Albspirit

Media/News/Publishing

Alfred Lela: A po vjen Zgjidhja Amerikane?

Politiko.al ishte portali që përdori i pari emërtesën ‘Paketa McAllister Plus’. Jo si shpikje të vetën, por ky qe termi që një burim i yni (i huaj) përdori gjatë një komunikimi, për të karakterizuar tiparet e ofertës që do vendosej në tryezat e negociatave të hënën e 15 majit. Kur do të mbërrinte në Tiranë emisari i Departmentit të Shtetit, Hoyt Brian Yee.

Tashmë ‘Paketa McAllister Plus’ është pjesë e fjalorit politik të ditës dhe, besoj se do të mbetet në të edhe për shumë kohë, kur Shqipërisë t’i vijnë (ne nuk bëjmë dot pa to) në të ardhmen, oferta të tjera për zgjidhjen e krizave të së nesërmes.

‘Paketa McAllister Plus’ është investimi amerikain për zgjidhjen e krizës në Shqipëri. Duhet pranuar se në të ka dorë dhe ndikim të drejtpërdrejtë ambasadori amerikan Donald Lu dhe z. Yee vjen në Tiranë si nun dhe garantor, më shumë se si hartues apo lobues i saj.

Zëvendës sekretari amerikan u kujdes megjithatë, që në intervistën e tij për gazetarët e kronikës politike të mos e konsideronte si ‘amerikane’ këtë Paketë, duke përdour për të vazhdimisht emrin McAllister. “Nuk ka një zgjidhje amerikane”, tha Yee.

Ndërkohë ka vetëm një të tillë.

Edhe pse duhet falenderuar thellë themeluesi i Paketës së zgjidhjes së krizës, David McAllister, një peshë e rëndë në PPE dhe, me gjasë, trashëgimtari i Merkel në krye të CDU-së gjermane, futja në lojë e amerikanëve dhe këmbëngulja e ambasadorit Lu, ka gjasa që ta çojë Paketën drejt paketimit.

Ka ndodhur gjithmonë kështu. Në Rinas kanë zbritur të parët europianët, të cilët kanë ecejakur tryezave të bisedimeve prej ku kanë marrë gjysmëpranime ose mospranime. Në cajtnot kanë mbërritur amerikanët. Si përherë, me prakticitetin e tyre, atë që ata quajnë ‘no bullshit diplomacy’, kanë vënë në tryezë peshën e tyre globale.

I ka ndihmuar, përherë, edhe një ‘dobësi’ shqiptare që fjalën e fundit, betimin apo besën finale, t’ia japin amerikanit. Patriarkalistë dhe klasikë edhe në politikë e vendimmarrje, krerët shqiptarë e kanë admiruar në fshehtësi aurën pater familias që i sjellin çdo negociate amerikanët.

A do të ndodhë edhe sot ky dorëzim?

Nëse Basha beson se mund ta tërheqë zhag krizën politike deri në shtator, kur hierarkia në Departamentit e Shtetit ndryshon ngjyrë dhe prirje, ky është një bast force dhe sfidë pritjeje.

Nëse mendon se bashkë me administratën në DASH, ndryshon edhe modeli, atëherë basti fitohet.

Do të jetë një krizë që do ta zgjasë trupin e përpëlitur deri në fund të vitit. Opozita do të forcohet duke u dobësuar. Pushteti i Ramës, m’anë tjetër, do të dobësohet duke u forcuar.

Basti më i madh është ‘dalja jashtë sistemit’. Pyetja e madhe bëhet: “A do të negociojnë më europianët apo amerikanët’ me një parti jashtë institucioneve. Partisë Demokratike i mbetet historia, sigla dhe shpresa se njerëzit do ta ndjekin dhe ‘jashtë çdo pushteti’.

Një përgjigje e kësaj mund të mbështetet te fakti se amerikanët ftuan individë jashtë sistemit, si Majlinda Bregu (me sistem në këtë rast, nënkupto PD), a do të uleshin ata edhe me PD kur dalja prej krizës do të kërkonte bashkëpunimin e të gjitha pjesëve të krizës?

Besoj se po.

Amerikanët, ndërkohë, ‘janë në qytet’ dhe ofrojnë një paketë që e sheh PD si pjesë dhe si zgjidhje të krizës. Siç sheh edhe Ramën si pjesë dhe zgjidhje të saj.

Këtu, besoj se qëndron, edhe arsyeja se pse ‘Paketa McAllister Plus’ duhet të pranohet prej palëve.

Eshtë një situatë win win.

Please follow and like us: