Rogozov, kirurgu sovjetik që operoi veten në kushte ekstreme në Antarktidë
Leonid Rogozov dalloi qartë shenjat e apandesitit. Tek e fundit, kirurgu sovjetik 27-vjeçar i kishte përjetuar disa herë ato. Por këtë herë, pati disa probleme të mëdha. Para së gjithash, kriza e radhës ndodhi gjatë kohës që ai ishte në Antarktidë në mesin e dimrit, dhe tërësisht i izoluar nga bota e jashtme.
Së dyti në bazën e ekspeditës sovjetike, nuk kishte asnjë mjek tjetër përveç Rogozov. Së fundmi, dhe ky ishte problemi më i madh- pacienti ishte vetë Rogozov. Mjeku i ri kishte mbërritur në Antarktidë në fundin e vitit 1960. Ai ishte një nga 12 burrat e ngarkuar me ndërtimin e një baze sovjetike në kontinentin e akullt.
Punimet përfunduan në kohën e duhur, pak para se të mbërrinte dimri i egër polar, duke sjellë temperatura tepër të ulëta dhe stuhi të mëdha të dëborës. Dukej se gjithçka në lidhje me ekspeditën po shkonte shumë mirë, derisa diçka shkoi shumë keq.
Kirurgu sovjetik e kuptoi shpejt se ai vuante nga apandesiti, një inflamacion i apendiksit që kërkon ndërhyrje kirurgjikale. Pa operacion, apandesiti mund të jetë fatal për jetën e njeriut, dhe Rogozov e dinte shumë mirë këtë gjë. Mjeku i ri ndërpreu një karrierë kërkimore premtuese, vetëm për të qenë pjesë e ekspeditës në Antarktidë.
Kur u nis për në ekspeditën emocionuese, Ragozov ishte gati të mbronte disertacionin e tij mbi metodat e reja të operimit të kancerit të ezofagut. Operacioni i heqjes së apandesitit ishte një procedurë e thjeshtë, dhe nuk do të kishte krijuar asnjë problem për Rogozov, nëse pacienti do të ishte dikush tjetër.
Për më tepër ai nuk mund të largohej dot nga baza. Për shkak të stuhive të borës, as që bëhej fjalë për fluturime avionësh,dhe asnjë anije nuk hynte e dilte nga Antarktida deri në fundin e dimrit. Rogozov u përpoq që ta merrte qetësi këtë situatë.
Ai shkroi në ditarin e tij: “Me duket se kam apandesitin. Por po hesht për këtë gjë, madje edhe po u buzëqesh shokëve. E pse t’i frikësoj ata? Kush prej tyre do të mund të më ndihmonte? Kontakti i vetëm i një eksploruesi polar me mjekësinë, ka të ngjarë të ketë qenë vetëm në karrigen e një dentisti”.
Po ashtu Ragozion u përpoq që ta trajtonte veten me antibiotikë, por kjo gjë nuk e ndihmoi shumë. Të nesërmen, ethet iu shtuan, dhimbja u bë më e vështirë për t’u përballuar dhe të vjellat më të zakonshme. Nata që pasoi ishte shumë më e rëndë, dhe e bëri të kuptonte se kishte vetëm një rrugëdalje nga ajo situatë:të operonte veten duke e hequr apandesitin.
“Mbrëmë nuk kam fjetur fare. Dhimbja është shumë e fortë! Më duhet të mendoj për të vetmen rrugëdalje të mundshme:të operoj veten. . . Është pothuajse e pamundur. . . por nuk mund të dorëzohem”- shkroi ai në ditar. Gjërat nuk u përmirësuan shumë as gjatë ditës së nesërme.
Rogozov nuk mund t’ua fshihte më gjendjen e tij shëndetësore anëtarëve të tjerë të ekspeditës. “Ora 18.30. Nuk jam ndjerë kurrë kaq keq në gjithë jetën time. Po dridhem i gjithi. Djemtë e kanë marrë vesh. Vazhdojnë të vijnë tek shtrati për të më qetësuar. Edhe unë jam i mërzitur me veten, ua kam prishur festën të gjithëve. Nesër është 1 Maj. Tani të gjithë po nxitojnë të përgatisin autoklavën. Duhet të sterilizojmë shtratin, pasi do të operohem”.
“Ora 20.30. Gjendja ime shëndetësore po përkeqësohet. Këtë u thashë edhe djemve. Tani ata do të fillojnë të nxjerrin gjithçka që nuk na nevojitet nga dhoma”.Operacioni u krye në një hapësirë të improvizuar në dhomën e Rogozov. Bashkëpunëtorët e tij nxorën jashtë dhomës gjithçka të panevojshme, dhe e dezinfektuan atë sipas udhëzimeve të mjekut.
U pastruan me kujdes 2 tavolina, një shtrat dhe një llambë dhe dhoma u ndriçuar nga rrezet ultravjollcë, për të shkatërruar sa më shumë patogjenë. Më pas Rogozov shpjegoi se si do të funksiononte operacioni duke i deleguar detyrat:një koleg do t’i dorëzonte instrumentet; një tjetër do të mbante pasqyrën dhe do të rregullonte llambën mbi tavolinë; një tjetër do të qëndronte në rezervë, në rast se 2 ndihmësit do të prekeshin nga të vjellat.
Meqë Rogozov do të operonte veten, ai u përgatit edhe për situatën në të cilën mund të humbiste ndjenjat, duke e udhëzuar ekipin e tij që t’i injektonte qetësues dhe të përdorte shiringa të përgatitura posaçërisht për ventilim artificial. Ai i dezinfektoi ndihmësit e tij, veshi dorezat e tyre dhe më pas u ul në shtrat, i shtrirë në një pozicion rreth 30 gradë.
Operacioni do të fillonte rreth orës 2 të mëngjesit me orën lokale. Në fillim Rogozov i injektoi vetes një anestezik dhe pas 15 minutash bëri një prerje. Nuk ishte perfekte. Fusha e shikimit ishte e papërsosur, pozicioni i tij ishte i sikletshëm dhe kishte ethe. Ai po punonte pa doreza në mënyrë që të ndjente më mirë instrumentet që kishte në dorë.
Rreth 30 minuta pas operacionit, ai filloi të vuante nga të vjellat dhe marramendja, ndaj iu desh të bënte disa pushime të shkurtra. Ai po djersiste shumë dhe duhej t’u kërkonte ndihmësve të tij që t’i fshinin ballin çdo disa minuta. Më në fund, ai arriti të hiqte apandesitin.
Ai kishte pësuar një inflamacion të madh, dhe operacioni ishte shansi i tij i vetëm për të mbijetuar. Edhe një ditë më shumë dhe ai do të kishte shpërthyer, duke i marrë jetën kirurgut. Pasi e hoqi, ai vendosi antibiotikë dhe e mbylli plagën. I gjithë operacioni zgjati 1 orë e 45 minuta, dhe ishte torturues.
Para se të merrte disa pilula për gjumë, Rogozov i udhëzoi ndihmësit e tij se si t`i lanin dhe dezinfektonin instrumentet dhe dhomën. Më pas nisi të flejë. Kur u zgjua, temperatura kishin rënë në 38.1°C dhe ndihej pak më mirë. Ai vazhdoi të merrte antibiotikë për 4 ditë dhe dale-ngadalë u shërua.
Ethet i ranë gradualisht dhe pas një jave ai hoqi të qepurat. Brenda dy javësh, Rogozov u shërua plotësisht. Më pas puna në stacion vazhdoi normalisht,dhe rreth një vit më vonë, Rogozov u rikthye në Leningrad (sot Shën Petersburg).
Ai mbrojti me sukses disertacionin e tij, dhe nuk u rikthye më në Antarktidë. Nuk është ende e qartë nëse Rogozov ishte i vetmi njeri që hoqi vetë apandesitin. Përgjatë historisë janë regjistruar ngjarje të tilla, përfshirë një auto-operacion të kryer nga dr.Evan Kejn në vitin 1921, që besonte se disa operacione (si ai i apandesitit) nuk kërkojnë anestezi të plotë.
Ai e hoqi vetë apandesitin, por ishin ndihmësit e tij ata që e përfunduan operacionin. Rogozov nuk ishte në dijeni të asaj ngjarjeje. Megjithatë, fakti që Rogozov ishte në gjendje ta kryente operacionin në kushte ekstreme dhe pa asnjë ndihmë profesionale, është një arritje mbresëlënëse. / ZmeScience – Bota.al