Vasil Tabaku: Hyrja e pranverës
Vasil Tabaku: „HYRJA E PRANVERËS“, poezi, botoi Shtëpia Botuese “NAIM FRASHRI”, Tiranë, 1976. Redaktor: Ramazan VOZGA. (B.M.) dhe (B.V.) : 891.983-1 T- 12
HYRJA E PRANVERËS
Nga gëmusha e bleruar
U ngrit zogu
Dhe nga krahët
Shkundi dimrin.
Marsi
Me mijëra manushaqe
Puthi tonën…
Me një lirikë
Pranverën putha edhe unë…
Gëzuash pranverë
Afshi yt
Është në çeljen e luleshqerrës
Në biqet e grurit
Dhe bisqet e pemës
Në frymëmarrjen e blerimit
Në receptorin ku telefonon kjo vajzë
Adresën time të largët veriore…
Është në kopshtin e këtyre fëmijëve
Që emrin tënd
Cicërojnë brenda një vjershe.
Frymëmarrja jote pranverë
Është në dashurinë e ushtarit
Që në jakën e kapotës
Mban të çelur një burbuqe
Afshi yt është kudo stinë ripërtëritëse…
POEZIA E NËNËS
Retë dridhen lehtë përmbi hënë
Si shamia jote përmbi thinja
Paske dalë t’më presësh
Paske dalë mok e mira nënë,
Me njërën dorë nga gëzimi
Harruar tek zemra…
Paske dalë,
Buza ç’tu dridhka prej mallit…
Ç’mendon ashtu moj e mirë
Ç’mendon?…
Mos valle dhimbjet e ditëve te largëta…
Si rrezja
Fijen e njomë të barit
Më rrite
Ngrohtësia jote
U bë dashuria ime…
Puthjet e tua
Ëndrrat e mia
Dhe qumështi yt
Janë vet jeta
Vet dashuria…
FËMIJËRIA
Macja
Që loz
Me lëmshin e kaltër të mbesës
Nuk shthur thjeshtë një lëmsh
Kujtimet e mia zgjidh,
Fijet e jetës
Shpleks lehtë-lehtë,
Ditët e para të fëmijërisë…
Ditët e para të rritjes,
Këmbët e vrara nga gurët,
Këmishën e zbardhur
Varur në gardh…
Festa e abetares
Rrepa dhe gjyshi i bardhë
Një këngë e sapo mësuar
Tek fluturonte mbi gjithë kopshtin
Një pushkë druri sipër tavolinës
Me inicialet e gdhendura të emrit tim
Dhe një flamur i vogël
Në duart e mia…
U rritëm kaq shpejt…
Po fëmijëria
Më duket sikur
Zgjuar,
Gjithë zëra, prapa derës është…
Loz macja
Loz edhe mbesa ime Shpresa
Ngadalë lëmshin e kaltër mbledhin
Ngadalë sikur druhen
Mos fëmijërinë time trembin…
URA E QABESË
(Baladë)
Urë e largët në Lindje
Urë me gurë të mëdhenj
Nxirë si muzgje
Me shpinën shekullore
Kërrusur nga pasha e qindra ushtrive…
Ushtri që dynden drejt Orientit
Mbytur në zheg e pluhur.
Duke mbartur mbi vite
Peshën qiklopike të tragjedive…
Bir i Shqipërisë
Kaloi mbi ty
Mbi ty treti rininë
Nën flamuj e klithma të huaja
Poshtë qiellit zhuritës
Të saharasë së vdekjes
Urë e Qabesë
Si hyre kështu në këngët tona
Në pikën e lotit të nënave
Në ëndrrat e brishta të vajzave
Në dridhjen e buzëve që thaheshin,
Ndërsa në krahët e grave
Mbetej emri i nizamit pa varr?…
Urë e Qabesë
Kënga jote e zezë
Këndohej si himn i dhimbjes
Nën çati prej kashte
Rrënuar nga pritja…
Oh, mallkuar qofshin
Gjithë luftërat e pafund!
Ushtari i varrosur atje larg
Thërriste i trishtuar…
mbeç more shokë mbeç…
Eh moj urë e zezë
E zeza urë
Mbi shpinën tënde
Gjithë gunga ngrënë nga ikja
Si deve e gjymtuar në shkretëtirë
Nuk ngrihen më re pluhuri
Nga këmbët dhe arabatë
Ti mbete e varrosur brenda këngëve
Monument dhimbjeje
Por arkitektura jote e shëmtuar
Rishfaqet nga shekulli në shekull
Në imagjinatën e kombeve…
VLORA
(Baladë)
Ecnin, ecnin ata trima
Në luftë drejt Jugut shkonin
Edhe këngën “Vlora… Vlora”
Ndezur epope këndonin.
Ndezur epope këndonte
Edhe trimi gunëbardhë
Si ortek zemërimi zbriste
Të rreptët male radhë radhë.
Zbriste malet radhë radhë
Në ballë puthja seç i digjte
Puthje vashës atje larg
Si e dashurisë lulëkuqe
“Vlora…Vlora…Vlor’ e rrallë”
Ç’janë gjithë këta dasmorë
Me flamur ç’po ndodh vallë,
Deti ç’ka që nxinë moj Vlorë?
Oh nxin deti me dushmanë
Mbushur plotë me gjëmime,
lulet janë trazuar me plagë
seç u skuq pranvera ime…
tufa lulesh mbi të rënët
një zambak plag’ e Selamit
gunën lart çonin erërat
rënë mbi telat e dushmanit.
Rënë mbi telat e dushmanit
Heshtëte zemër e djaloshit
Pushk’ e nxehtë poshtë shkëmbit
Me vështrim përtej detit
Me vështrimin lart mbi det
U përkul një çast dielli
“Vlora… Vlora…” çeli buzët
Dhe pastaj përgjithmon’ fjeti
Fjeti trimi përgjithmonë
Atje larg e priste vajza
Me një grusht të bukur ëndrrash
Me një grusht ëndrrash të bardha…
Po veç shiu me ngadalë
Vinte tej nga perëndimi
E pikonte shkëmb e mal
Lot ’ paprerë hidhërimi
Bashkë me emrin e trimit
Stuhi erdhi vetë kënga
U ngrit mbi shiun e pikëllimit
Zjarr gjëmoi : “Vlora… Vlora…”