Albspirit

Media/News/Publishing

FBI: Hakerët mund të kenë hyrë në regjistrat zgjedhorë


Byroja Federale e Hetimeve, FBI, ka gjetur prova se kohët e fundit ka patur ndërhyrje nga njerëz, që besohet se janë hakerë të huaj, në regjistrat e votuesve në dy shtete.

Kjo ka bërë që FBI-ja t’u kërkojë zyrtarëve lokalë të zgjedhjeve të përmirësojnë sistemet kompjuterike të sigurisë.

Një javë më parë, seksioni i FBI-së që merret me kibernetikën lëshoi një udhëzues sekret, por pa sqaruar se cilat shtete ishin vënë në shënjestër. Agjencia “Yahoo News”, e cila njoftoi e para për çështjen të hënën, citon burime që thonë se sistemet e regjistrimit të votuesve në shtetet e Arizonës dhe Illinoit ishin penetruar nga hakerët.

Ndërhyrja më serioze u njoftua të ketë ndodhur në Illinoi ku një zyrtar i bordit të zgjedhjeve për atë shtetet tha se sistemi i regjistrimit të votuesve ishte mbyllur për 10 ditë muajin e shkuar pasi hakerët kishin vjedhur të dhënat personale të rreth 200 mijë votuesve.

Sulmi në Arizonë përfshinte edhe futjen e programeve kompjuterike me qëllime dashakeqe në regjistrin e votuesve. Një zyrtar në Arizona tha se të dhënat e votuesve nuk ishin hequr.

Për zyrtarët amerikanë të zbulimit, shqetësimet po shtohen gjithnjë e më shumë, se hakerët e huaj, të mbështetur kryesisht nga Rusia, mund të përpiqen të pengojnë zgjedhjet presidenciale amerikane në muajin nëntor.

Zyrtarët kanë thënë kohët e fundit se sulmet kibernetike ndaj Komitetit Kombëtar Demokrat dhe gjetkë në institucionet e kësaj partie, ishin kryer ndoshta nga njerëz brenda qeverisë ruse. Rusia ka hedhur poshtë se ka patur gisht në sulmet kibernetike.

Please follow and like us: