Albspirit

Media/News/Publishing

E kaluara e inkriminuar e 3 kandidatëve për deputetë të LSI

Në zbatim të ligjit të dekriminalizimit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka verifikuar të dhënat në formularët e vetëdeklarimit për secilin kandidat të listës shumëemërore të Lëvizjes Socialiste për Integrim.
Nga verifikimi i të dhënave në formularin e vetëdeklarimit, rezulton se të paktën 3 kandidatë kanë pasur në të kaluarën precedentë penalë, por pavarësisht këtij fakti, KQZ ka arritur në konkluzionet se asnjë prej tyre, në zbatim të ligjit të dekriminalizimit, nuk është në kushtet që t’i refuzohej kandidimi për deputet të LSI-së.

Qarku Berat
Kandidati i LSI-së në Qarkun e Beratit, Klajdi Qama, i renditur i 7-ti në listë ka deklaruar se është dënuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Berat për “Kundërvajtje Penale”, raporton “BalkanWeb”.
Sipas shkresës me nr. 3687/1 prot., datë 02. 05. 2017 drejtuar Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, rezulton se Qama me vendimin Nr. 70 datë 24. 03. 2010 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Berat është deklaruar fajtor për veprën penale “Kanosje”. Mësohet se ai është dënuar përfundimisht me 80.000 lekë gjobë dhe se në bazë të nenit 69 të Kodit Penal është rehabilituar.

Qarku Kukës
Sokol Ponari është kandidat për deputet i renditur i dyti në listën shumëemërore të LSI-së në Qarkun Kukës. Ai ka deklaruar që është dënuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor, për Kundërvajtje Penale “Punë në Interes Publik”.
Sipas shkresës me Nr. 3687/1 prot., datë 02. 05. 2017 drejtuar Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, rezulton se Ponari me vendimin Nr. 2582 date 04. 11. 2014 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë është deklaruar fajtor për veprën penale “Kundërshtim i Punonjësve të Policisë Rendit Publik” dhe është dënuar me 2 muaj burgim në aplikim të nenit 63 dhe është vënë të kryejë një punë në interes publik për një kohë prej 60 orësh. Në bazë të nenit 69 të Kodit Penal, ai është rehabilituar.

Qarku Tiranë
Ylli Shehu, i renditur i 9-ti në listën e kandidatëve për deputetë të LSI-së në Qarkun Tiranë ka deklaruar që është dënuar me gjobë me vendim gjyqësor të formës së prerë të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për Veprën Penale “Kontrabandë me mallra të tjerë”.
Por referuar ligjit të dekriminalizimit, KQZ bën me dije se asnjë kandidatë nuk është në kushtet e nenit 2, të ligjit nr. 138/2015, për refuzimin e tyre si kandidat për deputet të LSI-së./BW/

Please follow and like us: