Albspirit

Media/News/Publishing

Hendrix, jeta e një legjende

PERSONAZH/ Jimi Hendrix, jeta e një legjende

Më 18 shtator 1970, ylli i muzikës Rok, Jimi Hendrix, 27-vjeçar, vdiq në Londër. Ai njihet se një nga kitaristët më me ndikim në vitet 1960, dhe “ndoshta instrumentisti më i madh në historinë e muzikës rock”, thuhet në biografinë e tij në Hollin e Famës së muzikës ‘Rock and Roll’.

Jeta e një legjende

Xhimi Hendriks u lind në Siatëll, Uashington, më 27 nëntor të vitit 1942. Nëna ia vuri emrin Xhon Alen Hendriks, por i ati ia ndryshoi atë pasi u kthye nga Lufta e Dytë Botërore. E ëma e Hendriks ishte e alkoolizuar, ndaj prindërit iu divorcuan dhe ai ndenji me babanë. Ky i mësoi të luante në kitarë akustike në moshën 13-vjeçare. Në vitin 1959 ai la gjimnazin dhe u fut në ushtri, nga e cila doli për shkak të një dëmtimi në kavilje gjatë trajnimit me parashutë. Ai punoi si një muzikant mbështetës në disa grupe bluzi dhe më pas u largua për në Nju Jork me shpresën që të ndahej nga biznesi i muzikës.

jimi-hendrix-4

Së bashku me shokun e tij, Kurtis Najt (Curtis Knight), Xhimi zbuloi skenën muzikore në Greenwich Village, që i la një mbresë të madhe. Në këtë kohë filloi të merrte drogë si marijuanë, kokainë dhe pilula.

Pasi filloi të jepte shfaqje me bandën e tij në një kafene, atij iu afrua të shkonte në Britani dhe të niste një karrierë premtuese. Sapo mbërriti atje, iu bë ndryshimi i emrit nga Xhejms në Xhimi. Në Britani Xhimi krijoi një bandë të re të quajtur Xhimi Hendriks Experience, ku bënin pjesë Xhimi si kitarist dhe këngëtar lider, batisti Noel Redding dhe bateristi John Mitchell.

Karriera e tij lulëzoi edhe më shumë kur u kthye në SHBA për një festival, ku ai përplasi edhe kitarën e tij me tepër egërsi. Me nxjerrjen e dy albumeve Are You Experienced? dhe Axis: Bold as Love, Xhimi Hendriks u ngjit në majat e klasifikimeve.

Megjithatë, përdorimi i drogës filloi ta përkeqësonte jetën dhe marrëdhëniet e tij me njerëzit, lidhjet e tij të dashurisë përfundonin shpejt dhe menaxheri i parë e la.

jimi-hendrix-3

Pasi e braktisi edhe bateristi i grupit, ai filloi të bënte ndryshime të shpeshta në bandën muzikore duke shtuar anëtarë të rinj dhe duke bërë performanca të ndryshme.

Në gusht të vitit 1969, Hendriks dha shfaqe në mbrëmjen përmbyllëse të festivalit në Woodstock, ku u ndoq nga mbi 400.000 fansa. Kënga e tij The Star Spangled Banner, u bë himn për lëvizjen e kundërkulturës, që hidhte poshtë mënyrën normale të funksionimit të shoqërisë.

jimi-hendrix-6

Pas këtij festivali, Xhimi formoi një bandë të re, me të cilën nxori një album të ri, The band of Gypsys. Albumi i tij i fundit Cry of Love, ishte gjithashtu tepër i suksesshëm.

Vdekja

Problemet e Xhimit me drogën i hapën shumë probleme. Në natën e 17 shtatorit të vitit 1970, teksa jetonte në Londër, Xhimi mori disa pilula gjumi, të cilat ishin dhënë me recetë për të dashurën me të cilën bashkëjetonte, Monika Danneman. Në mesnatë atij iu shfaq një reaksion alergjik ndaj pilulave që kishte marrë dhe i ra të fikët. Duke menduar se gjithçka do të shkonte mirë, Monika doli të blinte cigare. Kur u kthye e gjeti të shtrirë përtokë të mbuluar me të vjella. Pak kohë pasi mbërriti në spital, Hendriks u shpall i vdekur. Ai ishte 27 vjeç. Ndonëse kishte jetë të shkurtër, ndikimi i tij si kitarist roku ishte i madh në epokën e re të muzikës revolucionare.

jimi-hendrix-5

10 fakte për Jimi Hendrix

1- Ai luante një kitarë elektrike të modelit Fender Stratocaster, që u krijua në vitin 1954. Ndonëse ishte mëngjarash, përdorte kitarë të zakonshme, pasi mendonte se ky kombinim nxirrte një tingull shumë special.

jimi-hendrix-1

2- Pjesa ku ai luan The star-spangled banner në filmin Woodstock, është një nga pjesët më të studiuara të muzikës së filmave.

3- Neil Young, muzikant i njohur kanadez është shprehur se Hendriks ishte absolutisht kitaristi më i mirë që ka jetuar ndonjëherë.

4- Ai humbi mbi 60 për qind të dëgjimit pak para vdekjes. Gjatë regjistrimeve dhe miksimeve në studion diskografike, ai ishte i vetmi që arrinte të dëgjonte muzikën me volumin aq të lartë.

5- Si parashutist i ushtrisë amerikane, Hendriks u përpoq të rikrijonte me kitarën e tij tingullin e ajrit gjatë hedhjes me parashutë.

6- Xhimi Hendriks është renditur i 51-ti mes 100 artistëve më seksi të VH1.

7- Ndryshe nga ç’besohej për vite performanca e fundit e Hendriks nuk është në festivalin Isle of Wight në Angli, por në një festival në Gjermani.

8- B.B King ka thënë: “Kur dëgjon Xhimi Hendriks, e njeh që është ai. Xhimit i pëlqen ta prezantojë veten me instrumentin e tij”.

9- Menaxheri i tij i dytë, Majkëll Xhefri, organizoi rrëmbimin e Hendriks për dy ditë dhe më pas “e shpëtoi” për t’i rritur besimin tek ai si menaxher.

10- Xhimi Hendriks ka një yll në Shëtitoren e Famës në Hollivud.

Thënie nga Xhimi Hendriks

jimi-hendrix-2

-Kur fuqia e dashurisë të mbizotërojë mbi dashurinë për fuqinë, bota do të njohë paqe.

-Muzika nuk gënjen. Nëse ka diçka që duhet të ndryshohet në këtë botë, mund të ndodhë vetëm përmes muzikës.

-Dituria flet, mençuria dëgjon.

-Jam ai që do të vdesë kur koha të më vijë, ndaj më lini të jetoj jetën time sipas mënyrës që dua.

-Nëse jam i lirë, kjo vjen ngaqë gjithnjë largohem prej gjërave.

-Nuk mund të bësh gjëra të pabesueshme pa pasur ëndrra të tilla.

Please follow and like us: