Keti Bashhysa na tregon pak nga ”Arratisja” e saj pasionante…
Keti Bashhysa, artistja shqiptare sërish vjen me një shfaqje të veçantë në 22 prill, ”Arratisje”. Publiku pret me kërshëri, por plot emocione është edhe Bashhysa. Në një bisedë të shkurtër, pas provave, violinçelistja u përgjigjet pyetjeve për atë që pret nga vetja dhe spektatori. Dhe si gjithnjë shfaqja me pjesëmarrjen e kantautorit Elton Deda dhe bashkëpunimin e shumë artistëve të tjerë do të realizohet në një skenë teatri, pranë Durrësit të saj.
Çfarë do sjellësh këtë herë në skenën e Durrësit? Sa mund të na zbulosh për subjektin?
I njëjti format. Ku unë jam violonçeliste, aktroj, këndoj dhe guxoj në një numër baleti kontemporan. Ndryshon repertori. Autorë të tjerë, këndvështrimi regjisorial. Natyrisht që edhe përgjegjësia ime është më e madhe duke qenë premiera e 6-të e këtij formati.
Kujt i arratisesh?
Unë zakonisht iki. Më pëlqejnë ikjet e pabujshme , pa zhurmë. Në këtë rast arratisem nga rutina që më vret. Do vish dhe ti? Është bukur.
Edhe kësaj radhe e ke vendosur, sërish vetëm një herë shfaqjen në skenë?
Shfaqja e 22 Prillit, “Arratisje…”, zgjat një orë e pak. Por çdo minutë është e mbushur me emocion të fortë. Shfaqet vetëm 1 natë sepse nuk një natë nuk harrohet kurrë.
Gjithmonë zgjedh Durrësin…
Sepse Durrësi është qyteti im. Teatri i Durrësit është shtëpia ime e dytë që në vogëli.
A e ke studiuar ndonjëherë spektatorin që të ndjek, si do ta përkufizoje?
Spektatori është ai njeriu që unë dua. Duke e dashur jam e sinqertë me të.
Çfarë vlerëson më shumë te puna e regjisores me të cilën po punon?
Përkushtimin. Mimoza Marjanakun e vlerësoj për profesionalizmin dhe mbi të gjitha për durimin. Nuk është e lehtë të punosh me mua.
Rebele dhe pa kompromise. A janë këto dy përcaktimet e duhura për ty?
Edhe pak e çmendur, artistikisht.
Çfarë është violinçeli për ty?
Violonçeli është marrëdhënie, e dashur, e ngrohtë, e zjarrtë, e çmendur.
Çfarë raporti ke me dashurinë? Në fakt, çfarë raporti duhet të ketë një artist me të?
Nuk jetohet pa dashurinë. Është sëmundje profesionale. Për shembull unë nuk bëj asgjë pa e dashur fort.
Po me paratë, çfarë raporti ke? A e financojnë artin në Durrës?
Raportin me paratë e kam alergjik. Evente të tilla nuk joshin sponsora. Parellinjtë duan tallava.
Çfarë i uron vetes këto kohë?
Të shijoj arratinë time.