Udhëtim kozmik, brenda pikturave të Tylin Onat
Impresion nga Ekspozita e artistes pamore turke tek Galeria Kombtare e Arteve.
Beti Kumi
Larmia artistike vjeshtake shenjëzon edhe një artiste që vjen nga Turqia, për të shpalosur me dinjitet vlerat e saj. Tylin na fton të hyjmë në hapësira qiellore pa fund. Në mes të kuadrove te saj ndjehesh direkt në kozmos. Me rrumbullakësinë e formave, ngjyrat e plastikën ajo hyn në thellësitë misterioze planetare.
Hapësirat kozmike shpalosen në pjesëza të ndryshme si një melodi fragmentesh të ngjyrosura e të ndriçuara nga fantazia e Tylin, duke i dhënë forma jetësore. Ajo fluturon aq bukur dhe futet mistershëm një herë te labirintet njerëzore, e njëherë te ato kozmike, duke zbuluar me detaje qelizat e jetës tokësore dhe elementet e detajuar të strukturave kozmike.
Veprat e saj lëvizin larmishëm nga mikro bota tek makro bota, duke të krijuar një ndjesi reale të të qenurit brenda tyre.
Tek puna “Lindja”, të krijon ndjesinë e eklipsit në lëvizje. Pigmentet e ngjyrave që ajo përdor duken natyrale të gjalla e plot dritë. Konturet e saj të qarta e rrethore të krijojnë ndjesinë e planetëve ashtu si vetë ekspozita ka zgjedhur formën parake të rrethit.
Tek “Dërgesa” , ajo nis e shpërndan memorien e thellë të saj për të kërkuar grimca kujtese të humbura në kohë duke pritur që komunikimi me diellin të depërtojë në memorien kozmike për ta ripërtërirë arkivën e ëndrrave me imazhet e saj. Tek dielli i qendërzuar i kuadrit shohim se si në forme kromozomesh shpërndahen rrezet e tij për të arritur në destinacion.
Kjo artiste është shumë e përcaktuar tek personalizimi e karakteri i punëve të saj. Tek punimi “Forma të Metamorfozës” me krijoi ndjesinë e një bote të pastër ujore me bimësitë e saj të kthjellëta, ku nga momenti në moment, imagjinon turma peshqish të padukshëm, që notojnë brenda saj. Teknika e Tylinit aq sa e thjeshtë është e ndërlikuar por shumë reale.