

Së pari, aktiviteti i Kurum lidhet ngushtë me sektorin e ndërtimit. Dobësitë që po kalon sektori i ndërtimit në Shqipëri kanë çuar në rënie të shitjeve në treg. Për shkak të kësaj situate, shitjet në vitin 2015 kanë rënë ndjeshëm.

Së dyti, përkeqësimi i shpejtë i situatës në tregjet botërore të industrisë (tregjet e hekurit për ndërtim) ka ndikur direkt në uljen e çmimeve të shitjes së hekurit në Shqipëri dhe për eksport. Kështu, vetëm fakti që në vitin 2014, çmimi mesatar i shitjes së hekurit ka qenë 440-450 dollarë për ton, ndërsa më 2015 këto çmime nuk kanë qenë më shumë se 340-350 euro për ton.

Së treti, shoqëria është pjesë e grupit Kurum Holding, grup me qendër në Gebze, Stamboll, Turqi dhe si e tillë vepron dhe ndjek politikat e grupit. Shoqëria Kurum International  ka relatuar pranë gjykatës se shoqëritë kryesore dhe të mëdha të grupit konkretisht Kurum San ve Dis Tic AS si dhe Kurum Holding AS kanë vështirësi të mëdha në likuiditete dhe janë në proces për aplikim në gjykatat e Turqisë për faliment në formën e riorganizimit dhe strukturimit, duke bërë edhe shpalljen e pamundësisë së tyre për likuidimin e detyrimeve afatshkurtra.

Sa katërti, bankat e nivelit të dytë në Shqipëri, të cilat kanë financuar shoqërinë, kanë shprehur shqetësim për situatën, duke kërkuar informacion për përballimin e cash flow për 2016, si dhe duke njoftuar ndërprerjen e limiteve të kredive bankare që aktualisht shoqëria ka disponibël, konkretisht BKT, si dhe Tirana Bank, të cilat nuk e kanë rinovuar linjën e kreditit.

Please follow and like us: