Shqipëria tani në Google Street View
Google njoftoi sot lançimin e “Street View“ për Shqipërinë, duke u lejuar përdoruesve të shikojnë dhe të navigojnë 360° rrugët e qyteteve dhe vetë qytetet në të gjithë vendin.
Duke udhëtuar nga Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit në qendrën e zhurmshme të Tiranës, te Liqeni madhështor i Ohrit, dhe në vazhdim te Parku Kombëtar i Thethit, një zonë me bukuri natyrore të jashtëzakonshme dhe mrekullitë arkeologjike të Amfiteatrit të Durrësit, Shqipëria është sa e bukur aq edhe e pasur me histori. 360 imazhet panoramike tregojnë disa nga vendet më të rëndësishme turistike dhe historike si dhe bukuritë natyrore që ajo ka. Për të kapur këto imazhe, ne shëtitëm rreth 4.600 kilometra nëpër çdo qytet dhe krahinë në mënyrë që ju të mund të eksploroni virtualisht këtë vend të veçantë.
Shqipëria e Jugut, e njohur gjithashtu si riviera shqiptare ka peizazhe spektakolare, rërë dhe plazhe ishullore të tilla si Plazhi i Borshit ose Plazhet i Ksamilit që rivalizojnë ishujt e Greqisë dhe Kroacisë. Turistët nga Europa Jug-Lindore dhe Italia kanë vizituar këtë pjesë të Shqipërisë, për shumë kohë, por pjesa tjetër e Europës sapo ka filluar të zbulojë krahinën.
“Street View“ është një funksion falas shumë popullor i Google Maps që u lançua në maj të vitit 2007 dhe është tashmë në dispozicion në 77 shtete në të gjithë botën. Është gjithashtu i aksesueshëm në Google Earth dhe Google Maps për celularë.
Për të parë imazhet, kërkoni për një vend në Google Maps për celularë (të disponueshme si për Android edhe për iOS), dhe zgjidhni opsionin Street View për të hyrë në udhëtimin tuaj 360°. Ju mund të shikoni një hotel para se të mbërrini, të bëni planet e udhëtimit, të caktoni pika takimi, ose të kërkoni ndihmë sa herë që keni nevojë për të gjetur rrugën. Turistët nga e gjithë bota do të jetë në gjendje të kontrollojnë se si të shkojnë në plazhet më të bukura, vendet historike ose kulturore.
Kojan: Bizneset mund të përfitojnë nga teknologjia Street View
Helena Kesic Kojan, Menaxhere e Programit, “EMEA Street View Operations“ tha “se Street View do të hapë rrugët e bukura dhe qytetet e këtij vendi të mrekullueshëm për përdoruesit në mbarë botën. Tani bizneset dhe përdoruesit shqiptarë mund të gëzojnë shumë përfitime nga ky shërbim.” Shqiptarët dhe njerëzit në të gjithë botën mund të bëjnë planet e udhëtimit, të kontrollojnë një restorant para se të shkojnë, organizojnë pika takimi, ose vetëm të eksplorojnë dhe të njohin zonën më mirë.
Bizneset gjithashtu mund të përfitojnë nga teknologjia Street View duke vendosur Google Maps direkt në faqen e tyre falas, duke i ndihmuar ata të promovojnë një zinxhir hotelesh ose të rrisin ndërgjegjësimin për një dyqan, lokal apo restorant. Për shembull: një agjent i pasurive të patundshme mund t’i ofrojë klientëve të tij të mundshëm një pamje 360° të rrugës në të cilën ai ka një pronë për shitje. Turistët gjithashtu mund të kontrollojnë lehtësisht përpara festave destinacionin e saktë, hotelin dhe zonat përreth tij, ku ata mendojnë të kalojnë pushimet e shumëpritura.
Harito: Nismë që ndihmon në promovimin e turizmit
Milena Harito, Ministrja për Inovacionin dhe Administratën Publike është shumë e kënaqur të njoftojë se Shqipëria tashmë është pjesë e platformës Google Street View në mbarë botën dhe do të donte të falënderonte Google për veprimin e saj në Shqipëri që nga prilli 2016.
Përgjatë 8 javësh, Google ka mbledhur imazhe në Berat dhe Gjirokastër, dy qytetet pjesë e listës së trashëgimisë botërore, në qytetet e bregdetit të bukur Adriatik dhe Jon, në Durrës, Sarandë dhe Vlorë, në qytetet pranë liqeneve si Pogradeci dhe Shkodra, si dhe në qytete të tjera tërheqëse si Korça, Elbasani, Lezha, Fieri, dhe natyrisht kryeqytetin tonë Tiranën.
Google Street View e disponueshme në Shqipëri do të ndihmojë vizitorët nga e gjithë bota të zbulojnë vendin tonë të vogël por shumë të pasur, të kapërcejnë paragjykimet duke parë me sytë e tyre qytetet tona dinamike dhe brigjet tona të bukura, malet, liqenet dhe trashëgiminë kulturore, dhe do të kontribuojë, jam e sigurtë, që të ketë gjithnjë e më shumë njerëz që vizitojnë Shqipërinë. Por Google Street View do të lehtësojë edhe jetën e përditshme të qytetarëve shqiptarë duke u dhënë informacion në lidhje me vendndodhjen e saktë, planifikimin e udhëtimeve, vendet për t’u vizituar, etj.
Qeveria shqiptare është e angazhuar fort për të ndjekur bashkëpunimin me Google në mënyrë që të vërë në dispozicion së shpejti për qytetarët e saj dhe për shqipfolësit instrumenta të tjera të Google, siç është Google Adsense.
Dervishi: Google mbron privatësinë
Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Besnik Dervishi deklaroi se “Komisioneri për Mbrojtjen e Informacionit dhe të dhënave ka bashkëpunuar me përfaqësuesit e Google Street View me qëllim që aktiviteti i përpunimit nëpërmjet këtij aplikacioni të realizohet në përputhje me legjislacionin për mbrojtjen e të dhënave personale dhe respektimit të të drejtave të shtetasve shqiptarë në kuadër të mbrojtjes së privatësisë. Privatësia nuk mund të jetë opsion, Zyra e Komisionerit e garanton këtë të drejtë.”
Google ka arritur të mbrojë privatësinë duke lejuar të gjithë përdoruesit e Shqipërisë të përfitojnë nga ky funksion. Street View përmban vetëm imazhet që janë tashmë të dukshme nga rrugët publike. Si me të gjitha imazhet e Street View, para publikimit, Google do të aplikojë mjegullimin e fytyrave të njerëzve si dhe mjegullimin e targave për të gjitha këto imazhe me qëllim mbrojtjen e privatësisë së njerëzve. Pasi imazhet të jenë të disponueshme, njerëzit do të jenë në gjendje të raportojnë imazhet për t’i mjegulluar edhe më tej duke klikuar mbi “Raporto një Problem“ në këndin e majtë poshtë imazhit. Nga këtu ata plotësojnë një formular të shkurtër ku tregojnë imazhin e saktë që duan t’a mjegullojnë. Google është konsultuar gjerësisht me shumë grupe privatësie dhe komunitete për zhvillimin e këtij funksioni dhe ruajtjes së privatësisë.