Albspirit

Media/News/Publishing

MBETJET E MBETJEVE DHE MBETJET E PLEHRAVE

SIMON ULNDREU

Lufta për mbetjet ka marrë përmasat e një konkurencë të ashpër midis vendeve të kontinentit. Kush më pak dhe kush më shumë po përpiqet të importojë sa më shumë mbetje në vendin e vet, pasi kudo, industria ricikluese paskërka nevojë për punë dhe për punëtorë!? Kaq shumë po i bëjmë jehonë avantazhit të importit të mbetjeve, sa ekziston edhe rreziku i rritjes së çmimit të tyre në burim, ekskluzivisht për Shqipërinē.

Ne nuk ishim të mirëinformuar, se industria ricikluese e mbetjeve qenkërka një bazë kaq e sigurt e ekonomisë sonë fitimprurëse. Mirëpo në një treg konkurues, ku fatin e përcakton kërkesa, oferta dhe politika e taksave, teorikisht i bie që lider i tregut të jetë industria më e kualifikuar, ajo që është me e fuqishme dhe ka më shumë përvojë. Kështu ndodh edhe me industrinë ricikluese. Më i fuqishmi mund të gllabërojë direkt ajkën e mbetjeve të çdo vendi. Por vendet e zhvilluara, që e njohin mirë kërcënimin e rrezikut mbi mjedisin, ndërmarrin herë pas here politika ekstreme mbi taksat e importit të mbetjeve, duke reduktuar përmbajtjen e listës së gjelbër nga njëra anë dhe duke stimuluar eksportin e tyre nga ana tjetër. Në këtë mënyrë, tregu i mbetjeve orientohet vetvetiu drejt vendeve të dobëta, karakteristikë e të cilave janë taksat e ulëta, monitorimi i dobët, personel i pakualifikuar, ndëhyrje e politikës në punët e shtetit, administrata e korruptuar dhe indiferenca publike. Ekzaktësisht, sipas logjikës ekonomike të problemit, ne e gjejmë veten në këtë pikë.

Kjo situatë, na jep shansin për të mbajtur në punë industrinë tonë ricikluese, bashkë me punonjësit e saj, madje për të investuar më tej, sepse kapacitetet thithëse të industrisë aktuale nuk do të mjaftojnë, për të përballuar kapacitetet e importit në të ardhmen. Si një industri e re, industria jonë ricikluese nuk do të mund të thithë asnjëherë ajkën e mbetjeve, sepse për arsyet që thamë, ajo është e destinuar për t’u ricikluar në vendet e origjinës, të cilat janë më të forta se sa ne. Pra, ajo që mbetet nga mbetjet, do të mbetet si lëndë e parë për industrinë tonë të riciklimit, pa përvojë, pa kualifikim dhe pa ndikim në tregun ndërkombëtar të mbetjeve, apo në industrinë globale të riciklimit.

Ndoshta ka ardhur koha, që edhe ne të veprojmë me zgjuarsi. Të përpunojmë 40-50 përqind të mbetjeve tona, ndërsa pjesën tjetër, plehrat e mbetura, t’i eksportojmë duke nxitur dhe shpërblyer me çdo çmim eksportin e tyre. Mirêpo, përderisa këtë nuk e mendon askush, mua nuk më mbetet gjë tjetër për të thënë, veçse ‘ec e gjyko,’ çfarë do të mbetet për ne, nga mbetjet e mbetjeve..?

Please follow and like us: