Albspirit

Media/News/Publishing

Sulmi ndaj Arbanës si sulm ndaj Kosovës

 

 

Suzana Tahiri

 

Befas Kosova është tronditur nga një ngjarje e rëndë dhe e paprecedentë: sulmohet nga persona të panjohur gazetarja dhe publicistja e njohur Arbana Xharra, tashmë edhe e përfshirë në politikë me Partinë Demokratike.

Padyshim që është një akt i rëndë, i papranueshëm në aspektin njerëzor sepse është goditur një femër, një grua, një motër dhe organet e drejtësisë duhet që sa më parë të ndëshkojnë personat përgjegjës. Është gjithashtu një akt qyqar, një sjellje burracakësh e kryer nga persona të errësirës.

Me goditjen e Arbanës jemi vrarë të gjithë, politikanë e qytetarë, të rinj e të reja, i madh e i vogël.

Solidarizimi pro Arbanës dhe kundër këtij akti vandal ka ardhur menjëherë nga të gjitha institucionet ndërkombëtare, përfshi Shefen e Misionit për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Alexandra Papadopoulou, Shefen e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova, Ambasadori i SHBA, Greg Delawie dhe shumë personalitete të artit, të kulturës, botës akademike universitare, të shoqërisë civile, komunitetit të medias brenda dhe jashtë vendit, ish-komandantë dhe luftëtarë të UÇK, etj.

Ashtu si gjithë Kosova edhe unë ndihem pranë saj, në shërimin e saj sa më të shpejtë duke u lutur që akte të tilla të mos përsëriten më dhe personat përgjegjës të marrin ndëshkimin e merituar nga drejtësia.

Ky rast është një apel më shumë për krejt shoqërinë shqiptare që të denoncojë fort aktet e dhunshme ndaj seksit femëror, por edhe një apel për politikën që përfaqësimi femëror të jetë më i madh në pushtetin Legjislativ, në atë Ekzekutiv dhe në të gjitha nivelet e tjera të drejtimit dhe vendimmarrjes.

Please follow and like us: