Arsen Zlatiçanin: Parashikimet dhe metoda e shpërndarjes së mandateve sipas kodit zgjedhor aktual
Të bësh një parashikim për rezultatin e këtyre zgjedhjeve, duke u bazuar në rezultatet e zgjedhjeve të mëparshme, është diçka që nuk mund të bëhet me saktësi, sepse mundësia që gabimi të jetë i madh, nuk është e vogël. Kjo, nga mungesa e konsistencës dhe nga kaosi statistikor që vërehet nga tabelat e rezultateve. Gjithashtu edhe sondazhet mund të jenë problematike, përsa i takon gabimit që mund të shfaqet. Kështu p.sh kemi fenomene si:
1. Në qendra votimi në distanca të vogla (qoftë edhe brenda një godine) shfaqen rezultate tepër të ndryshme për subjektet politike, dhe kjo është diçka mjaft e përhapur në gjithë territorin e Shqipërisë. Gjithashtu rezultatet në po këto qendra votimi janë shumë të ndryshme nga rezultatet e zgjedhjeve të mëparshme, gjë e cila pengon që të arrihet ndonjë konkluzion mbi rezultatet që mund të priten, përveç konkluzionit që nuk mund të arrijmë në asnjë konkluzion, si pasojë e analizave matematikore. Shih ( Supermazhoranca ASHE sipas numrave dhesupermazhoranca-aktuale-sipas-numrave)
2. Edhe po të shihet më gjerë, shfaqen shembuj si partia Ora e Shqipërisë e cila mori vetëm 3 vota në qarkun e Lezhës në vitin 2013, ndërsa në vitin 2015 mori 4148 vota, në këtë qark dhe në këto zgjedhje nuk konkuron, ose LSI që në qarkun e Durrësit në zgjedhjet e vitit 2013 mbeti po në nivelet e vitit 2009, ndërsa në pjesën tjetër të vendit uniformisht dyfishoi rezultatin, kurse në vitin 2015 rezultati i LSI pothuaj u trefishua në Durrës, ndryshe nga pjesa tjetër e vendit ku rezultati për LSI u rrit me vetëm 1.5 herë.
3. Gjithashtu edhe sondazhet e kompanive(qoftë edhe prestigjioze), mund të mos jenë të sakta mjaftueshmërisht, dhe këtë e tregojnë shembuj nga zgjedhjet e fundit lokale dhe parlamentare, ku gabimi kalonte edhe 10% apo 15% (p.sh zgjedhjet e fundit lokale në bashkinë Durrës sondazhi i IPR Marketing jepte 54% me 45% për koalicionin e majtë dhe në fakt doli 67% me 32% për koalicionin e majtë).
Kështu, çështja e parashikimit më të saktë, duket se është diçka që i përket më tepër organizimit në bazë të subjekteve politike të interesuara konkretisht, duke mos përjashtuar teorikisht edhe ndonjë element, surprize të pjesshme.
Megjithatë, pavarësisht rezultatit që do të dalë nga kutitë e votimit në numër votash për partitë nëpër qarqe (një tabelë e tipit 18X12, siç e kërkon sistemi zgjedhor), rezultati në numër mandatesh do të jetë kryesori. Për këtë ka një algoritëm matematik (që paraqitet në nenet 162 dhe 163 të Kodit Zgjedhor), i cili konverton tabelën e votave, në tabelë mandatesh. Në varësi të rezultatit në vota, ky algoritëm mundet që të shfaqë edhe dobësi esenciale duke mos marrë në konsiderate qoftë edhe dhjetëra mijëra vota për një subjekt në një qark, apo edhe qindra mijëra në nivel vëndi, në varësi të shpërndarjes së tyre.
Sa për orientim do i referohem rezultateve të vitit 2013, rezultateve të zgjedhjeve lokale të vitit 2015 dhe pjesërisht një projeksioni të kompanisë IPR-marketing, për të ndërtuar një rezultat të mundshëm hipotetik, me qëllim analizimin e mundësisë të luhatjeve në mandate për subjektet dhe analizimin e votave pa efekt, për subjektet.
Për të shfaqur mundësinë e defekteve që mundëson metoda e shpërndarjes së mandateve, për hulumtimin dhe parashikimin e situatave ekstreme, për inspirim mjafton rasti i qarkut të Elbasanit në zgjedhjet e vitit 2013. Partia Socialiste kishte 75086 vota në këtë qark dhe mori 6 deputetë. Edhe sikur të kishte 23900 vota më pak (që i bie mesatarisht, numër votash për 2 deputetë), prapë asgjë nuk do të ndryshonte në lidhje me numrin e mandateve, jo vetëm të sajat por edhe për partitë e tjera. Kështu sikur asnjë qytetar nga bashkia e Elbasanit që votoi PS (18867 vota nga bashkia e Elbasanit kishte PS), të mos kishte dalë në votime atë ditë, asgjë nuk do kishte ndryshuar në lidhje me mandatet. Diçka e ngjashme ndodhi në qarqet e Lezhës e të Kukësit, por edhe ndonjë qark tjetër, ndonëse më me pak efekt. Tani natyrshëm shtrohet pyetja: Po sikur një subjekti t’i ndodhë një firo e tillë votashnë çdo qark, apo në shumicën e qarqeve?
Tabela e mëposhtme (me një rezultat hipotetik racional për zgjedhjet e këtij viti), jep një ilustrim për këtë fenomen:
Siç shihet nga tabela, edhe pse subjekti PD do kishte rreth 6.2% të votave më pak se PS, në rang vendi, prapë në mandate mund të kryesojë, kurse vetëm lëvizje votash me 0.2% – 0.3% më pak në çdo qark për PD, do ta bënte rezultatin nga PS-57 mandate, PD-58 mandate, LSI-22 mandate në PS-67 mandate, PD-46 mandate, LSI-24 mandate. Pra, një konfiguracion krejt tjetër i parlamentit, vetëm në sajë të disa qindra votave. Kurse nga ana tjetër lëvizja e dhjetëra mijëra vota për subjektet e tjera, nuk do të ndryshonte asgjë.
Mund të kemi rezultate më 25 qershor, të tilla që njërit subjekt t’ia bëjnë joefektive edhe 200,000 vota dhe tjetrit vetëm pak mijëra vota, vetëm në sajë të nenit 162 të Kodit Zgjedhor që përcakton mënyrën e shpërndarjes të mandateve, subjekteve politike në bazë të votave të fituara. N.q.s kjo ndodh (gjë që Kodi Zgjedhor e lejon), atëherë do kishim dy fitues të zgjedhjeve: fituesin ligjor dhe fituesin moral, n.q.s ky moralitet nuk do kishte karakter relativ. Gjithsesi nenet e Kodit Zgjedhor nuk i trajtojnë votuesit në mënyrë të barabartë, duke mos garantuar një princip bazë të demokracisë: “Një njeri, një votë”.
Shënim: Në llogaritjen e përqindjeve referuese të vitit 2013 tek tabela, për subjektin PS kam shtuar edhe votat e PSV91, PSM dhe PUK, të cilat kanë deklaruar publikisht mbështetjen për PS, ndërsa për subjektin PD kam shtuar votat e partive aleate, PR, PBDNJ, PDK, LZHK, PBK dhe PAA, që kanë futur kandidatët e tyre në listat e PD (dhe nuk i kanë tërhequr ato).