Fenomeni Xhelal Tramp!
Nga Dritan LACI
Sot në mëngjes para se këmbët të më sillnin në punë, bëra të kthehem fillimisht te berberi im personal. Një burrë i shkurtër, me trup robust, pa qafë, nga ata që tehun e briskut të rrojës vazhdojnë ta mprehin me limë si qëmoti.
Një njohje gati 15 vjeçare ku sa herë ulem në karrigen e tij të berberhanes me lëkurë te pezhitur nga koha po aq herë hapim edhe sëndukun e lajmeve të vjetra dhe të reja. Berberi im, po e përvetësoj kështu, nuk ka portal lajmesh, por është aq i freskuar me informacionet më të fundit sa vështirë se mund ti shpëtojë gjësendi nga kjo rrumpallhanja ku ne jetojmë.
Çdo lajm të ditës ai e përcjell gjithmonë me një analizë të tij të shoqëruar në fund me një piskamë të thellë që buron nga fundi i bronkeve që mbyllet gjithmonë me një fjali: “Ah nuk bëhet ky vend more nuk bëhet”. Kështu edhe këtë herë pa u ngucur ti bënte rrotull, ndërsa më rregullonte përparësen e bardhë në grykë, pa një pa dy hyri direkt e në temë. “E more vesh,-më tha,-Donald Trumpin do e bëjnë qytetar nderi të Kamzës”. “Jo më jo,- ja prita sikur s’dija gjë,- kush kështu”. “Po ore po, madje thonë që aq shumë është gëzuar Donald Trump nga ky lajm sa pritet ti bëjë edhe një ftesë Xhelal Mziut në Shtëpinë e Bardhë” “Po këtë nga e lexove,- e qësendisa më tej”. “Eh se njeh Xhelalin ti. Ehuuu i pjell truri atij”. Dhe kështu Xhelal Tramp (Major of Kamza City), zuri vend natyrshëm këtë mëngjes në bisedën tonë.
Aq sa nisëm të flisnim edhe për cilësitë e Xhelal Tramp si njeri mendjehapur; Xhelal Tramp, Kryetari i një bashkie të vogël por me zemër të madhe; Xhelal Tramp, kryetari i një komuniteti të varfër por me shpirt bujar. Dhe nuk kishte sesi Xhelal Tramp të mos i meritonte gjithë këto lëvdata. A e dini pse? Sepse hollë-hollë Xhelal Tramp është i vetmi lider bashkiak të paktën në Europë që ka zgjedhur që heronjtë e rrugëve të lokalitetit të tij modest ti ketë të gjallë, të prekshëm, global, me peshë. Sepse ai është i vetmi që ka kuptuar që në këtë dynjanë tonë të humbur heronjtë e vdekur nuk i hyjnë në punë askujt. Madje të krijojnë kokëçarje të panevojshme në një vend ku heronjtë janë bërë të tillë ndërsa kanë ngrënë kokën e njëri-tjetrit.
Po kështu me gjenialitetin e tij Xhelal Tramp ka kuptuar se as shkrimtarët nuk do ti hynin në punë për emra rrugësh në një vend ku gjithmonë e më pak lexohen libra. Po kështu është i vetmi që ka kuptuar që as artistët nuk do vlenin për emra rrugësh, në një vend ku arti të le pa bukë.
Atëherë çfarë bën Xhelal Tramp? Si një mjeshtër i përkorë i Marketingut Global, si një politikan që ngrihet mbi përmasat e një lokaliteti modest si Kamza, shpik nga hiçi një çmim. “Donald Trump Qytetar Nderi i Kamzës”. Gjeniale po ta mendosh. Një ide që do ta kishin zili edhe strategët më të mëdhenj të PIAR-it. Një gjetje që e katapulton Xhelal Tramp në vëmendjen e mediave botërore. Aq sa të gjithë tani pyesin “Who is the famous major of Kamza City”.
Një goditje brilante me një gur ku Xhelal Tramp “vret” dy zogj. E shpall Kamzën prioritet të axhendës së Shtëpisë së Bardhë në katër vitet e ardhshme të drejtimit nga Donald Trump, ndërsa e faktorizon Xhelal Tramp si liderin më largpamës për momentin në Shqipëri….
I vetmi që na kthen buzëqeshjen në këto ditë, ku edhe njëherë Shqipëria mori një shuplakë fytyrës nga Europa. I vetmi që kupton që Europa nuk është më frymëzim. Por Amerika dhe Trampizmi janë vlerat nga duhet ti kthejmë sytë.
Ndaj le të brohorasim me Hosana. Rroftë Xhelal Tramp! Rroftë miqësia Kamëz-Shtëpia e Bardhë! Por si gjithmonë çdo bisedë e ka një fund me sherr. Kështu edhe unë me berberin tim personal. “Do të vijë Donald Trump ta marrë çmimin “Qytetar Nderi” në Bashkinë Kamëz apo do të shkojë Xhelal Mziu në Shtëpinë e Bardhë për tja dorëzuar”