Albspirit

Media/News/Publishing

Bojaxhi: Zharrëza të mos harrohet si Shkodra

Gjergj Bojaxhi, anëtar themelues i partisë Sfida për Shqipërinë, ka kujtuar dëmshpërblimet e papërfunduara të të dëmtuarve nga përmbytjet në Shkodër për të bërë thirrje që shteti të mos trajtojë në të njëjtën mënyrë edhe banorët e Zharrëzës. “Shpresojmë që shteti ta zgjidhë sa më shpejt çështjen e protestuesve të Zharrëzës, sepse fatkeqësisht praktika tregon që kur bie vëmendja mediatike dhe presioni i opinionit publik, mund të mos ketë rimbursime të plota, si në rastin e përmbytjeve në Shkodër, që në vitin 2011”, është shprehur Bojaxhi në një deklaratë për mediat. Bojaxhi thotë se kjo nuk është një sfidë vetëm e banorëve të Zharrëzës. “Banorët e Zharrëzës nuk janë të vetëm, por kjo është një sfidë e përbashkët që do të tregojë se kush jemi. Zëri qytetar meriton dhe duhet të dëgjohet. Vetëm duke qenë të bashkuar, mund të sfidojmë padrejtësitë e të mos vonojmë zgjidhjet pa arsye”, u shpreh Bojaxhi. Që me nisjen e protestave, Partia Sfida për Shqipërinë ka shprehur publikisht mbështetje ndaj banorëve dhe e ka ngritur si çështje edhe kur vëmendja ndaj tyre nuk ka qenë në nivel kombëtar. Banorët e Zharrëzës, pas udhëtimit maratonë prej qytetit të Fierit, tashmë e kanë zhvendosur protestën e tyre para Ministrisë së Energjitikës. Të vendosur dhe këmbëngulës në kërkesat e tyre, ata kërkojnë nga qeveria një vendim konkret pasi thonë se premtime boshe kanë pasur gjithë këto vite. Ata vijojnë të qëndrojnë në trotuar dhe natën ta kalojnë në rrugë, pasi nuk janë lejuar të ngrejnë çadrat e tyre.

Shkurt 2017

Please follow and like us: