Albspirit

Media/News/Publishing

Shkolla “Adrian Klosi”, shpërthejnë debatet në rrjetet sociale

Ditën e djeshme kreu i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj së bashku me ministren e arsimit Lindita Nikolla, ambasadoren Vlahutin dhe familjarë inaguruan shkollën e re të kryeqytetit që do të mbajë emrin e Ardian Klosit.

Sigurisht që vepra e Klosit do të mbahet mend gjatë, po për moderatorin Edi Oga, emërtimi i një shkolle 9-vjeçare me emrin e tij nuk është zgjidhja më e mirë e mundshme. Pa ulur për asnjë çast vlerat e Klosit si personalitet, fundi i jetës së tij (vetëvrasja) për moderatorin dhe të tjerë persona të përfshirë në debat nuk është rruga më e mirë e mundshme.

Kjo sipas tij sepse fëmijët në atë moshë janë janë kuriozë të dinë përherë e më shumë.

‘’ Ardian Klosi është padyshim një figurë e rëndësishme e kulturës shqiptare, por unë do të kisha votuar kundër vendosjes së emrit të një personi që ka vrarë veten, një shkolle fëmijësh…”, shkruante moderatori.

Po pas kësaj reagimet kanë qenë të shumta, dhe ajo çka ka dashur të thojë autori është konfuzuar jo pak. Për këtë atij i është dashur të bëjë një sqarim të mëvonshëm, ku rithekson se vlerat e Klosit janë të padiskutueshme, dhe pse jo emri i tij t’i vendosej një universiteti, por jo ama një shkolle 9-vjeçare.

“Me dëshirën e mirë për të mos humbur (pa arsye) reputacion dhe miq të vlefshëm, nga ndonjë keqkuptim i gjeneruar në kokën e dikujt nga leximi me “çelësin e tij personal” të statusit tim mbi emërvënien e një shkolle, po përpiqem që atë që kam thënë në tre rreshta, ta shtjelloj në tridhjetë rreshta.
Perceptimi aktual i veprimtarisë publike të zotit Ardian Klosi, i mundëson atij përjetësimin në institucione apo vepra publike, duke u bazuar në ligjshmërinë dhe sistemin tonë të vlerave dhe vlerësimeve. Personalisht kam stimë të veçantë për të si njeri i letrave, dhe nuk do të shtroja kurrë për diskutim dakordësinë time, nëse emrin e tij do ta mbante një rrugë, një bibliotekë, një institut kërkimesh filologjike, një klinikë neuropsikiatrike. Në një shkollë ku shkojnë fëmijët nga 6 deri 15 vjeç, nuk më shkon.
Unë nuk jam studiues i semiotikës apo semantikës dhe nuk dua të diskutoj teknikisht për çeshtje ku nuk jam ekspert, por e shoh thjesht dhe praktikisht; një fëmijë i nivelit elementar të shkollimit, nuk është në gjendje të “metabolizojë” shpjegimin jo kompetent të mësuesve për depresionin dhe vetëvrasjen. Le t’ua shtyjmë për pak më vonë ndalesën në stacionet e të kuptuarit të këtyre dy fenomeneve. Le t’i vendosim emrin Ardian Klosi një shkolle të mesme a një universiteti.
Unë nuk e di si keni qenë ju apo si janë fëmijët tuaj të asaj moshe, por fëmijët që unë njoh janë kuriozë dhe të ndjeshëm. Përse të shkaktojmë traumë qoftë edhe tek një fëmijë i vetëm, i cili i pamjaftuar nga shpjegimi gjysmak dhe aftësia e tij për të kuptuar gjëra “të rënda” në moshë të njomë, zgjohet trembshëm në mesnatë?!
Kam një ndjesi sikur vetë Klosi i kohëve të kthjellëta dhe pa vuajtje, do ta refuzonte një “nder” të tillë, nëse do të kish paramenduar se do të largohej nga kjo Botë me atë gjest ekstrem”, shkruan Oga pak minuta më vonë.

Dhe debati sigurisht që do të vazhdojë gjatë…argumentet janë hedhur në fushën e lojës.

Please follow and like us: