Arrestohen nëntë gazetarë për lidhje me predikuesin Gulen
Autoritetet turke arrestuan sot nëntë gazetarë, në mesin e tyre kryeredaktori i së përditshmes ”Hurriyet”, me dyshimin për lidhje me predikuesin Fetullah Gulen, i akuzuar për orkestrimin e grushtit të dështuar të shtetit në korrik, raportoi web-i i gazetës.
Zyra e Prokurorit të Stambollit ka lëshuar mandatarreste kundër 35 personave, të akuzuar për bashkëpunim me njësitë e ushtrisë që u përpoqën për të përmbysur autoritetin e presidentit Recep Tayyip Erdogan më 15 korrik.
Në mesin e gazetarëve të arrestuar, të akuzuar për propagandë pro-Gylen renditet gjithashtu Dincer Gokce, kryeredaktor i web-it anglofon të ”Hurriyet”.
Tetë personat e tjerë, të arrestuar në Stamboll, Ankara dhe në provincën Kocaeli (veriperëndim) janë aktualisht ose ish-gazetarë të së përditshmeve ”Bugun”, ”Radikal” dhe ”Yeni Safak” ose të ish-gazetës opozitare ”Zaman, sipas televizionit turk NTV.