Albspirit

Media/News/Publishing

Besart KADIA: Rama, i fundit lider i tranzicionit në Shqipëri

Gjatë verës së shkuar, kur i vetmi diskutim në SHBA ishte fenomeni Trump në zyrat e “Interntional Republican Insitute” në Washington DC, në bashkëbisedim me autoritete që ndjekin politikën shqiptare, m’u tha se “me ardhjen e lidershipit të ri në Partinë Demokratike, e ndjekur me largimin e Edi Ramës nga politika, mbaron dhe tranzicioni politik i Shqipërisë”.

Edi Rama, pavarësisht përpjekjes së tij për t’u dukur modern me të gjitha aktet e tij publike, ka pasur të njëjtën qasje ndaj pushtetit politik, siç do të shkruaj më poshtë, si çdo lider postkomunist në Europën Lindore. Pavarësisht retorikës së tij se ai do t’i jepte fund tranzicionit politik dhe ekonomik në vend, Edi Rama është në fakt produkt kryesor i saj dhe ai si për ironi mund t’i japë fund tranzicionit vetëm me largimin e tij nga skena politike në vend. Në teori të politikës, demokratizimi ka këto tri hapa: rënia e regjimit autoritar, demokratizimi i hershëm që përfshin akte të tilla si zgjedhje shumë- partiake dhe konsolidimi i demokracisë. Është pikërisht kjo e fundit që bën shumë shtete të mbeten ndërmjet autoritarizmit dhe demokracisë. Nga të dhënat e “Freedom House” shihet se sot janë thuajse 100 shtete në botë që janë në mes të këtyre ekstremeve të organizimit politik. A mund t’i quajmë këto shtete autokratike, pseudodemokraci, apo në tranzicion etj.? Këto pyetje mundojnë më shumë se 2.4 miliardë njerëz sot në botë, të cilët nuk jetojnë në shtete demokratike.

Dëshirës për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetjeje ndodhen edhe shqiptarët, dhe shumë banorë të disa shteteve të tjera të Ballkanit akoma dhe sot. Në këtë kuptim, nuk mundet të thuhet se Edi Rama solli një shtet autoritar në Shqipëri, pasi është e vërtetë se Edi Rama nuk ka çuar në burgosje politike të kundërshtarëve të vet në vend, apo nuk ka përdorur ushtrinë, apo mjete të tjera të dhunshme për të ardhur në pushtet. Çdo akuzë e tillë do të ishte larg realitetit. Por shumë shtete në botë janë sot në “autoritarizëm zgjedhor”, ku jepet iluzioni i një demokracie me shumë parti politike që konkurrojnë në zgjedhje vendore dhe të përgjithshme, por që në fakt i ka zhveshur zgjedhjet nga vlera e tyre, pasi ndërhyrja shtetërore është e tillë. Shqipëria ndodhet në udhëkryqin e krijimit të shtetit të ndërmjetëm mes autoritarizmit dhe demokracisë që rrezikon të anojë më tepër drejt “autoritarizmit zgjedhor”. Demokraci e plotë liberale nënkupton që njëkohësisht të kemi tri kushte: një sistem politik që ka pjesëmarrje politike, konkurrencë politike, si dhe të drejta politike për njerëzit. Por të tri këto parakushte kanë dështuar në Shqipëri zgjedhjet e fundit, sipas OSBE-së. Reforma territoriale ishte akti i parë shqetësues për procesin e demokratizimit në vend. Sipas OSBE-së, “reforma ishte politikisht për«arëse” dhe në kundërshtim me parimin e demokracisë liberale të dëgjimit të zërit qytetar nga poshtë-lart, pasi u kundërshtua kërkesa për mbajtjen e të paktën 130 referendumeve vendore. Opozita nuk u përfshi në proces dhe sot Shoqata e Bashkive shprehet se bashkitë me përfaqë- sues të djathtë kanë diskriminim dhe mungesë fondesh nga ana e qeverisë qendrore pa përmendur procesin e “gerrymandering” në hartën e re.

Së dyti, vihet re një shkrirje jodemokratike e rolit të Edi Ramës si kryetar partie dhe të tij si Kryeministër i shtetit. OSBE shkruan se “personalitetet kryesore nga partitë e mëdha qeverisëse shpërndanë certifikata për legalizimin e pasurisë së paluajtshme në aktivitetet e fushatës dhe një numër kandidatësh të ASHE-së përdorën aktivitete dhe burime shtetërore, duke zbehur kështu ndarjen midis shtetit dhe partisë, si dhe duke shkelur Dokumentin e Kopenhagenit të OSBE-së të vitit 1990”.

Së treti, në zgjedhjet e fundit OSBE/ODIHR-it shkruan për “akuza të shumta për presion të ushtruar ndaj nëpunësve shtetëror, kryesisht ndaj më- suesve dhe punonjësve të shëndetësisë, përfshirë këtu kërkesa për të marrë pjesë në fushatat e ASHE-së dhe kërcënime për heqje nga puna, nëse ata nuk votojnë për një kandidat të caktuar. Këto akuza, së bashku me shembujt e vëzhguar ditën e zgjedhjeve, ngritën shqetësime rreth mundësisë së zgjedhësve për të hedhur votën e tyre (pa frikën e ndëshkimit).

Së katërti, lira e mendimit kërkon që media të jetë e hapur për interes publik. Një përpjekje duhej të ishte bërë nga Rama për të siguruar shkëputjen e rolit të qeverisë me pronarët e mediave dhe të medias publike. Por OSBE shkruan se “pavarësisht numrit të madh të mjeteve të informacionit, lidhjet e medias me partitë kryesore politike, që vjen si rrjedhojë e interesave të biznesit të pronarëve të mediave, shkakton ndërhyrje të drejtpërdrejtë në censurimin e autonomisë mediatike dhe kufizoi pluralizmin e këndvështrimeve”. TVSH-ja i kushtoi 63 për qind koalicionit të majtë dhe vetëm 33 për qind koalicionit të djathtë.

Së pesti, shqetësimit të opozitës për përfaqësues politikë të rangut të lartë me të shkuar kriminale Rama iu përgjigj me injorim institucional dhe politik. U desh bojkoti pesëmujor i opozitës që të arrihej në një akt të nevojshëm të demokratizimit, siç ishte ligji i Dekriminalizimit. Por, mbi të gjitha, konkurrenca e ndershme dhe demokratizimi garanton mbi të gjitha rritje ekonomike afatgjatë. Në shumë teori thuhet se rritja ekonomike e ulët çon në destabilitet politik dhe regjimet më autoritare legjitimitetin e tyre në pushtet nuk e marrin nga fuqia e barutit dhe e dhunës që përdorin, por nga rritja ose jo e fuqisë blerëse të qytetarëve të tyre. Rama ka dështuar në të dyja këto procese. Nëse liderët e mëparshëm në proces tranzicioni mund të akuzoheshin në Shqipëri për mungesë demokracie të plotë, ata siguruan minimalisht mirëqenie për qytetarët e tyre. Autorë me peshë si Lipset kanë shkruar që në mes të shekullit të shkuar se në teorinë e demokratizimit dy karakteristika janë të nevojshme për një shoqëri për të arritur një demokraci të stabilizuar: zhvillimi ekonomik, si dhe legjitimiteti, në atë se si institucionet në vetvete shihen si të duhura dhe të drejta.

Ndaj, kauza e opozitës është gjithëpërfshirëse dhe në të mirë të shtetit dhe jo vetëm të Partisë Demokratike. Në këtë kuptim, në procesin e demokratizimit Shqipëria ka njohur Berishën si profili i liderit të demokracisë, si të vetmin regjim institucional që duhet të ndiqnin gjeneratat e ardhshme politike në Shqipëri, profilin e Edi Ramës si produkt i tranzicionit politik në vend pa një qasje të qartë ndaj proceseve konsoliduese të demokracisë dhe të fundit liderin e ri të opozitës, Lulzim Basha, si lideri i demokratizimit në vend dhe në këtë kuptim të Republikës së Re.

Please follow and like us: