Nishani hedh në gjyq Bashkim Koplikun
Presidenti Bujar Nishani ka hedhur në gjyq ish- zv/kryeministrin, pas një shkrimi të publikuar në disa prej mediave kryesore në vend. Shkrimi në fjalë i Bashkim Koplikut, mesa duket ka prekur presidentin Nishani, aq sa e ka gjetur të udhës të gjejë zgjidhje përmes drejtësisë.
Nishani ka paditur në Gjykatën e Durrësit ish- zv/kryeministrin, Bashkim Kopliku, pas shkrimit me titull “Zoti president, heshtja është faj, kur ushqen gënjeshtrën”.
Mësohet se procesi gjyqësor do të mbahet në datën 10 maj, në orën 10:30, në Gjykatën e Rrethit Durrës, me gjykatëse znj. Besjana Garxenaj.
Por ky vendim ka marrë edhe vëmendjen e personit të akuzuar. Përmes një deklarate për mediat, Bashkim Kopliku e ka cilësuar veprimin e presidentit si cënim të lirisë së shtypit.
“Sa po ngjet, është një cenim i lirisë së shtypit në Shqipëri, por edhe një goditje indirekte për secilin nga ju, si botues të shkrimit. Nuk di ta ketë bërë një padi kaq absurde ndonjë President a politikan, që nga viti 1991 e deri sot. Besoj se procesi gjyqësor do të jetë me dyer të hapura, kështu që po ta gjykoni mund edhe të asistoni në proces”, shprehet Kopliku.