Dominique MOISI: Kërcënimet e Europës: Populizmi, Rusia, Terrorizmi
Europa dhe bota kanë mbi shpatulla shumë kërcënime. Por në vend që të lejohet frika të drejtojë vendimet tona, është koha që të bëjmë zgjedhje të mençura, të guximshme dhe të menduara mirë
“Më thuaj kujt i druhesh, të të them se çfarë të ka ndodhur,” shkroi psikologu D.W. Winnicott në fillim të shekullit të njëzet. Tingëllon e drejtpërdrejt, derisa merren në konsideratë se çfarë ka ndodhur dhe se cilës duhet t’i druhemi.
Diversiteti i gjerë i kërcënimeve më të cilat përballet bota sot i jep zë farsave tragjike të Luigi Pirandello. Në Perëndim, disa përqendrohen te ekstremizmi fetar – në veçanti, terrorizmi që thuhet se kryhet në emër të islamit.
Të tjerë ia vënë gishtin Rusisë, duke paralajmëruar për një luftë të ftohtë të re, tashmë e dukshme në Europën Lindore dhe sferën kibernetike. Megjithatë, të tjerë, duke nënvijëzuar rritjen e populizmit të djathtë në SHBA dhe pjesë të tjera të Europës, deklarojnë se rreziqet e vërteta gjenden aty.
Edhe ata që i pranojnë të gjitha këto kërcënime kanë vështirësi t’i japin prioritet – gjë që është shumë e rëndësishme për t’i zgjidhur ato. Nëse, le të themi, terrorizmi islamik është kërcënimi kryesor, atëherë ka kuptim që Perëndimi të bashkëpunojë me Rusinë për ta luftuar atë.
Por çfarë nëse është kërcënimi më i madh populizmi i ekstremit të djathtë, që mesa duket Kremlini e mbështet aktivisht? Në këtë rast, bashkëpunimi me Rusinë do të ishte shkatërrimtar për demokracinë liberale të perëndimit. Në fakt, ekzagjerimi i kërcënimit të terrorizmit islamik, ndërsa nënvlerësohet kërcënimi i populizmit të djathtë, mund t’i sjellë dobi presidentit rus Vladimir Putin.
Vështirësia për t’i dhënë prioritet kërcënimeve nuk është vetëm e perëndimit. Në Lindjen e Mesme vendet po përpiqen të kuptojnë se kush duhet frenuar. Mes kryesorëve janë Shteti Islamik, Irani dhe Izraeli.
Për Izraelin (dhe Arabinë Saudite) përgjigja është qartazi Irani. Për Iranin, përgjigjja është Izraeli (pavarësisht tensioneve të larta me Arabinë Saudite). Perëndimi, gjithashtu ka mundësi zgjedhje në këtë çështje: Bashkimi Europian është i bindur se ISIS duhet të jetë prioriteti kryesor. Disa muaj më parë, SHBA do të binte dakord, por presidenti Donald Trump pavarësisht se e citoi ISIS një synim kryesor të politikës, mund të përgatitet gjithashtu të luftojë në anën e Izraelit për të frenuar Iranin.
Në Azi, gjithashtu, vendet e kanë të vështirë të rendisin rreziqet me të cilat përballen. Duhet të përqendrohen te regjimi i Koresë së Veriut që është më i paqëndrueshëm se kurrë dhe që ka lançuar së fundmi një raketë balistike drejt detit të gjirit lindor? Apo duhet të mbajnë sytë nga Kina, që po zgjerohet si në influencë rajonale dhe në pretendimet revanshiste?
Për Japoninë dhe Korenë e Jugut, Koreja e Veriut duket prioriteti kryesor. Por për Vietnamin, Indonezinë dhe Singaporin, është e vështirë të përcaktohet nëse Koreja e Veriut është një kërcënim më i madh sesa Kina gjigante dhe gjithnjë e më nacionaliste. Pa përmendur rreziqe të tjera akute si mosmarrëveshjet mes dy fuqive bërthamore vendase, Pakistanin dhe Indinë.
Kur vjen puna për të renditur kërcënimet e sotme, nuk ka përgjigje të lehta. Por nëse nuk i gjejmë, rrezikojmë të përsërisim disa nga gabimet më të mëdha në histori.
Filozofi francez Paul Valéry besonte se historia nuk na mëson asgjë “sepse ajo përmban gjithçka dhe jep shembuj të gjithçkaje”. Por, në këtë pikë, është e vështirë të mos bësh shembuj historik, veçanërisht në Europë.
Në fund të shekullit 19, nacionalizmi në rritje përforcoi një periudhë revolucionesh dhe luftërash civile. Në vitet 1930, rritja e populizmit në Europë i hapi rrugën katastrofës. Shumë europianë, të frikësuar nga “të kuqtë” u përgatitën të bëjnë kompromis me “të kaftët”. Nuk u desh shumë të zbulohej se çfarë kërcënimi paraqisnin nazistët.
Mësimi është i qartë. Në vend që të përpiqemi të prioritizojmë kërcënimet që kemi përballë – duke vënë një synim para një tjetri – duhet t’i zgjidhim të gjitha njëkohësisht. Siç thoshte kryeministri izraelit i vrarë, Yitzhak Rabin, duhet ta luftojmë terrorizmin sikur të mos kishte proces paqeje dhe të ndjekim paqen sikur të mos kishte terrorizëm.
Beteja kundër terrorizmit islamik është e rëndësishme, por nuk duhet të lënë në errësirë – jo më të pengojë – rëndësinë për të mbrojtur demokracitë tona nga kërcënimi i populizmit të djathtë. Pranimi, për shembull, i fitores së Marine Le Pen nga Fronti Kombëtar në zgjedhjet presidenciale të Francës, duke argumentuar se të paktën ndaluam islamizmin radikal, është shpërfillje e leksioneve të historisë – dhe në fakt shpërfillje e realitetit.
ISIS mund të ketë lindur nga kultura e poshtërimit dhe të ketë marrë nxitje nga shpirti i hakmarrjes, si nazizmi, por nuk ka burime industriale apo ushtarake si Gjermania e viteve 1930. ISIS nuk është “nazizmi modern” që duhet t’i frikësohemi; është terrorizëm që, sipas Rabin, duhet ta luftojmë.
Paqja të cilën duhet ta ndjekim është në vendet tona. Të lejojmë populizmin e djathtë të vazhdojë përparimin është t’i dorëzohesh frikës, në vend që të sillesh siç duhet ndaj një analize të qartë të interesave tona dhe mbi të gjitha, të vlerave tona. Është të bësh kompromis me të keqen nga frika e të këqija të tjera.
Ishte një kohë, jo shumë më parë, kur BE-ja – një model i pajtimit, paqes dhe begatisë – frymëzonte vendet nga Amerika Latine te Azia. Sot, Europa, bashkë me SHBA-në dikur të respektuar, është një model i frikës – dhe po tremb edhe të tjerët. Nëse europianët nuk gjejnë zgjidhje të mençura – me guxim, dedikim dhe qartësi – për kërcënimet me të cilat përballen, kush do ta bëjë?/Project Syndicate/