Robert D. Kaplan: BE, një perandori e domosdoshme
Ky nuk është determinizëm etnik ose racor, meqë sllavët e Europës Juglindore janë formësuar më shumë në aspektin ekonomik dhe politik prej ndikimit të imperializmit të huaj se prej vetë gjakut dhe gjuhës së tyre. Ish-pjesa osmane dhe bizantine e Europës – pjesa që shtrihet afër Lindjes së Mesme – ende është më e varfra, më pak stabilja dhe me më së shumti nevojë për përkrahje dhe udhëzim prej Bashkimit Europian. Pavarësisht nëse Europa do të mbetet kontinent i sigurt dhe prosperues apo do të bëhet pikë e pesë në linjat tradicionale dashakeqe lindje-perëndim – me prijësit autoritarë në Rusi dhe Turqi që përcaktojnë zonat e tyre të interesit – ajo do të ketë rol të madh dinamik në Ballkan. Rrjedhimisht, zhvillimet politike në Paris, Berlin dhe Bruksel kanë pasoja të mëdha.
Presidenti rus, Vladimir Putin, ka qenë fort aktiv përgjatë mbarë Europës Qendrore dhe asaj Lindore, e sidomos në Ballkan, duke përdorur forma të ndryshme subversive, prej drejtimit të rrjeteve të krimit të organizuar deri te financimi i lëvizjeve populliste-nacionaliste, si dhe duke ndikuar në mediat lokale informative. Mali i Zi është në prag të finalizimit të procesit të anëtarësimit në NATO, por shpesh shihet si koloni e vërtetë e oligarkëve dhe grupeve ruse të krimit të organizuar, ku Rusia u akuzua vjet për përpjekjen e një puçi. Serbia dhe Bullgaria shihen si terrene të përshtatshme për ndikim rajonal rus, madje edhe qeveritë neoautoritare më në very – në Hungari dhe Poloni – po dëshmojnë ngjashmëri qeverisjeje si regjimi rus. Përpjekja e qeverisë hungareze për ta mbyllur Universitetin Qendror Europian (CEU), themeluar në Budapest prej miliarderit amerikano-hungarez, George Soros, pas rënies së Murit të Berlinit, duhet të shihet në këtë kontekst gjeopolitik.
E sa për Turqinë, presidenti Rexhep Taip Erdoan fitoi referendumin që i jep atij pushtet pothuajse diktatorial. Ditën tjetër, ai nuk e vizitoi varrin e Mustafa Kemal Ataturkut, themelues i Turqisë moderne, por varrin e Mehmetit të Dytë, të njohur si Pushtuesi, sulltani i shekullit pesëmbëdhjetë, ushtria perandorake e të cilit marshoi drejt perëndimit nga Kostandinopoja e deri në Bosnjë. Pavarësisht se a bëhet fjalë për Bullgarinë, Maqedoninë, Kosovën ose kudo qoftë në rajon, zoti Erdoan është i vendosur ta mbushë boshllëkun e krijuar prej Bashkimit Europian në rënie. Sundimi i kaosit në Maqedoni, përfshirë dhunën në Parlament për shkak të tranzicionit të kontestuar qeveritar, demonstron brishtësinë e Europës Juglindore.
Prapëseprapë, është vetëm Bashkimi Europian që mund ta stabilizojë Ballkanin. Vetëm nëse Serbia, Shqipëria dhe Kosova bëhen anëtare të BE-së, mund të zgjidhen përnjëmend kontestet etnike ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve. Brenda Bashkimit Europian, Shqipëria dhe Kosova nuk do të kenë pse të bashkohen ndërmjet vete. Por nëse do të provonin të bashkoheshin, do të kishte casus belli për serbët.
Dinamika e ngjashme vazhdon ta mbajë pezull kontestin ndërmjet Kroacisë dhe Serbisë për ndikim në Bosnjë-Hercegovinën. Paqja mbretëron në mesin e të gjitha shteteve të ish-Jugosllavisë brenda kornizës së Bashkimit Europian. Jashtë tij, vetëm do të ketë konflikt të zgjatur. Në të vërtetë, Bashkimi Europian ofron një botë të shteteve ligjore në vend të shteteve kombëtare, të qeverisura prej sundimit të ligjit, e jo prej urdhëresave, ku individët mbrohen në kurriz të grupit.
Bashkimi Europian me fjalë të tjera është perandori e domosdoshme.
Po e përdor fjalën «perandori» në kuptim dashamir. Bashkimi Europian ishte sipërmarrje e tillë kryesisht për shkak se kërkonte union në vend të domeneve të dikurshme osmane, bizantine, prusiane dhe habsburgase, ku ka histori të zeza dhe mjerim të madh ekonomik. Për ta jetësuar këtë qëllim, BE-ja në fakt duhej ta zëvendësonte me sukses funksionalitetin e atyre ish-perandorive. Madje edhe brenda kufijve të zonës Schengen, brenda së cilës qytetarët e Bashkimit Europian kanë liri të garantuar të lëvizjes, unioni përfaqëson një territor të qeverisur deri në njëfarë shkalle prej burokracisë vetëm pjesërisht demokratike, me shumë prej popujve të cilët kërkojnë më shumë përfaqësim të drejtpërdrejtë. A nuk është kjo një formë e perandorisë së vonuar dhe në rënie?
Prapëseprapë, BE-ja duhet të shpëtohet – dhe të përmirësohet. Jan Zielonka, nga St Antony College në Oxford, shkruan me optimizëm për «neo-mesjetarizmin» dinamik në Europë: kapërcim dinamik identitetesh dhe sovranitetesh – mbinacional, nacional dhe lokal – derisa qytetet dhe rajonet zihen me Bashkimin Europian të rivitalizuar, asnjë shtresë identiteti nuk mund të shtrohet pa konflikt.
E kam vizituar së fundi qytetin bregdetar kroat, Rijekën, afër kufijve me Slloveninë dhe Italinë, ku përsëri ishte rivendosur shqiponja dykrenore mbi sahat kullë. «Është emblemë habsburge, jo kroate, hungareze ose italiane», ma shpjegoi shkrimtari lokal me prejardhje italiane, Giacomo Scotti. «Ishte rrëzuar prej fashistëve dhe simbolizon lirinë dhe autonominë lokale që i gëzonte qyteti nën habsburgët». Tani që Kroacia është shtet sovran brenda Bashkimit Europian, dhe po punon për të hyrë në zonën Schengen dhe eurozonë, janë krijuar rrethanat për shfaqje të tillë krenarie lokale.
Është e udhës këtu që t’i kthehemi qëllimit të qenies së Jugosllavisë. Dijetari i madh italian i Europës Qendrore, Claudio Magris, i referohet Titos në udhëpërshkrimin e tij epik, «Danubi», si i fundit prej perandorëve habsburgas, që ngjan me Franz Josephin, «për shkak të vetëdijes se po pasonte një trashëgimi danubiane, mbinacionale». Si Franz Josephi, edhe Titoja e mbajti Jugosllavinë të mbledhur bashkë nëpërmjet përzierjes së represionit dhe, krahasuar me shtetet e tjera komuniste, dashamirësisë. Andaj çfarë ndodh tani në zemër të Europës – qoftë, ta zëmë, Franca me kërkesën eventuale për t’iu bashkuar Britanisë për dalje na Bashkimi Europian – është qenësore për pjesën tjetër të kontinentit.
*Autori, komenti i të cilit është publikuar në gazetën amerikane, «New York Times», është autor i veprës «Në hije të Europës», njëherësh hulumtues i lartë në Qendrën për Siguri të Re Amerikane dhe këshilltar i lartë në Grupin Euroaziatik.