Albspirit

Media/News/Publishing

Odise Plaku: Enigmë, Engjëlli im

 

Nuk mund të tregoj sa fort të dua,
nën rrënoja i puth buzët e tua.
Eshtrat si çadër mbi trup t’i ngre
syve të mi çdo çast e ke një fole.

Nuk mendoja se ty do të gjeja,
as nuk mundesha edhe të blija.
Kur i humbur isha dhe unë vetë,
ti më bëre dritë në këtë jetë.

Nuk po mundem prapë ta besoj,
a është ëndërr, a jam në realitet?
Ti shikoj sytë dhe prapë dyshoj,
trembem: do iki a do të qëndroj?

E hap zemrën dhe prapë dridhem,
herë gëzoj e prapë zë e frikem.
Si ta quaj një lojë a një fat të ri?
Si ta quaj miqësi apo dashuri?

Enigmë më mbetet ndenja jote
guaskë deti ku shpirtin e mbyll,
peng që rritet greminës si pyll,
herë hënë gënjeshtare, herë yll.

Engjëlli im

Engjëlli im,
ti që qiellin tim pikturon me ngjyrën blu,
më lër të prehem sonte në sytë e tu.
Merrmë nëpër shtigjet e përvëlimit,
shpirti të thërrmohet aty prej harrimit.

Engjëlli im,
do të ndahemi në udhëkryqin e fundit
kur këmbët do më ndalen prej mundit.
Kur gjaku do të shkërmoqet në damarë,
dita do të meket si një plagë e çarë

Engjëlli im,
mos më end andej nga vdekja ka kaluar,
mbi dhimbje mos më mbaj të shaluar.
Në klithjet memece të ëndrrës jo e jo,
me tundime të kota ti mos më torturo.

Please follow and like us: