Albspirit

Media/News/Publishing

“Korçën e ka rrëmbyer dhe hipotekuar një oligarki peleshjane. U mbyllën 970 biznese”

Në bashkëbisedimin e paradites në Sheshin e Lirisë me protestues të ardhur nga Korça, folësit kanë paraqitur të dhëna befasuese krejt të kundërta me kronikat qeveritare në media.

Kryetari i Shoqatës së biznesit të vogël e të mesëm në Qarkun e Korçës, Koli Biraj tha se është premtuar se do hiqeshin xhandarët tatimorë por ndërkohë ata janë akoma aty. “Premtimi për ulje taksash kompensohet me vendosje gjobash që vetëm shumëfishojnë taksat”, tha Biraj.

Bujar Muço nga shoqata e biznesit të vogël tha se biznesi në Korçë është në prag të falimentit. “180 familje që punonin në pazarin e Korçës u hodhën në rrugë. Sot biznesi është drejt falimentimit. 42 % ka rënë fuqia blerëse s​ipas të dhënave tona. 27 mijë biznese janë mbyllur vjet dhe vetëm në Korçë falimentuan 970 biznese të vogla e të mesme”, tha ai.

Mirela Qeleshi, financiere me eksperiencë mbi 20 vjeçare në Korçë, u largua padrejtësisht nga puna. Ajo akuzoi të majtët se kanë marrë peng qytetin duke e zhytur në mjerim të thellë. “Korçën e ka rrëmbyer dhe hipotekuar një oligarki peleshjane e cila ka mbërthyer këtë qytet duke marrë çdo vendim nga një lokal që e di çdo korçar”, tha ajo.

Viola Tasi, nënë e re e papunë tha se nuk ka asnjë mbështetje dhe shpreson nga Republika e re. Edhe psikologia Katerina Mullalli tha se priste të niste punë në qytetin e saj, por edhe pse me kriteret e duhura, asaj iu refuzua puna sepse nuk ishte pjesë e listave të partisë në pushtet.

Please follow and like us: