Revolta e Spaçit 1973 në një libër me dokumente arkivore
Sadik Bejko
“Dervish Bejko, 27 vjec, pushkatuar me 24 maj 1973”.
“Hajri Pashaj, 29 vjec, pushkatuar me 24 maj 1973”.
“Pal Zefi, 33 vjec, pushkatuar me 24 maj 1973”.
“Skender Daja, 23 vjec, pushkatuar me 24 maj 1973”.
Bedri Blloshmi, pasi na solli libra mbi persekutimin e familjarëve të tij nga koha e komunizmit, mbas librit me fakte e dokumente arkivore për Revoltën e Qaf-Barit, vijon në këtë vazhdë me librin e tij më të ri “Revolta e Spaçit 21-23 maj 1973”. Libri sjell dokumentet arkivore të kohës mbi këtë ngjarje. Revolta e të burgosurve politikë të kampit të Spaçit, maj 1973, mund të cilësohet si pikë kulmore e rezistencës antikomuniste të shoqërisë shqiptare. Ky rebelim ndodhi brenda rrethit të telave me gjemba. Të burgosurit politikë, të dënuarit me punë të detyruar në minierën e Spaçit, për gati tri ditë provojnë shijen e rebelimit qoftë dhe duke e paguar me kokë, apo me ndëshkime të tjera që synonin vdekjen e tyre të ngadaltë, por të sigurt në qelitë a në minierat e vdekjes të asaj kohe.
Kjo pasuri arkivore me dokumente origjinale me gjithë vitet në bodrume me lagështi, me gjithë ndërrimin e sistemit dhe anarkinë e ndërrimeve politike ka arritur që me pak dëmtime të jetë e ruajtur, të jetë ende e depozituar. Në këtë libër faksimilet dhe fotokopjet e dokumenteve origjinale vijnë edhe të zbardhura për t’u vënë në duart e lexuesit dhe të historianit. Në mbi 700 faqe renditen dokumentet arkivore të ndëshkimit të autorëve të rebelimit të Spaçit në maj 1973, dokumente të policisë, të gjyqësorit dhe të strukturave partiake.
Krahas këtyre dokumenteve, autori ka sjellë dhe dëshmitë e Luan Burimit, të Bedri Çokut dhe të Gëzim Çelës, tre nga të rebeluarit e kampit të Spaçit, tre nga të mbijetuarit e ndëshkimeve shembullore për shkak të këtij rebelimi. Këto dëshmi të të mbijetuarve e pasurojnë librin. Prapë mund të thuash se për rebelimin e Spaçit 1973 dokumentet arkivore thonë më shumë sesa pohimet e dëshmitarëve ende të gjallë.
Në faqen 41 të librit, në relacionin e Haxhi Goros dhe të Shahin Skurajt, respektivisht, të komandantit e të komisarit të Repartit, të kampit të Spaçit, shkruhet se të rebeluarit thërrisnin: Ja vdekje, ja liri! Populli është me ne dhe kundër jush…Ju do të vini këtu se u është ngushtuar rrethi…. Do t’iu djegim si Stalinin… Mos u gënjeni se kurrë në botë nuk do të fitojë komunizmi… Rroftë Evropa e Bashkuar..
Këto janë klithma që të burgosurit e Spaçit i kanë artikuluar 17 vjet përpara se komunizmi të rrëzohej në gjithë Evropën Lindore, në Rusi e në Shqipëri. Janë thënë nga shoqëria shqiptare. Janë thënë në burg, siç thuhen të vërteta të mëdha në ëndrrat e natës. Të vërteta të mëdha që ndonjëherë kanë frikë prej dritës. Ato për mua, për ju, për historinë, për ndërgjegjen e njerëzimit janë dëshmi të lirisë dhe të aspirimit të lirisë edhe në skutat e tiranisë. Ato fjalë nderojnë ata që i thanë, por na bëjnë krenarë dhe sot dhe nesër dhe kurdoherë ne të gjithëve, ne njerëzve që aspirojmë më shumë lirinë sesa jetën nën robëri.
Këto klithma për falimentimin e komunizmit nuk i dëgjoi njeri. Për ato nuk folën mediet e kohës. Por ato janë thënë dhe janë regjistruar nga relacionet policore të kohës. Atë që atëherë nuk e kanë parashikuar politikanë e burra të mëdhenj të shteteve, të burgosurit shqiptarë në maj 1973 e thonë me zë të lartë: “kurrë në botë nuk do të fitojë komunizmi.”
Në bazë të këtyre dokumenteve dhe dëshmive më poshtë do të bëjmë shkurt një kronologji të ngjarjeve në ato tri ditë.
Më parë do të themi se në një kuadër më të gjerë bota perëndimore e postindustrializimit në vitet ’70 kishte konsoliduar një shoqëri të konsumit, të demokracisë, të lirisë dhe të progresit. Bota komuniste mbas ngjarjeve të përgjakshme në Hungari dhe futjes së tankeve në Çekosllovaki, kishte hyrë në një epokë të shterpësisë, të stanjacionit brezhnjevian. Një botë që po shkonte kokëposhtë. Lufta e Ftohtë vazhdonte. Në Pekin takimi i Mao Ce Dunit me Niksonin më 1972 kishte shënuar kthesën e Kinës për nga ekonomia e tregut. Shqipëria ngjante si një vend i vetmuar, i izoluar, vend i përjashtuar nga njerëzimi, vend pa të ardhme, vend që nuk i interesonte askujt. Ligësia e diktatorit vazhdonte ta thellonte të keqen. Në maj 1973 Tirana me Plenumin e katërt nisi represionin më famëkeq në kulturë, ndëshkimin e shumë shkrimtarëve, artistëve, këngëtarëve, piktorëve. Kjo valë ndëshkimesh e shtrirë nga kultura në ushtri, pastaj dhe në ekonomi do të vazhdojë si një fushatë spastrimesh mbi 10-vjeçare.
Pikërisht në këtë kohë në Spaç të Mirditës terrori, dhuna, torturat, keqtrajtimi në ushqim dhe në kushtet e jetesës kanë sjellë pjekjen e një situate shpërthyese të rebelimit.
Thuhet se kjo revoltë ka pasur një organizim të strukturuar, por faktet dokumentare dhe ato të kujtimeve nuk e vërtetojnë një thënie të tillë. Nga kujtimet e Luan Burimit, të Neim Pashajt, të Bedri Çokut del se janë bërë përpjekje për organizim, është folur nën zë për një organizim, por vetëm kaq. Fakt është që parapërgatitje ka pasur. Kur ka shpërthyer revolta, shkopinj, hekura, sqeparë, leva, mbeturina të dinamitit e sende të tjera të forta përdoren nga të burgosurit si armë në përleshjet me forcat e policisë. Fakt është që ,si në kujtimet dhe në këto dokumente, emrat e Luan Burimit, Hajri Pashajt, Bedri Çokut, Dervish Bejkos, Skënder Dajës, Dashnor Kazazit, Gëzim Çelës, Mersin Vlashit, Hodo Sokolit, Haki Sllatinës etj dalin ndër ata që kanë qenë më aktivë në përleshjet fizike, në oratori, në hedhje parullash, në ide, në mbajtjen lart të moralit dhe të shpirtit të rebelimit. Peshën e kanë mbajtur më të rinjtë. Këshilli krahinor me nga tre-katër pjesëmarrës sipas krahinave, si strukturë vendimmarrëse, del në vazhdën e ngjarjeve, pa ndonjë krye të tijin, pa ndonjë rol në shpërthimin e rebelimit.
Ushqimi në kampin e Spaçit gatuhej me ujë të përzierë me acid. Në muajin prill 1973 në disa dreka dhe darka të burgosurit derdhin demostativisht ushqimin. Autoritetet nuk duan ta vënë re këtë akt. Terrori e tortura shtohen. Me e pa faj të burgosurit tre e nga katër futen në biruca. Me pretekstin se kanë mbetur prapa me planin, komanda urdhëron që edhe të dielave të dalin në punë. Disa të burgosur përleshen me policinë në një të diel të majit 1973 dhe nuk dalin në punë. Zemërimi e indinjata rriten.
Pal Zefi dhe Tomor Allajbeu, në kundërshtim me rregulloret e burgut, vuanin izolimin çnjerëzor në birucë prej më shumë se një muaji. Të dielën e 21 majit 1973 Pal Zefi largohet nga biruca. Policët derdhen mbi të për ta rikthyer. E rrahin sa gjaku ia mbulon fytyrën. Të burgosurit e tjerë i shkojnë në ndihmë. Përleshen. Policia rrihet nga të burgosurit dhe ia mbath, humbet kontrollin mbi kampin. Kjo ndodh mbase për herë të parë në historinë burgjeve të diktaturës. Pasdite me përforcime trupash që shtrëngojnë kampin, vijnë shefat e policisë dhe të Sigurimit të Rrëshenit. Një oficer i burgjeve, Sulejman Manoku, premton realizimin e kërkesave të të burgosurve. Të burgosurit kërkojnë të hiqet tortura për ata që nuk realizojnë normën në punë, të përmirësohet ushqimi, të mos ndalohen takimet me familjarët, t’u ulet dënimi të burgosurve që sillen mirë. Të falen Pal Zefi e Tomor Allajbeu, të mos kthehen në birucë. Premtimet nuk mbahen. Urdhërohet policia të hyjë dhe të arrestojë ata që kishin rezistuar paradite. Përleshja qe e dhunshme me të plagosur nga të dyja palët. Të burgosurit fitojnë prapë.
Të rinjtë vendosin rregull. Pengojnë takimet e spiunëve me rrethuesit. Rrëzohen e digjen stendat e agjitacionit komunist, digjen dhe librat e diktatorit. Shkruhen dhe afishohen parulla me përmbajtje politike antikomuniste. Oratorët mbajnë fjalime, recitojnë poezi, kërkojnë mbështetje nga Amerika, Anglia, OKB, Europa e Bashkuar, fyejnë me parulla udhëheqjen e hierarkisë komuniste. Rebelimi merr ngjyra të qarta politike.
Skënder Daja u bën thirrje ushtarëve që të bëhen me të burgosurit. Skënderi, Ulusi Pashollari e Dashnor Kazazi nën breshërinë e plumbave të kallashnikovit lirojnë shokët nga birucat. Të burgosurit ngrenë flamurin pa yllin e kuq. Shqiponjën mbi një beze të kuqe e vizaton i burgosuri Mersin Vlashi. Këndojnë himnin e flamurit. Grupi i atyre që janë më aktivë, të burgosur si: L Burimi, L Koka, G Medolli, D Bejko, H Pashaj, Bedri e Çaush Çoku, Konstandin Papa, etj marrin frerët e drejtimit të rebelimit. Jashtë shtohen forcat me policë, forca speciale, forca vullnetare, ushtarë të garnizonit të Burrelit.
Gdhin data 22 maj 1973. Buka dhe uji janë ndërprerë. Përdorin ujin e depozitave për banjot. Ushqimet personale të secilit bëhen të të gjithëve. Dyqani shtetëror me ushqime nuk grabitet nga të burgosurit. Shtresa e atyre që janë kundër rebelimit ngushtohet. Krijohet Këshilli Krahinor me nga tre-katër pjesëmarrës për secilën krahinë.
Në orën 3 mbas mesnate ka mbërritur në kamp Feçor Shehu, zvendësministri i brëndshëm. Rreth orës 9 drejtori i përgjithshëm i policisë Kasëm Kaçi bën thirrje me megafon që të dorëzohen. Kërcënon, por i kundërpërgjigjen me fyerje. Luan Burimi e fyen si “këlysh i Enver Hoxhës”.
Për demonstrim force qëllohet me kallashnikov mbi të burgosurit. Shfaqet para të rebeluarve zëvendësministri i brendshëm Feçor Shehu dhe shumë autoritete të tjera. Ai fyhet nga thirrjet e të burgosurve, por këmbëngul se do të bisedojë me një përfaqësi të të burgosurve. Drejt tij shkojnë Paulin Vata, Bedri Çoku e Hajri Pashaj. Shkëmbehen fyerje mes Feçor Shehut dhe Hajri Pashajt. H. Pashaj i thotë se komunizmi ka marrë fund dhe e keni radhën ti e shokët e tu të vini këtu. Fjalë që Hajri Pashaj i pagoi me kokë. Nuk arrihet asnjë marrëveshje. Fjalët e H. Pashajt se duam liri, se nuk punojmë më për ju. Se së shpejti do jemi në Evropën e Bashkuar, se nuk dorëzohemi… shoqërohen me thirrjet e të gjithë të dënuarve. Feçor Shehu dhe shpura e tij tërhiqen duke kërcënuar. Ultimatume u vijnë të burgosurve dhe me megafon: do ndërhyhet me zjarr e me hekur në se nuk dorëzoheni deri nesër.
Të pangrënë, nën ankth e tension të burgosurit ndjehen të lodhur. Disa thyhen. Rrëzohet flamuri gjatë natës. Pa rënë dielli i datës 23 maj, forcat e policisë, të trupave sampiste, të ushtrisë ndërhyjnë forcërisht. Përleshja e përgjakshme vazhdoi gjatë. Rebelimi, i mbytur në gjak, u mposht.
Njerëzit më të rrezikshëm për policinë ishin piketuar. Pal Zefi, i arrestuar, ishte në Rrëshen. D. Bejko, S. Daja, H. Pashaj u morën zvarrë, të tjerët që nuk njiheshin nga plagët e shkaktuara nga bishtat e kazmës, u morën dhe me barela. Komanda me lista të parapërgatitura thërriste emrat e rreth 70 të rebeluarve të tjerë që po arrestoheshin. Helikopterët kishin sjellë hetues dhe gjyqtarë nga Tirana. Për grupin e parë me 12 vetë bëhen shpejt e shpejt dokumentet e hetimit dhe të gjykimit. Katër dënohen me pushkatim, 8 të tjerët me nga 25 vjet burg. Gjithçka është e paracaktuar. Janë zgjedhur dy Luanët, Luan Burimi e Luan Koka, dhe Haki Sllatina veterani me 44 vjet burg, dhe Hodo Sokoli, nipi i Hodo beg Sokolit të Lidhjes së Prizrenit. Të burgosur që komunistët i quanin armiq me kokë, me histori. Dervish Bejko dhe Hajri Pashaj ishin me prindër të pushkatuar. Policët denoncojnë Luan Burimin dhe Syrja Lamen se në përleshje kanë rrahur oficerët e policisë.
Disa nga të arrestuarit i hedhin në makina për t’i çuar në birucat e burgut 313 Tiranë. Hetuesia bëhet në Tiranë. Gjyqet për 54 vetë, të ndarë në katër grupe, do të bëhen në Rrëshen gjatë muajit qershor dhe korrik 1973. Ridënimet i lanë këta të burgosur në kampe e në qeli deri sa erdhi viti 1991. Një pjesë do t’i rikthenin në minierat e Spaçit e të Qaf-Barit. Të tjerët, të cilësuar armiq të pandreqshëm, do të mbylleshin në burgun e Burrelit. Gjykata e Lartë në çdo rast ka lënë në fuqi vendimet e gjykatës së shkallës së parë.
Gjyqi ka qenë formal për grupin e parë të të pushkatuarve e të ridënuarve. Gjykimi dhe ekzekutimi mbyllen në 24 orë. Dokumentacioni është voluminoz, dokumentacion që dhe mund të jetë plotësuar më pas, pasi janë ekzekutuar të pushkaturit dhe janë dhënë dënimet për tetë të tjerët. Aranit Çela, kryetari i Gjykatës së Lartë, sipas procesverbalit të mbledhjes së Presidiumit të Kuvendit Popullor të datës 24 maj, pohon se dymbëdhjetë të gjykuarit e parë janë sjellë në Tiranë. Në orën 23 të datës 23 maj u është bërë gjyqi. Kjo nuk përputhet me dokumentet e shkruara. Vendimi i gjyqit dhe procesverbalet e hetuesisë shkruajnë se procesi i hetimit e i gjykimit është bërë në Spaç. Pra, ka shumë mundësi që këto dokumente të jenë plotësuar pas ndëshkimit. Aranit Çela gjithashtu pohon se të dënuarit në gjyq kanë mbajtur qëndrim konsekuent, armiqësor. Presidiumi i Kuvendit Popullor pyet a filloi puna në Spaç dhe lë në fuqi vendimin e gjykatës. Nuk ua fali jetën Hajri Pashajt, 29 vjeç, Dervish Bejkos, 27 vjeç, Pal Zefit, 33 vjeç, dhe Skënder Dajës, 23 vjeç. Gati brenda një dite këta të burgosur masakrohen nga policia, hetohen, gjykohen, ankimohen në Presidium dhe pushkatohen. Shteti komunist e kishte ngritur në këmbë makinën e dhunës nga baza deri në majën më të lartë. Më kot janë mbushur plot dosjet me dokumente. Gjithçka ka qenë e paracaktuar, shteti ka ushtruar terror, ka masakruar, ka vrarë e i ka ndëshkuar mizorisht shtetasit e vet pa i gjykuar.
Papa Francesku kur erdhi në Shqipëri, foli për martirë shqiptarë në radhët e klerikëve. Ashtu siç është pjesë e historisë sonë martirizimi për shkak të besimit i klerikëve tanë, ashtu është i yni dhe ky martirizim i të burgosurve politikë të rebelimit të Spaçit në 21-23 maj 1973. Është një kohë kjo që jetojmë, me ngarkesa të tjera dhe të ngjan se kurrë nuk do ta kemi atë fuqi shpirtërore që të vlerësojmë heroizmin e të parëve tanë. Po, pavarësisht nga ç’ndiejmë a mendojmë ne, ata janë heronj dhe për jetë do të mbeten të tillë.
Ndër të tjera një libër si ky i B. Blloshmit është një homazh për këtë martirizim, për këtë shembull të rezistencës antikomuniste. Ky libër pohon me gjuhën e dokumentit se shteti komunist i burgjeve dhe i terrorit të pashoq nuk i theu, nuk i deformoi disa nga shpirtrat më të mëdhenj të atyre kohëve.