Albspirit

Media/News/Publishing

Përforcohen dyshimet mbi vdekjen e Nako Spirut, u vra apo u vetëvra, ja çfarë u zbulua nga zhvarrimi i eshtrave

Kohët e fundit në shtyp ka pasur disa artikuj mbi vdekjen e Nako Spirut, një nga drejtuesit e regjimit komunist në vitet e para të tij. Në vendin tonë ka mjaft ngjarje, sidomos ato të lidhura me vdekje kriminale që kanë mbetur të pazbuluara apo të pasqaruara.

Kështu p.sh. një pjesë e madhe e kufomave të viktimave të diktaturës komuniste, nuk janë zbuluar ende. Në mjaft raste, viktimat kanë qenë vetë drejtuesit e lartë komunistë që kanë shfaqur mendime të kundërta me ato të regjimit, ose dhe për arsye të sajuara, mbi ta është ushtruar një presion i madh që i ka detyruar të vrasin veten. Pra, vetëvrasje kjo që është konsideruar si një protestë e individit kundër dhunës dhe regjimit diktatorial.

Por vetëvrasja në regjimin komunist është konsideruar një veprim i dënueshëm. Prandaj në mjaft raste, suicidi ka qenë i dyshimtë, sepse mund të ketë qenë një vrasje që është paraqitur gjoja si vetëvrasje, me qëllimin që dënimi i viktimës disidente e regjimit, të ishte edhe më i ashpër. E tillë mund të ketë qenë edhe vdekja e dyshimtë e Nako Spirut, në vitin 1947, ndoshta vetëvrasja e parë e një drejtuesi të lartë të shtetit të ri komunist të vendit tonë. Ka shumë shkrime mbi rrethanat e vdekjes së tij të paraqitura me hollësi kohët e fundit në shtyp, por që nuk mund të përcaktohet në mënyrë të sigurt saktësia e tyre. Përveç tyre, unë do të paraqis edhe të dhënat e një këqyrjeje identifikuese të mbetjeve kockore të Nako Spirut, të kryer prej meje në njërën nga pesë lëvizjet që u është bërë atyre pas vdekjes. Dua të shtoj se në vendet e tjera, në mediat dhe shtypin e tyre të përditshëm janë dhënë përshkrime të hollësishme të rasteve të tilla të ngjashme. P.sh., përshkrimi i autopsisë të presidentit të ShBA, J. Kennedy, i vrarë në vitin 1962, apo përshkrimi i hollësishëm i mbetjeve kockore të carit Nikollaj të Rusisë dhe familjes së tij, të ekzekutuar në vitin 1919 nga bolshevikët, por që u arrit të zbuloheshin dhe identifikoheshin pas viteve 1990.

Në këto raste, publikimi i të dhënave me karakter mjekësor apo mjekoligjor që ndihmon në sqarimin e plotë të ngjarjeve të mëparshme historike të vendeve të ndryshme, sidomos për ato që kanë pasur të bëjnë me vdekje kriminale, nuk përbën një shkelje të sekretit mjekësor. Në vendin tonë, vdekja e Nako Spirut do të konsiderohet një ngjarje e tillë, e cila ja vlen të analizohet.

Kush është Nako Spiru për vendin tonë?

Sipas motivacionit të urdhërit të lartë “Nderi i Kombit”, akorduar Nako Spirut nga presidenti i Republikës së Shqipërisë në vitin 2002, ai është vlerësuar: “Organizator, frymëzues dhe drejtues kryesor i Rinisë Antifashishte Shqiptare, një nga udhëheqësit më të shquar të Lëvizjes Antifashiste Nacional Çlirimtare në Shqipëri. Luftëtar i vendosur për ruajtjen e pavarësisë së vendit pas luftës dhe për futjen e tij në rrugën e progresit. Intelektual i shquar, publicist i talentuar, që gjithë dijen e tij e vuri në shërbim të një të ardhmeje më të mirë e më të drejtë”.

U lind në qytetin e Durrësit në vitin 1917; u shkollua në Institutin Italian në Korfuz dhe Fakultetin Ekonomik të Torinos në Itali. Në luftën Nacional Çlirimtare ka qenë udhëheqësi i Rinisë dhe një nga udhëheqësit e kësaj lufte. Pas çlirimit të vendit, ai u angazhua në drejtimin e tij duke patur postet e ministrit të Ekonomisë dhe kryetarit të Komisionit të Planit të Shtetit deri në vdekjen e tij në vitin 1947.

Cilat janë rrethanat e vdekjes së tij?                                                                           

Më datat 18-20 Nëntor 1947, në mbledhjet e byrosë politike të komitetit qendror të partisë komuniste shqiptare, Nako Spiru që mbante postet e ministrit të ekonomisë dhe kryetarit të komisionit të planit të shtetit, kritikohet rëndë nga Enver Hoxha, madje duke u cilësuar si një tradhtar i Partisë dhe i padenjë për të qenë në udhëheqjen e saj, të gjitha këto akuza vetëm se nuk ishte dakord me aneksimin e plotë të Shqipërisë nga Jugosllavia dhe kërkonte që vendi ynë ta ndërtonte ekonominë e tij pa ndihmën e saj, pra i shkëputur nga Jugosllavia. Në këtë situatë, sipas versionit zyrtar, në orën 20.00 të datës 20 Nëntor 1947, në zyrën e tij në komisionin e planit të shtetit, ai qëllon veten me armë zjarri. Në gjendje shumë të rëndë sillet urgjent në spitalin e Tiranës, ku sipas dokumenteve mjekësore dhe dëshmive, megjithëse ai u reanimua dhe ju dha gjak me qëllim që të bëhej e mundshme ndërhyrja kirurgjikale, kjo gjë nuk u arrit dhe në orën 02.00 të datës 21 Nëntor 1947, ai dha shpirt.

Në ndjekjen e tij në spital nuk rezulton ndonjë e dhënë se ndaj tij nuk është treguar kujdesi i duhur mjekësor me qëllim që të shpejtohej vdekja, siç aludohet në shtypin tonë që mund të ketë ndodhur në raste të tjera të ngjashme.

Dr. Fejzi Hoxha, mjek i udhëheqjes së lartë të vendit tonë, në kujtimet e tij tregon se, personat e sigurimit silleshin nëpër këmbë duke ndjekur çdo lëvizje të njerëzve e në veçanti të mjekëve në rastin e Nako Spirut. Sipas Bedri Spahiut, prokuror i përgjithshëm në atë kohë, Nako Spiru, përpara se të jepte shpirt ai ka arritur t’i flasë atij, duke i thënë: “Më lini të vdes, nuk dua të shërohem”.

Të gjitha këto materiale të shtypit që janë dhënë deri tani, po kështu edhe ato që do jepen më pas, pa pretenduar që ato janë të sakta me siguri të plotë, unë po përpiqem t’i analizoj për të dhënë mendime apo për të bërë supozime mbi vdekjen e Nako Spirut.

Kështu, sipas një punonjësi të një prej zyrave të Komisionit të Planit të Shtetit që e kishte ruajtur kolltukun ku kishte qëndruar Nako Spiru në momentin që kishte ndodhur qitja vdekjeprurëse me armë zjarri, ai tregon se kolltuku ishte prej meshini me ngjyrë të zezë dhe në ndenjësen e tij ndodhej një vrimë që ai mendonte se ishte shkaktuar nga plumbi. Më pas, ky kolltuk u modifikua nga një marangoz, i cili zbuloi në dërrasën e shpinës së këtij kolltuku një kanal me drejtim të pjerrët rreth 45˚, në fundin e të cilit u gjet një plumb, që u mendua prej tij dhe punonjësit të zyrës, që ai duhej të ishte plumbi me të cilin u qëllua Nako Spiru. Këtë plumb, ata ja dorëzuan ish-bashkëshortes së Nako Spirut, znj. Liri Belishova. Nga ana e saj, znj. Liri Belishova tregon se ka ruajtur veshjen që Nako Spiru ka patur në momentin e ngjarjes: një kostum prej stofi me ngjyrë gri e çelur, një bluzë, një këmishë e përgjakur me vrimat e plumbit: hyrëse dhe dalëse (hyrja sipër gjoksit afër zemrës, dalja – poshtë kafazit të kraharorit në zonën e veshkave).

Cilat janë të dhënat e dëmtimeve të kufomës?                                                           

Sipas dëshmisë së Dr. Fejzi Hoxhës, plumbi kishte përshkuar zonën para zemrës, cipën mbështjellëse të saj, kishte dëmtuar një arterie të rëndësishme të mushkërive, diafragmën, shpretkën, kolonin transvers dhe kishte qëndruar diku në shtyllën kurrizore.

Në të vërtetë ky përshkrim i Dr. Fejzi Hoxhës, mendoj se nuk duhet të jetë krejt i saktë, për një plagë arme zjarri të zakonshme, sepse sipas organeve të prekura në versionin e tij, rruga e plumbit duhet të ketë pasur në fillim një drejtim nga para prapa dhe nga sipër poshtë dhe anash (pak a shumë e ngjashme me drejtimin e pjerrët të kanalit të plumbit në dërrasën e kolltukut) dhe në fund kur ka përfunduar në shtyllën kurrizore që ndodhet më brenda, ka ndryshuar disi drejtimin, pra tani jo në një vijë të drejtë, siç duhet të jetë një kanal arme zjarri të zakonshme, por një vijë e lakuar, apo me kënd. Ky variant i fundit mund të ishte i vërtetë, nëse predha do të kishte bërë një rikoshetë të brendshme.

Por kjo gjë nuk është arritur të vërtetohet. Siç duket Dr. Fejzi Hoxha, i ka nxjerrë këto të dhëna nga ekzaminimi klinik dhe ndofta ai radiologjik i viktimës para vdekjes. Pra ato janë të pambështetura, nga të dhënat e një autopsie mjekoligjore, dokumenti i të cilës nuk figuron në dosjen hetimore të këtij rasti. Ka shumë mundësi që autopsia të mos jetë kryer fare, gjë që dëshmohet edhe nga fakti që gjatë këqyrjes të mbetjeve kockore të Nako Spirut, të kryera nga ana jonë në njërën prej lëvizjeve të varrit të tij, nuk u konstatua sharrimi i kapakut kafkës, që konsiderohet si një nga veprimet rutinë të çdo autopsie mjekoligjore.

Në fakt, kjo këqyrje mjekoligjore e këtyre mbetjeve kockore, u krye nga unë, më shumë për të vënë në dukje shenjat identifikuese të seksit dhe moshës, të cilat përputheshin me ato të Nako Spirut, se sa dëmtimet e tyre.

Sidoqoftë, eshtrat në përgjithësi dhe sidomos ato të trupit: brinjët, vertebrat etj. rezultuan shumë të ngrëna dhe të shkatërruara, kryesisht nga veprimi për një kohë shumë të gjatë i faktorëve dekompozues të mjedisit përreth mbi to. Midis tyre me aq sa u pa nga ana jonë, nuk u arrit që të zbulohej ndonjë predhë ose pjesë predhe të një qitjeje me armë zjarri.

Kështu, këto të dhëna paraprake deri tani, nuk arrijnë të vërtetojnë versionin e ngritur në shtyp, sipas të cilit, vdekja e Nako Spirut është shkaktuar nga dy qitje me armë zjarri, ku përveç predhës të gjetur në kolltuk, duhet të ketë qenë edhe një predhë tjetër që ka mbetur brenda në trup, por që nuk u arrit të zbulohej në mbetjet kockore apo edhe që mund të ketë humbur gjatë lëvizjeve të shumta, ndofta të pakontrollura që i janë bërë këtyre mbetjeve kockore. Në favor të versionit që ka pasur vetëm një qitje me armë zjarri dëshmon edhe prania në foton e këmishës nga përpara vetëm të një dëmtimi, të ngjashëm me atë të një vrime hyrjeje plage me armë zjarri. Në të vërtetë, diskutimi që është qëlluar një apo dy herë me armë zjarri viktima Nako Spiru, nuk ka asnjë vlerë shkencore për të diferencuar vrasjen nga vetëvrasja, sepse nga pikëpamja mjekoligjore, vetëvrasja mund të kryhet jo vetëm me një qitje, por edhe me dy ose më shumë qitje me armë zjarri, sidomos kjo, kur preken pjesët e trupit që nuk shkaktojnë vdekje të menjëhershme, siç është edhe ky rast.

Nga shqyrtimi i të gjitha këtyre informatave jo të plota, mungesës së kryerjes së autopsisë menjëherë pas vdekjes së viktimës si dhe materialeve të shtypit jo 100% të besueshme, mund të supozohet që vdekja e Nako Spirut ka ndodhur nga një plagë qitjeje me armë zjarri në trupin e tij, me vrimën e hyrjes në pjesën e përparme dhe të majtë të gjoksit dhe atë të daljes nga prapa në regjionin ku janë veshkat, sipas një kanali që duhet të ketë prekur zemrën, mushkëritë, enët e mëdha të gjakut, diafragmën, shpretkën, zorrën e trashë (koloni transvers) etj. Vdekja ka ardhur për shkak të hemorragjisë (shoku hemorragjik) që nuk është arritur të dominohet dhe se drejtimi i kalimit të predhës në trupin e viktimës ka qenë nga para prapa dhe nga sipër poshtë.

Përsa i përket formës mjekoligjore të vdekjes, zyrtarisht ajo është përcaktuar në fillim si një vrasje aksidentale (arma kishte shpërthyer në kohën që viktima po e pastronte) dhe më pas si vetëvrasje sepse ndodhi ndofta nga tronditja nervore që Nako Spiru duhet të ketë pasur nga presioni që ju bë, duke u cilësuar si tradhtar i Partisë, sepse kundërshtoi nënshtrimin e vendit tonë ndaj Jugosllavisë etj.

Megjithatë, ky version, nuk rezulton të jetë shoqëruar me një letër lamtumire, që shkruajnë zakonisht viktimat para se t’i japin fund jetës së tyre.

Më vonë, sidomos, pas viteve 1990, në shtypin tonë ka shumë shkrime që e cilësojnë vdekjen e Nako Spirut si vrasje. P.sh., sipas K. Dervishit, “personat kryesorë që mbetën gjallë nga kjo vdekje, megjithë peripecitë që hoqën, nuk patën kurajo as në fund të jetës së tyre të pohonin se Nako Spiru u vra”.

Në një prononcim tjetër, K. Dervishi, midis të tjerave shkruan se: “u morën masa që në spital të mos hynte njeri, madje as bashkëshortja, deri sa të mundësohej vrasja. Dëshmitari Dh. S., me punë në Komisionin e Planit të Shtetit e kishte parë gjithë skenën, por i ngarkuar me vrasjen nuk ka mundur ta fiksojë, për shkak të hutimit që e ka kapur. Dhe kjo jo pa shkak. Vrasjen ia kishin ngarkuar atij pa dëshirën e tij. Thjesht kishte kryer detyrën ndaj Partisë”.

Nga pikëpamja mjekoligjore dhe kriminalistike, argumenti kryesor që dëshmon për versionin e vrasjes, padyshim që është drejtimi i pjerrët që duhet të ketë pasur kalimi i predhës në trupin e viktimës, sipas dëshmisë së Dr. Hoxhës që përputhet me atë të marangozit të kolltukut ku duhet të ketë qenë ulur Nako Spiru, në momentin që është qëlluar me armë zjarri. Zakonisht, një vrasës më këmbë që qëllon në trup nga përpara një viktimë të ulur në karrige apo kolltuk, duke qenë se është në një pozicion më lart se viktima, i shkakton një plagë arme zjarri me drejtim të pjerrët, sikurse duhet të ketë qenë edhe ajo e rastit të Nako Spirut. Ndërsa në një qitje të zakonshme me qëllim vetëvrasjeje të kryer nga viktima me dorën e saj, zakonisht duhej të ishte shkaktuar një plagë arme zjarri horizontale.                                                                                                                            Në fakt, të gjitha këto shpjegime të dhëna prej meje, të mbështetura kryesisht në materiale të shtypit, ndofta jo plotësisht të vërtetuara, nuk kanë një vlerë të mirëfilltë shkencore.

Për një vërtetim të saktë mjekoligjor të këtij rasti është e nevojshme, një ekzaminim i hollësishëm mjekoligjor dhe kriminalistik, i teshave dhe plumbit që mendohet se ka vrarë Nako Spirun, pasi të jetë provuar më parë autenticiteti i plotë i tyre me anën e ekzaminimit krahasues të ADN-së, ai i mbetjeve kockore, përcaktimi i distancës së qitjes në bazë të ekzaminimit të indeve të teshave rreth dëmtimeve të tyre etj., të gjitha këto në bashkëpunim me laboratorë të specializuar të vendeve të zhvilluara.     Në vendet e tjera me një histori të gjatë disa qindravjeçare, në kohën e sotme, shpesh për ngjarje të kaluara të mbetura të panjohura me shekuj të tërë, sot nëpërmjet ekzaminimeve të hollësishme shkencore forensike, ato janë sqaruar.

P.sh., zbulimi 170 vite pas vdekjes të Napoleon Bonopartit, që vdekja iu shkaktua atij nga helmimi kriminal kronik me arsenik dhe jo nga sëmundje të stomakut, siç mendohej më parë (ekzaminimet gjenetike u kryen në laboratorët e FBI në SHBA).

Po kështu, rasti i djalit me moshë të vogël të mbretit të fundit të Francës Luigji 16 dhe gruas së tij, mbretëreshës Maria Antuaneta, që vdiq pas ekzekutimit me prerje koke të prindërve të tij. Nga pikëpamja historike, për fatin e tij përmendej si fakt historik edhe versioni që fëmija i vërtetë i mbretit të Francës, pas vdekjes së prindërve, ishte dërguar në SHBA, për t’i shpëtuar persekutimit të revolucionit dhe në vend të tij ishte paraqitur e vdekur, kufoma e një fëmije tjetër. Ekzaminimi krahasues me anën e ADN-së të indeve të zemrës së kësaj fëmije që ruhej në një kishë dhe flokëve të kokës së Maria Antuanetës, i kryer në vitet 2000, pra mbi 200 vjet pas vdekjes, vërtetoi me saktësi, që ky djalë ishte fëmija e saj e vërtetë. Edhe në shtetin tonë, historia e të cilit nuk është aq e gjatë sa ajo vendeve të tjera, ka shumë momente apo ngjarje, sidomos ato me vdekje kriminale që kanë mbetur të pasqaruara, ku një prej tyre padyshim është dhe ajo e vdekjes së Nako Spirut. Të dhënat dhe dyshimet e mia të paraqitura për këtë rast, që për fat me sa duket ka prova të shumta të ruajtura, shpresoj që të nxisin organet tona shtetërore përkatëse, që të organizojnë kryerjen e ekzaminimeve forensike, të shoqëruara me një shqyrtim të hollësishëm të dokumentacionit përkatës, për të vërtetuar me saktësi nëse Nako Spiru, ky udhëheqës dhe personalitet i shquar i vendit tonë, vrau vërtetë veten me dorën e tij apo u ekzekutua nga një vrasës.

Nga Prof. Dr. Bardhyl ÇIPI*

*Ekspert mjekoligjor

Please follow and like us: