Prapë katolikët…reaksionarë?
Frano Kulli
Ja, erdhën në skenën e teatrit absurd që po luhet në politikën shqiptare edhe katolikët e Veriut. Si një detaj shtesë regjisorial që, siç duket, është e nevojshme t’i shërbejë ngritjes së temporitmit të shfaqjes, e cila… edhe kështu si po shkon, mund të degjenerojë në kaos. (Zot na e prit!). Katolikët e Veriut i ka sjellë në përmendje publike kësaj here, përgjigja e një pyetje në një intervistë që ka dhënë për gazetën austriake “Der Standard” zoti Lulzim Basha, kryetari i opozitës shqiptare, i cili prej gati 3 muajsh po udhëheq një kauzë të fortë opozitare për zgjedhjet e lira në Shqipëri. Fragmenti i intervistës ka qenë ky:
Standard: Çfarë ju shqetëson juve më së tepërmi?
Basha: Lidhja mes krimit dhe politikës në Shqipëri është e veçantë. Në parlament, në karriget e kryetarëve të komunave dhe në drejtimin e shumë institucioneve publike qëndrojnë persona që kurrë nuk kanë qenë në politikë. Çfarë ata i bashkon është vetëm kontrabanda me drogë dhe armë, prostitucioni, trafikimi i qenieve njerëzore dhe vrasjet; një pjesë e tyre kanë qëndruar edhe në burgjet europiane. 95 përqind e personave me origjinë kriminale që qëndrojnë në parlament dhe 70 përqind në komuna janë katolikë nga veriu i Shqipërisë.
Standard: Çfarë ka të bëjë kjo me politikën?
Basha: Katolikët e veriut kanë qenë bastioni ynë. Pra, zoti Rama ka rekrutuar llumin e veriut, për të shkatërruar bastionin tonë. Ata janë të fuqishëm dhe kanë emëruar drejtorë policie dhe taksambledhësit. Në 2016 Shqipëria u kthye në plantacion kanabisi. (Gazeta Bota Sot,15 maj 2017)
Nuk jam i sigurt për shifrat që zoti Basha përmend, por është siguri e gjithpranuar se fenomeni i inkriminimit të parlamentit, por dhe i njësive administrative vendore ekziston; fenomeni është i njohur me “gojë” e me “shkrim”. ”Shkrimi” është ligji për dekriminalizimin. Fenomenin e thirrjes në politikë të të inkriminuarve, i vetmi që nuk e ka pranuar akoma është zoti Edi Rama, Kryeministri i vendit dhe një shpurë mendtakësh (analistë) që i patën sugjeruar atij në 2013-ën që të bashkëpunonte me të gjithë plehnat e Shqipërisë për të rrëzuar pararendësin e vet. Kjo është ajo që ka ndodhur.
Po katolikët, specifikisht katolikët, pse duhen zgjedhur si shembull për inkriminimin e politikës tani? E vërteta është se katolikët si komunitet dhe religjioni i tyre i kanë ofruar historisë së Shqipërisë krejt të tjerë shembuj në dobi të prosperitetit dhe asnjëherë nuk janë gjendur në krahun e së keqes së inkriminuar. Elitat e këtij komuniteti kanë përqafuar e prirë qytetërimin më të përparuar në këtë vend, bazuar mbi principet e paqes dhe të bashkëjetesës së të ndryshmëve, çka përbën edhe thelbin e shoqërive demokratike. Edhe sot, unë besoj se ky komunitet është pjesë e “ashtit” të kombit. Vetëm historiografia e regjimit të shkuar nuk e ka pranuar këtë të vërtetë. Reminishencat e saj gëlojnë edhe sot, në forma të stërholluara, por edhe haptasi në formën e neverisë së shpallur. Për të, katolikët kanë qenë e janë e keqja reaksionare. Një person me rekorde kriminale, më së paku është besimtar, në rastin në fjalë katolik, pavarësisht prej origjinës së besimit të të parëve të vet. Pavarësisht cili është vendi i origjinës nga vjen, është Shkodra e Puka apo Vlora e Skrapari. Por, ka edhe një tjetër arsyetim që nuk e pranon si të drejtë cilësorin ‘katolik’ për të inkriminuarit në “parlament e në komuna”. Ata nuk kanë shkuar atje të dërguar as nga Kisha Katolike e as nga komuniteti katolik; ata janë aty si produkte politike, ata janë aty si të përzgjedhurit e udhëheqësve politikë, janë përzgjedhje të zotit Kryeministër në rastin konkret.
Por, shembujt nuk ka pse rrumbullakosen nën okelion ‘të inkriminuar katolikë’.