Albspirit

Media/News/Publishing

A është i gabuar sulmi i Komisionit Europian mbi gjigantin e teknologjisë

 

Për shumë, nuk ka dyshim se kush është heroi dhe kush është i keqi në përballjen për taksat midis Brukselit dhe Apple. Loja me ligjet mbi taksimin përtej kufijve është rritur së tepërmi. Apple, me teprinë e saj në asete jo-materiale, me të cilët është më lehtë të manipulohet, ka qenë ndër më të zgjuarit për të shfrytëzuar boshllëqet. Një faturë prej 13 miliardë dollarësh plus interesat, shumë që Komisioni Europian thotë se Irlanda duhet ta rikuperojë nga firma si pasojë e shmangies së taksave, është sa buxheti i të gjithë shtetit në sektorin e shëndetësisë dhe mezi do të linte gjurmë në malin me para të kompanisë.
Por sulmi ndaj Apple po krijon pasiguri te bizneset, duke cenuar sovranitetin e shteteve anëtare të BE-së dhe duke prishur marrëdhëniet me Amerikën, vendin mëmë të kompanisë në fjalë, në një kohë që ekonomitë e mëdha janë duke harmonizuar ligjet kundër shmangieve të taksave, komenton The Economist. Frenimi i shmangies së taksave është një objektiv për t’u lavdëruar. Por, Komisioni po e bën këtë në mënyrën më joproduktive të mundshme.
Ai thotë se bashkëpunimi i Apple me Irlandën, që rezultoi me një normë takse tepër të ulët, vetëm 1-shifrore, i adresohet një trajtimi preferencial, duke dhunuar në këtë mënyrë ligjet mbi ndihmat shtetërore të BE-së. Komisioni u mbështet në një interpretim të zgjeruar të përdorimit të parimit të transferimit të çmimit që kompanitë shumëkombëshe tregtojnë me njëra-tjetrën.
Komisioni aplikoi arsyetimin e tij të ri mbi marrëveshjet e nënshkruara 25 vite më parë. Atëherë nuk kishte arsye që të mendohej se Apple do të penalizohej një ditë për këtë. Firma lidhi marrëveshje me një shtet sovran, i cili vazhdon ta mbrojë atë edhe sot e kësaj dite. Edhe nëse plani do të ishte ligjërisht i dyshimtë në atë kohë, do të kishte më shumë kuptim nëse pasojat do të binin mbi vendin që ofroi këtë marrëveshje se sa mbi kompaninë që e përfitoi. Sido që të jetë, firmat që kanë investuar në Europë do të kenë të drejtë të mendojnë që të tjera marrëveshje të arritura me qeveritë do të kenë pasoja prapavepruese. Irlanda vetë u vë frerin ndërhyrjeve në çështje që janë tipike për vendet anëtare të BE-së. Ajo po merr në konsideratë apelimin, për të cilin Apple ka deklaruar se do ta bëjë.

Më mirë të bashkuar
Duke përdorur argumente të reja për të pezulluar marrëveshjen e bërë shumë kohë më parë, komisioni nuk po ndihmon në luftën kundër shmangies skandaloze të taksave. Irlanda dhe të tjera vende po ushtrojnë presion ndaj BE-së, si p.sh. Luksemburgu dhe Holanda, për të mbushur boshllëqet e së kaluarës. Vitin e shkuar, Organizata Ekonomike për Bashkëpunim dhe Zhvillim (OECD), ndërmori një plan për hartimin e një sërë udhëzimesh për të goditur shmangien e taksave. Duke e bërë këtë gjë vetëm, komisioni rrit rrezikun për shtimin e konflikteve dhe jo të bashkëpunimit. Politikanët amerikanë me shpejtësi e gjykuan si një sulm për të zhvatur taksat, në një deklaratë të dhënë përpara se të jepej vendimi i Komisionit.
Disa shikojnë anën pozitive të kësaj gjëje. Paratë e paguara nga Apple dhe të tjera kompani amerikane ndaj qeverive europiane nuk do të shkojnë në arkat e taksave në vendet mëmë, fakti që politikanët europianë mund të fitojnë në kuriz të tyre, sikurse thonë optimistët, të paktën do të nxisë politikëbërësit amerikanë për të reformuar mangësitë e sistemit të tyre të kodit fiskal. Kompanitë amerikane janë të nxitura ndaj trukimit të taksimit si rrjedhojë e një norme të lartë të taksimit prej 35%, një sistemi botëror të taksimit dhe të provizionimit, që i lejon firmat që të shtyjnë pagimin e taksave deri në momentin kur të ardhurat riatdhesohen (rezulton se 2 trilionë dollarë para të korporatave fshihen jashtë vendit). Shkurtimi i normës, duke taksuar vetëm të ardhurat e gjeneruara në Amerikë do të inkurajojë firmat që t’i kthejnë paratë e tyre në atdhe dhe të zvogëlojnë dredhitë që inatosin kaq shumë Europën. Mjerisht, duket e pamundur. Komisioni ka hedhur një bombë, që mund të rezultojë në një luftë fiskale./Monitor/

Please follow and like us: