Xhafer M. Majkaj, bir krenar i Labërisë
Prof. Dr. SPIRO J. SHETUNI
Universiteti Winthrop
Rock Hill, South Carolina
U.S.A.
- I përkushtuar ndaj profesionit të mjekut!
- Krenar për vendin e origjinës!
- Nderues i heronjve!
- Syçelur ndaj jetës politiko-shoqërore!
- I dashuruar pas kulturës popullore!
- Entusiast ndaj miqve dhe shokëve!
- Njeri me humor të veçantë!
Unë e njoha për herë të parë Dr. Xhafer M. Majkaj (1950-2016), kur ai ishte një djalosh 25-vjeçar! Shtat-mesatar, flokë-dendur, i shëndetshëm! I porsa-diplomuar nga Fakulteti i Mjekësisë i Universitetit Shetëror të Tiranës. Optimist! Energjik! Entusiast! I gatshëm të merrte përsipër çdo vështirësi në shërbim të mirëqënies dhe shëndetit të popullit të krahinës së Labërisë!
I përkushtuar ndaj profesionit të mjekut
Pasi mbaroi gjimnazin në qytetin e Memaliajt, Dr. Xhafer M. Majkaj vazhdoi studimet e larta në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit Shtetëror të Tiranës. Fill pas përfundimit të studimeve me rezultate të shkëlqyera, ai u emërua si Drejtor i Spitalit të zonës etnografike të Lopësit (fshatrat Dorëz, Sinanaj, Matohasanaj, Dhëmblan, Martalloz), e cila bën pjesë në krahinën e Labërisë. Më vonë, punoi në detyra të tjera të rëndësishme, si: Drejtor i Drejtorisë së Shërbimit Shëndetësor të rrethit të Tepelenës, Drejtor i Spitalit të qytetit të Memaliajt, Drejtor i Spitalit të qytetit të Tepelenës, etj. Sidoqoftë, mbi të gjitha, ai ishte një njeri thellësisht i përkushtuar ndaj profesionit të mjekut. I ndërgjegjshëm për përgjegjësinë që kishte ndaj mirëqënies dhe shëndetit të qytetarëve, Xhaferi ishte vazhdimisht, i gatshëm, ditën dhe natën, për t’u shërbyer atyre. Banorët e fshatrave të zonës së Lopësit, ku ai shërbeu për vite të tëra me radhë, kujtojnë me nderim të madh mjekun e papërtuar. Bashkë me ‘ta, unë mund të dëshmoj se, sa herë që familiarë të ndryshëm e kërkonin, ai shkonte urgjentisht më këmbë në shtëpitë e tyre. Merrte me vete një çantë të mbushur me pajisje mjekësore. Në sytë e tij lexohej vetëm buzëqeshje!
Krenar për vendin e origjinës
I lindur dhe i rritur në qytetin e Memaliajt, i shkolluar, si në këtë qytet, ashtu edhe në Tiranë, Dr. Xhafer M. Majkaj s’harronte asnjëherë rrënjët etnike të familjes dhe gjithë fisit të tij. Ai ishte krenar sidomos për tri dukuri: Lekdushin–fshatin e lindjes së babait të tij, Manxharit; zonën etnografike të Kurveleshit në përgjithësi dhe të Kurveleshit të Sipërm në veçanti; krahinën e Labërisë në tërësi. Xhaferi s’e fshihte aspak krenarinë për traditat e mrekullueshme të popullit të Labërisë, aq të mirë-njohura brenda dhe jashtë Shqipërisë, si: atdhetaria e krenaria, trimëria e bujaria. Dëshiroj të theksoj se vetë ai i mishëronte më së miri tipare të tilla. Xhaferi ishte, sigurisht, një intelektual tipik i dalë nga gjiri i popullit lab.
Nderues i heronjve
Dr. Xhafer M. Majkaj ishte, gjithashtu, një nderues i trimave, kapedanëve, heronjve të krahinës së Labërisë dhe gjithë Shqipërisë. Në biseda me ‘të, ai do të përmendte gjithmonë figura të shquara historike, si: Bilbilenjtë, Hodo Nivica, Çelo Picari, Zenel Gjoleka, etj. Po ashtu, fliste për heronj të Luftës Antifashiste Nacional-çlirimtare (1939-1944), si: Mustafa Matohiti, Asim Zeneli, Abaz Shehu, Xheladin Beqiri, Memo Meto, etj. Midis tyre, figurën legjendare të Heroit të Popullit, Mustafa Matohiti, ai e nderonte aq shumë ndoshta edhe për faktin se Matohiti ishte nga Lekdushi. Mirëpo Xhaferi s’ishte thjesht nderues i trimave, kapedanëve, heronjve të vendit: ai ishte, po ashtu, njohës i thellë i historisë, jetës dhe kulturës së popullit të krahinës së Labërisë. Miqtë dhe shokët e ngushtë të Xhaferit, përmes tregimeve të tij për ngjarje, trima, kapedanë, heronj të Labërisë, herët ose vonë, deridiku, do të bëheshin edhe ata, njohës të historisë, jetës dhe kulturës së kësaj krahine. Lumturisht, njëri ndër miqtë e tij më të ngushtë, pata fatin e madh që të isha edhe unë!
Syçelur ndaj jetës politiko-shoqërore
I lindur, rritur, mbrujtur në një mjedis familiar me tradita atdhetare, Dr. Xhafer M. Majkaj ishte vazhdimisht syçelur ndaj jetës politiko-shoqërore të vendit. Ai ndiqte me vëmendje ngjarjet më të rëndësishme të kombit, duke shfaqur shpesh mendimet e tij të pavarura nga erërat politike të kohës. Po ashtu, Xhaferi ishte aktiv në jetën shoqëroro-kulturore të qytetit dhe tërë rrethit të Tepelenës. Si antar i Shoqatës Kulturoro-Atdhetare “Labëria,” ai dha ndihmesë me kumtesa, referate e fjalime të mbajtura në tubime të ndryshme me karakter shoqëror, kulturor e atdhetar.
I dashuruar pas kulturës popullore
Dr. Xhafer M. Majkaj ishte tepër i ndërgjegjshëm ndaj vlerave dhe rolit të kulturës popullore në jetën e një kombi, populli ose grupi të caktuar etnik. Përmes gjykimeve të tij të thella, ai i shihte poezinë, muzikën, vallen popullore si tregues të rëndësishëm të kombësisë. Duke qenë vetë studiues i muzikës popullore shqiptare, unë nuk mund të mos shpreh nderimin dhe vlerësimin tim të madh ndaj Xhaferit në këtë aspekt. Gëzimin dhe krenarinë e tij ndaj kulturës popullore labe, here-herë, ai e shprehte duke recituar vjersha të tëra, lirike ose epike, apo duke treguar gojëdhana, përralla e legjenda. S’mungonte, gjithashtu, të fliste për çështje arkeologjike, veçori gjeografike të trojeve labe, etj.
Entusiast ndaj miqve dhe shokëve
Dr. Xhafer M. Majkaj e pëlqente shumë shoqërinë, si me kolegët, ashtu edhe me njerëz të tjerë. Nuk ishte vështirë të lexoje në sytë e tij gëzimin dhe entusiazmin që i jepte shoqëria e pastër me miqtë e tij. Nëse ai të pranonte si mik, një dukuri e tillë zgjaste për tërë jetën. Entusiast ndaj miqve dhe shokëve, ai bënte ç’është e mundur për t’i ndihmuar ata në rast nevoje. Për këtë arsye, miqësia me ‘të, u sillte atyre qetësi e harmoni. Si për çudi, miqtë e ngushtë të Xhaferit ndiheshin sikur njihnin edhe miqtë e tjerë të tij! Të kishe mik Xhaferin ishte, pa dyshim, një lloj fati!
Njeri me humor të veçantë
Dr. Xhafer M. Majkaj e pëlqente shumë humorin—një karakteristikë e shquar e popullit të krahinës së Labërisë. Në biseda e ngjarje të ndryshme, ne, miqtë e tij, mrekulloheshim me humorin e tij të veçantë. Shpesh, Xhaferi madje krijonte vargje humoristike për ne. Vetëm se humori i tij ishte ngaherë i shëndetshëm. Ky lloj humori sikur e bënte edhe më të fortë miqësinë e shoqërinë tonë me ‘të.
Takimi i parë
Cilësitë më të spikatura etiko-morale të karakterit të Dr. Xhafer M. Majkaj dalin në pah edhe përmes kujtimeve që unë pata ndër vite me ‘të. Midis tyre, dëshiroj që të jap vetëm një episod–takimin e parë me Xhaferin:
Mëngjezi i ditës së parë që do të filloja punë në fshatin Sinanaj të zonës etnografike të Lopësit–25 gusht, 1975–, ishte duke rrëshqitur me shpejtësi. Duke bërë shëtitje në rrugën kryesore të qytetit të Tepelenës, pa dashur, sytë më vajtën tek një djalosh mbi të njëzetat. Ai ecte nxitimthi, duke mbajtur me vete një çantë. Mendova se, me siguri, djaloshi do të ishte një nga intelektualët e qytetit. Rreth orës 11:00, shkova tek vendi i quajtuar “Busti i Xha Selamit.” Aty do të prisja për ndonjë makinë të rastit. (Për të shkuar në Sinanaj, në atë kohë, s’kishte asnjë lloj shërbimi urban.) Pasi prita rreth një ore, lumturisht, një skodë e madhe ndalon në këmbët e mia. “Ku do të shkosh?”—më pyeti shoferi. “Në Sinanaj.”–i përgjigjem. “Dëgjo!”–më thotë ai. “Unë shkoj në Kurveleshin e Sipërm. Kështuqë, nëse vjen me mua, do të zbresësh në vendin e quajtur ‘Kthesa e Allkushit.’ Për të vajtur në Sinanaj, prej andej, do të ecësh më këmbë rreth dy orë.” “Mirë!”—i them unë.
Pasi hipa në makinë, shoh se, në vendin kryesor, përkrah shoferit, qëndronte si pasagjer djaloshi me çantë, që, këtë mëngjez, ecte me shpejtësi nëpër rrugët e qytetit. Ai vështroi nga unë si me indiferentizëm, pa lënë të kuptohej, nëse ishte i kënaqur ose i pakënaqur, me praninë e një pasagjeri tjetër. Ne të tre—shoferi, djaloshi me çantë, unë—thuajse nuk shkëmbyem asnjë fjalë, derisa erdhi koha për të zbritur, në vendin e quajtur “Kthesa e Allkushit.” I dhashë shoferit 30 qindarka, e falenderova dhe zbrita nga makina. Mirëpo, sa u bëra gati të nisem për të shkuar më këmbë në Sinanaj, vura re se, nga makina, zbriti edhe djaloshi me çantë! Në çast, mendova se ai duhej që të ishte me punë diku në fshatrat rreth e rrotull.
Që të dy–djaloshi me çantë dhe unë–nisëm rrugën me zhavor në mënyrë të heshtur. Meqenëse ai hidhte hapa të shpejtë si një sorkadh mali, unë përpiqesha që t’i përshtatesha ritmit të ecjes së tij. Pas pak, ai më pyeti: “Ku do të shkoni, Ju?” “Në Sinanaj.”—i përgjigjem. “Po Ju?”—e pyeta unë. “Edhe unë në Sinanaj do të shkoj.”—u përgjigj ai. Ishte e qartë se djaloshi me çantë donte të dinte se kush isha unë, nga isha unë dhe përse shkoja unë në Sinanaj. Po kështu, edhe unë doja të mësoja se kush ishte ai, nga ishte ai dhe përse shkonte ai në Sinanaj.
Mësova se djaloshi me çantë quhej Xhafer M. Majkaj. Ai ishte me origjinë nga Lekdushi: fshat i zonës etnografike të Kurveleshit të Sipërm. Kishte mbaruar Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit Shtetëror të Tiranës. Tashmë punonte si Drejtor i Spitalit të zonës të zonës etnografike të Lopësit me qendër në Sinanaj. Eshtë e tepërt të them se edhe unë i fola atij për veten time. Sigurisht, arsyen e vërtetë të ardhjes me punë në Sinanaj si Organizator i Punës Kulturore nuk ia thashë. Ai ndoshta e mori atë vetë me mend. (E vërteta ishte e hidhur: Për arsye thjesht politike, mua sapo më kishin larguar nga Tirana, ku, para një viti, isha emërur si pedagog pranë ish-Institutit të Lartë të Arteve të Shqipërisë–sot Universiteti i Arteve.) Por, Zoti Majkaj, ishte aq i ekuilibruar në pyetjet e tij, saqë fitoi menjëherë nderimin dhe respektin tim. Pas dy orë udhëtimi më këmbë, në një ditë me diell të nxehtë, arritëm në Sinanaj shëndoshë e mirë!
Për mua, udhëtimi i datës 25 gusht, 1975, nga Kthesa e Allkushit në Sinanaj, do të mbetet i pashlyer në kujtesën time! Pikërisht, në këtë udhëtim, unë njoha një njeri, i cili shpejt do të bëhej një mik i rrallë në jetën time! Krahas dy miqve të tjerë të ngushtë, që unë njoha, gjithashtu, në Sinanaj—Prof. Hysen K. Haxhaj dhe Dr. Vladimir E. Bilbili–, ai do të luante një rol të rëndësishëm në jetën time në përgjithësi dhe atë shkencore në veçanti. Prej tij do të mësoja aq shumë në mjaft aspekte, sidomos përsa u takon historisë, jetës dhe kulturës së popullit të krahinës së Labërisë. Miqësia dhe shoqëria me ‘të nuk ishin veçse faktorë të një frymëzimi të përhershëm në punën dhe jetën time!
***
I përkushtuar ndaj profesionit të mjekut, krenar për vendin e origjinës, nderues i heronjve, syçelur ndaj jetës politiko-shoqërore, i dashuruar pas kulturës popullore, entusiast ndaj miqve dhe shokëve, njeri me humor të veçantë, Dr. Xhafer M. Majkaj, mjerisht, u largua shpejt nga jeta! Vetëm se ai do të kujtohet gjithmonë, mbi të gjitha, për veprën e tij të shquar humanitare në shërbim të mirëqënies dhe shëndetit të popullit të krahinës së Labërisë! Si mik i tij, unë sot ndihem thellësisht i trishtuar! Lamtumirë, Xhafer, miku im i rrallë, intelektual tipik i dalë nga gjiri i popullit lab, bir krenar i Labërisë!