Xi dhe Putin të shqetësuar nga testi i ri bërthamor i Phenianit
Rusia dhe Kina janë të shqetësuar në lidhje me përshkallëzimin e tensioneve në gadishullin korean pas lëshimit të një rakete nga ana e Koresë së Veriut në shkelje të rezolutave të OKB-së, njoftoi sot Kremlini.
”Presidenti rus, Vladimir Putin dhe presidenti kinez Xi Jinping diskutuan në detaje situatën në gadishullin korean gjatë një takimi në Pekin dhe të dy palët shprehën shqetësimin e tyre për rritjen e tensioneve”, deklaroi për median zëdhënësi i presidencës ruse, Dmitri Peskov.
Kina ka shprehur edhe më parë kundërshtinë e saj ndaj shkeljeve nga ana e Koresë së Veriut të rezolutave të Këshillit të Sigurimit dhe u bëri thirrje të gjitha palëve të pranishme për maturi.
Koreja e Veriut lëshoi sot në mëngjes një raketë balistike që përshkoi rreth 700 kilometra para rënies në Detin e Japonisë, sipas ushtrisë koreano-jugore.