Kokëdhima: Dy dështimet më të mëdha të qeverisë Rama
Edi Rama është një kryeministër me një qeveri që ndërhyn tek njerëzit e drejtësisë, bën shantazhe e presion mbi çdo gjykatës dhe çdo trup gjykues, kap prokurorët dhe ndërhyn tek policët gjyqësorë, porosit procese e dënime penale për emra e persona të veçantë, urdhëron vetë dënime e ndëshkime të çdo lloji, pushon njerëz të thjeshtë nga puna për shkak të dallimeve të pikëpamjeve politike e filozofike, largon nga forumet e parties, pa asnjë rregull, forcërisht e me dhunë, çdo person që mendon ndryshe nga ai. Vlerësimi vjen nga Koço Kokëdhima, ish krahu i djathtë i Kryeministrit dhe kryetarit të PS-së, me të cilin madje, ky i fundit, kishte planifikuar të kalonte pleqërinë.
Në vlerësim të politikave qeverisëse të qeverisë së Rilindjes, gjatë promovimit të partisë së tij “Zgjidhja”, në Pogradec, Kokëdhima ka artikuluar:
“Reforma në drejtësi ka dështuar bashkë me dështimin e reformës zgjedhore. Këto janë dy dështimet më të mëdha të kësaj qeverie. Shqipëria nuk mund të ngrejë kokë nëse nuk bën reformën zgjedhore, votimin elektronik në qendrat e votimit, numërimin elektronik, zëvendësimin e administratës zgjedhore partiake me një administratë zgjedhore shtetërore, futjen në fuqi të një pakete të plotë me masa të rrepta ligjore që do të garantonin pastrimin e zgjedhjeve nga çdo fenomen i deformimit, cenimit dhe tjetërsimit të vullnetit të zgjedhësve. Duhet gjithashtu të ndërhyhet në kodin elektoral dhe në kushtetutë për t’i dhënë zgjidhje problemeve që kanë ngritur partitë e vogla, nevojës për hapjen e tregut politik, për respektimin e konkurrencës dhe diversitetit të përfaqësimit të votës së popullit në parlament”.