Albspirit

Media/News/Publishing

Je suiss Arbana!

Mesila Doda

Na drithërove Arbanë…fotot e tua kalonin parafytyrimin tim dhe çdo parashikim se deri ku shkon tërbimi e marria njerzore. Shkëmbyem mesazhe para thuajse një jave. Ishe e shqetësuar për kërcënimet që më kishin mbërritur mua nga huliganët maqedonas e në ndërkohë më shkruaje për drojën që po rritej sepse kërcënimet për ty po rriteshin. Një bisedë e trishtë dhe shqetësim me atë që ndodhte me bashkëkombasit tanë në Shqipëri, Kosovë e Iliridë. Ishe trishtuar thellë për Zijadinin e më nise fotot e tij. Atë ditë as që mund ta imagjinoja që huliganë të tjerë, për turpin tim dhe tëndin me të njëjtin gjak e kombësi me ne, do të vërsuleshin e dhunonin ty njësoj si shkjau Zijadinin.

E dashur Arbanë! Ne të dyja shumë herë kemi patur opinione të ndryshme e me siguri për shumë gjëra nuk do biem dakord as sot, por për mua ti je një nga gratë shqiptare që ke sfiduar me kurajo e forcë dhunën, ekstremizmin, injorancën e poshtërsinë… Sot me dhunën e ushtruar mbi ty unë nuk kam më asnjë dyshim… armikun e kemi mes vedi. Nuk ka armik më të madh se injoranca, krimi dhe urrejtja. Dora e fanatizmit, urrejtjes dhe dhunës ra sot mbi ty motër, sepse ti i sfidove… the atë që mendoje, ashtu si deshe e ashtu si e ndjeve. Por kurajo, historia jonë ka parë edhe më keq…

Para thuajse 70 vitesh një grua intelektuale, politikane e filozofe, Musine Kokalari u bë simbol i qëndresës, u torturua, u burgos, e vdiq në mjerim dhe e internuar, por nuk e thyen dot.

Motër Maria Tuci u burgos, u torturua e vdiq nën tortura, për besimin e saj katolik… torturat mbi të ishin çnjerëzore.

Sabiha Kasimati, shkencëtare… u burgos, torturua e vra bashkë me të tjerë për nje krim që se kish bërë kurrë. Janë simbole të një kohe tjetër, por i vranë sepse sfiduan modelin e kohës dhe sfida e modelit është e rëndë, në këtë vendin tonë, poshtë e sipër Drinit.

E di pse Arbanë? Se me gjasa gruaja është e mirë kur e hap gojën aq sa don një burrë, burri në shtëpi, eprori në punë, dhe opinioni i hazdisur për ato që guxojnë të jenë më publike. Gruaja shërben për aq sa i duhet një burri dhe kur ajo i del nga kontrolli nisin sharjet, fyerjet, kërcënimet, rrahjet, dhuna, vrasjet, burgosjet… Këto jemi ne Arbana… Trishtimi më shkon edhe më tej. Nga ky rast do duhej të niste jo thjesht një peticion po një lëvizje për ta mbrojtur gruan. Gratë heshtin, burrat e tjerë në mos gëzojnë, fshihen. Me ty merr fund lufta e fshehur mes dhunës që na konsumohet cdo ditë e që bëjmë sikur se shohim. Nuk pashë kënd sot të thosh “Je suiss Arbana”… Kanë halle protestash, qeverie e zgjedhjesh. Burrat kanë halle më të mëdha e gratë kanë hallet e burrave që kanë afër…

Arbana, më jepje zemër e kurajo përpara një jave. Unë sot të lutem, të kërkoj mos të thyhesh e mos të tërhiqesh. Nuk të kanë thyer shpirtin, të kanë lënduar trupin, e të dyja e dimë që trupi është i shërueshëm, njollat e dhunës do shkojnë por ti duhet të ecësh e mos të ndalosh për asnjë dekikë sepse ky vend ka nevojë për modele të mira dhe ti je një prej tyre. Gjithë gratë e shoqërisë civile, politikës, mdias sot duhet të rrethojnë ty sepse me ty është prekur kurajo e tyre, sepse ky është i vetmi rast kur ja vlejnë të therrasin e madje të ulërasin, Je suiss Arbana!!!

Please follow and like us: