Pasuesi i Ban Ki-moon në OKB, 10 kandidatë në garë. Nga Europa Lindore?
Me votë të fshehtë deri në arritjen e konsensusit mbi kandidatin, Këshilli i Sigurimit do të zgjedhë pasardhësin e shefit të OKB-së, Ban Ki-moon, që largohet në fund të këtij viti nga posti, të cilin e mbajti përgjatë dy mandateve 5-vjeçare. Këshilli 15-anëtarësh voton në këtë mënyrë për secilin prej 10 kandidatëve në garë.
Koreano-jugori u betua si Sekretar i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara më 14 dhjetorin e vitit 2006, me premtimin të ishte një njeri “që ngre ura bashkëpunimi” e që do të vitalizonte organizmin ndërkombëtar.
Njeriu, që zuri vendin e Kofi Annan nga Gana, ishte i pari aziatik i vendosur në krye të OKB-së në 35 vite. Një njohës shumë i mirë i gjuhës angleze, Ban është diplomuar për Administrim Publik dhe ka luajtur – sipas “Reuters”, – rol kyç në transformimin e Koresë së Jugut, nga një vend i varfër në njërin prej “tigrave” ekonomikë të Azisë.
Si ministër i Jashtëm, nga janari 2004 deri nëntorin e 2006-s, ai u konsiderua mjaft i suksesshëm edhe në departamentin, që menaxhonte njëkohësisht çështjet tregtare, të një shteti të mbështetur fort tek eksportet, për ngritjen e tij nga rrënojat e luftës koreane të viteve ’50.
Për shkak të një skeme jozyrtare rotacioni rajonal, shumë analistë besojnë se ka mundësi të mëdha, që kreu i ardhshëm i administratës së OKB-së të jetë nga Europa Lindore, e cila nuk ka nxjerrë deri më sot ndonjë Sekretar të Përgjithshëm.
Por ekziston rreziku që tensionet mes Rusisë dhe anëtarëve të përhershëm perëndimorë të Këshillit mbi konfliktin e Ukrainës të rezultojnë në bllokimin e një kandidati të tillë.