Busek: Serbia duhet ta pranojë realitetin në Kosovë
Evropianët janë të preokupuar tepër me veten, pohon eksperti për Evropën Juglindore, Erhard Busek. Në intervistë me DW, Busek flet për Kosovën dhe vendet e tjera të Ballkanit e kërkon më shumë bashkëpunim mes fqinjëve.
DW: Zoti Busek, ju keni shoqëruar dhe përcjellë shumë procese në Ballkanin Perëndimor në 10 vitet e fundit. Si e shihni sot këtë rajon?
Erhard Busek: Do të befasoheni ndoshta, por Evropa Juglindore është sot më stabile. Në pjesë të ndryshme të kontinentit ka shumë lëvizje, por në këtë rajon ende mund të parashikohen gjërat dhe lëvizjet. Mendoj se kjo është mirë. Rajoni ka pësuar ndryshime dramatike, siç ishte shkatërrimi i ish-Jugosllavisë. Një sfidë tjetër është zhvillimi demokratik dhe ky rajon është mu në mes të këtij procesi.
Cilat janë njohuritë më të rëndësishme nga zhvillimet e viteve të fundit në Ballkan?
Ne duhet të bëjmë diçka në fushën e edukimit profesional. Kjo është një prej mangësive të Bashkimit Evropian, sepse ai ka pak kompetencë në këtë fushë. Në fushën e arsimit dhe përgatitjes profesionale duhet të bëhet shumë më shumë. George Soros ka bërë disa gjëra për një kohë të gjatë, ka angazhime të tjera, si për shembull European Fund of the Balkans. Por me siguri që kjo nuk mjafton.
Mendoni arsimi në përgjithësi, apo raporti me mediat?
Të dyja. Arsimi por edhe raporti me mediat sociale, si një problem i cili kërkon drejtim. Politika e ka kuptuar menjëherë se si duhet të përdoren rrjetet sociale, për të tërhequr vëmendjen e njerëzve.
Çfarë duhet bërë?
Pasi që ne evropianët për fat të keq gjithnjë e më shumë po merremi me veten, në këtë drejtim po ndodh pak. Dialogu dhe trajtimi i problemeve të përbashkëta me fqinjët. Ndaj është e domosdoshme që të kuptohen edhe problemet e fqinjëve, sepse kjo influencon gjendjen edhe tek ne.
Si i vlerësoni proceset politike në Serbi, cila është kandidate për anëtarësim në BE?
Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është duke mbajtur një linjë të mençur, sepse në këtë vend kemi një konkurrencë të madhe mes Rusisë, Turqisë dhe Kinës, të cilat duan ta influencojnë atë, secila në drejtimin e vet. Por mbetet problemi i Kosovës (e cila në vitin 2008 ka shpallur pavarësinë nga Serbia dhe të cilën Beogradi nuk e njeh). Ky problem edhe më tej ka një potencial të madh shpërthimi, në krahasim me problemet e tjera. Ndonëse zgjidhja është e lehtë. Por këtu kërkohen më shumë pjekuri.
Si mund të zgjidhet ky problem?
Zgjidhja do të ishte pranimi i realitetit dhe qasja e drejtë ndaj saj. Çdo përpjekje për përfitime nga kjo situatë, si për shembull në zgjedhje, nuk është ndonjë argument. Mospranimi i Kosovës rezulton me rritjen e kontrabandës dhe probleme të tjera. Përparësia e madhe e Bashkimit Evropian do të ishte bashkëveprimi me masa të ndryshme, që ka të bëjë edhe me kontrollin e kufirit. Por ne me siguri që kemi bërë pak për të forcuar kapacitetet e këtyre vendeve!
Situata problematike është edhe në një vend tjetër të Ballkanit: Maqedoni, ku me 11 dhjetor do të mbahen zgjedhjet paralmentare. Në pranverë kanë nisur atje protestat e mëdha kundër qeverisë, e cila krikohet për veprime të shumta.
Po, kritikat ndaj qeverisë janë me vend. Problemi më i madh vjen nga fakti që ende (me Greqinë) nuk është zgjidhur çështja e emrit. Këtu qëndron përplasja e vërtetë. Maqedonia duhet të ekzistojë. Vendet evropiane këtu me siguri që kanë ushtruar pak presion, për të gjetur një zgjidhje të përbashkët, sepse gjendja do të ishte më stabile. Kështu, atje kemi një situatë të pasigurtë, e cila e ngarkon edhe politikën. Shqiptarët duan natyrisht të kenë një perspektivë evropiane dhe në këtë drejtim po bëjnë presion. Situata në anën tjetër nuk është stabile. Fakti që bullgarët pretendojnë se maqedonët janë bullgarë dhe që grekët flasin për Aleksandin e Madh, nuk e ndihmon zgjidhjen e problemit. Ajo që njerëzit duan është hapja e vendeve të punës, lufta kundër korrupsionit dhe vendosja e një sistemi juridik, në kuptimin e plotë të fjalës.
Erhard Busek (ka lindur me 1941) angazhohet prej vitesh në Ballkan. Ai është kryetar i Institutit për Hapësirën e Danubit dhe Evropës së Mesme dhe koordinator i Iniciativës për Bashkëpunim në Evropën Juglindore (SECI). Ai ka qenë ministër dhe zëvendëskancelar në Austri, ndërsa prej 2002 – 2008 koordinator i Patktit të Stabilitetit për Evropën Juglindore.