Albspirit

Media/News/Publishing

Ish-gjyqtarja Andrea dënohet me 4 vite burg, por s’do mbyllet asnjë ditë në qeli

Ish-gjyqtarja Majlinda Andrea u dënua për korrupsion sot nga Gjykata e Lartë, institucioni ku ka punuar derisa ndaj saj u ngritën akuza se ka marrë 50 mijë euro për një vendim pronësie.

Gjykata e Lartë dha 4 vite burg për Andrean, por Kolegji Penal e pezulloi dënimin me burg duke konvertuar atë me shërbim prove.

Pra, ish-gjyqtarja nuk do të mbahet asnjë ditë në qeli, kushti i vetëm është që në 3 vitet e ardhshme të mbajë kontakte me shërbimin e provës. Po kështu i është hequr e drejta për të ushtruar profesionin për 5 vite.

Sakaq, surprizë ishte i shoqi. Shtetasi Odisea Andrea u dënua sot me 1 vit e gjysmë burg, por ai nuk ishte në sallën e gjyqit. Duke qenë se vendimi është i formës së prerë sot duhet ti viheshin prangat dhe duhet të dërgohej në institucionet e vuajtjes së dënimit. Pritet për tu parë nëse Andrea do të dorëzohet apo do të arratiset siç bëri disa muaj më parë kur policia e shpalli në kërkim për korrupsion.

Po kështu  me nga 1 vit e 6 muaj burg gjykata dënoi edhe Petraq Dashin dhe të pandehurin Ilia Çabiri. Ndërsa të pandehurën Eleni Lino gjykata e dënoi me 1 vit burg por dënimi ju konvertua në shërbim prove për dy vitet e ardhshme.

Të pandehurit akuzoheshin për korrupsion, ku bashkëshorti i ish-gjyqtares ka përfituar rreth 50 mijë euro që Majlinda Andrea t’i favorizonte palët me një vendim për njohjen e pronës.

Avokati i ish-gjyqtares, Theodhori Sollaku ishte i pakënaqur me vendimin ai tha për mediat se “I gjithë procesi u bazua në interpretime të njëanshme të prokurorit. Sa i takon interpretimeve të të pandehurit dhe mbrojtjes, gjykata nuk i mori parasysh. Është një precedent i rrezikshëm pasi na kujtohen kohën e agjitacion propagandës. Ne do t’i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese pasi dënimi i dhënë është bërë pa prova. Janë shkelur të drejtat e njeriut”, u shpreh Sollaku.

Please follow and like us: