Albspirit

Media/News/Publishing

Anila Kalleshi: Farmacia që nuk dini, kur ilaçet janë vetëm fara

Nervozë dhe në ankth, çaji qetësues me fara lulëkuqeje….

A e keni menduar përse vallë janë kaq të çmuara farat? Sepse një farë është jeta e një bime të re. Për këtë arsye ato janë aq të ushqyeshme dhe të kompletuara, mund t’i krahasojmë edhe pak me vezën. Farat janë të pasura në lëndë thelbësore ushqyese siç janë proteinat, yndyrnat esenciale, vitaminat dhe mineralet. Veçanërisht të pasura në vitaminë E, farat fuqizojnë forcën tonë antioksiduese dhe na ndihmojnë të neutralizojmë çdo agjent agresiv ndaj qelizave tona. Yndyrnat esenciale rrisin imunitetin dhe përmirësojnë shëndetin e trurit tonë. Proteinat na japin lëndën e parë për ndërtimin e muskulaturës, por edhe të hormoneve dhe enzimave pa të cilat nuk do kishte jetë. Për më tepër, farat kanë edhe fibra bimore të cilat luajnë rol mbrojtës për aparatin tretës, luftojnë kolesterolin dhe lidhen me rrezikshmëri më të ulët të kancerit të gjirit dhe të mushkërive. Kështu, farat, këto kokrriza të vogla, janë shpesh të futura nëpër ilaçe, ndërsa ju mund t’i merrni natyralisht si parandaluese dhe trajtuese të sëmundjeve të ndryshme. Në vijim, keni benefitet shëndetësore të disa prej farërave, të cilat i përdor edhe vetë…

FARAT E KUNGULLIT, TË PASURA ME HEKUR

Një mrekulli e vogël e natyrës, për të cilën nuk jemi aq të vetëdijshëm për vlerën e tyre ushqyese. Ato ndihmojnë në luftën kundër qelizave kancerogjene, por edhe kundër një humori të keq. Janë të pasura me proteina, magnez, fibra, mangan dhe fosfor. Në mënyrë që të forcojmë sistemin imunitar dhe të ndihmojmë trupin për të zhvilluar qelizat, të përmirësojmë gjumin, shikimin dhe lëkurën, kemi nevojë për zink. Ato përmbajnë një përqindje të lartë të zinkut. Këto fara të mahnitshme përmbajnë kompozime që ndihmojnë trupin të luftojë kundër qelizave kanceroze. Femrat që kalojnë nëpër menopauzë dhe që konsumojnë dozën e rekomanduar ditore të këtyre farave, e reduktojnë rrezikun e kancerit të gjirit në më shumë se 23 për qind. Vaji nga farat e kungullit është shumë efektiv në trajtimin e prostatës. Ky vaj përmban fitokemikale dhe antioksidues që luftojnë radikalet e lira në trup dhe kështu parandalon formimin e qelizave që shkaktojnë kancerin. Ato janë një burim i shkëlqyer i proteinave dhe janë përbërësit kyç në luftën kundër peshës së tepërt. Një grusht fara përmbajnë një mesatare prej pesë gram të proteinave, gjë e cila ju ndihmon të ndiheni të ngopur. Farat e kungullit janë të rekomanduara për shëndetin mendor dhe trupor, si dhe ndihmojnë për të luftuar stresin. Një filxhan me fara kungulli përmban rreth 285 kalori, kështu që nuk është e këshillueshme që të konsumoni më shumë se 30 gram të këtij ushqimi shumë kalorik.

FARAT E SUSAMIT, TË PASURA ME KALCIUM

Farat e susamit konsiderohen si ushqim mjaft i shëndetshëm. 100 gr fara përmbajnë 573 kalori, edhepse pjesa më e madhe e kalorive të saj vjen nga yndyrnat, susami përmban edhe vlera tjera ushqyese si minerale, antioksidantë dhe vitamina. Farat e susamit janë të pasura kryesisht me mono-acide yndyrore të pangopura, acid oleik. Acidi oleik ndihmon në uljen e kolesterolit të keq dhe rritjen e kolesterolit të mirë në gjak. Farat e susamit janë gjithashtu burime të vlefshme të proteinave dietike me aminoacide cilësore që janë të domosdoshme për rritje, sidomos tek fëmijët. Vetëm 100 gr fara sigurojnë rreth 18 gr proteina, 32% të vlerave të rekomanduar në bazë ditore. Farate susamit përmbajnë shumë komponime shëndetësore siç është sesamol (3,4 – metilen-dioxyphenol), sesaminol, furil-methanthiol, guajacol. Sesamoli dhe sesaminoli janë antioksidantë fenolik. Së bashku, këto perberes ndihmojnë në largimin e radikaleve të dëmshme nga trupi i njeriut. Susami është një ndër farat e pasur me vitamina cilësore si dhe minerale. Janë gjithashtu një burim i mirë i vitaminave B-kompleks, vitamina të tilla si niacin, acid folik, vitamin B1 (thiamin), vitamin B6 (pyridoxine) dhe riboflavina. 100 gr fara susam përmbajnë 97 mg të acidit folik, rreth 25% të marrjes së rekomanduar ditore. Acidi folik është thelbësor për sintezën e ADN-së. konsumi i tyre nga nënat e ardhshme që dëshirojnë të konceptohen, ndikon në parandalimin e defekteve të tubit nervor tek të sapolindurit. Niacina është një tjetër vitaminë B-komplekse që gjendet në sasi të lartë tek susami. Rreth 4.5 mg apo 28% i nivelit të përditshëm të niacinit ofrohet me 100 gr fara të tilla. Niacini ndihmon në zvogëlimin e niveleve të kolesterolit në gjak. Përveç kësaj, ajo rrit aktivitetin brenda trurit, gjë që ndihmon në uljen e ankthit dhe neurozës. Farat janë burime të pasura me minerale esenciale. Kalciumi, bakri, hekuri, mangani, zinku, magnezi dhe seleni janë të përqëndruara kryesisht tek fara e susamit. Shumë nga këto minerale kanë një rol të posaçëm në mineralizimin e eshtrave, prodhimin e qelizave të kuqe të gjakut, sintezën e enzimeve, prodhimin e hormoneve si dhe rregullimin e aktivitetit të zemrës dhe muskujve. Vetëm një grusht fara susami në ditë siguron nivelin e mjaftueshëm që rekomandohet në bazë ditore, duke përfshirë antioksidantë fenolik, minerale, vitamina dhe proteina.

 

FARAT E LULEDIELLIT JANË TË PASURA ME FOLATE

Farat e lulediellit janë një produkt që kanë një përmbajtje të shkëlqyeshme vitaminash B1, B5 dhe E. Vitamina E është shumë e rëndësishme sepse vepron si një antioksidant në trupin tonë dhe lufton radikalët e lirë. Ajo konsiderohet si një vitaminë kundër plakje dhe shton imunitetin. Më së shumti nevojë për Vitamina E kanë nevojë femrat shtatzëna dhe ato me foshnja që i ushqejnë me gji. Vetëm 50 gramë fara të lulediellit ofrojnë 100 për qind të nevojave për Vitaminë E për trupin e njeriut. Këto fara janë burim i mirë i mineraleve siç është magnezi, potasiumi, hekuri dhe magnezi. Farat e lulediellit përmbajnë gjithashtu amino-acide fibra dietalë dhe acid linoleik (acid ky shumë i rëndësishëm kundër dhjamit), ato gjithashtu përmbajnë yndyra që ulin nivelin LDL (kolesterolin e keq) dhe e rrisin HDL (kolesterolin e mirë).

FARAT E LINIT, ME OMEGA 3

Farat e linit janë të pasura me semi OMEGA 3 (që, kujdes, preferohet të shtypen me një çekiç përpara se të konsumohen për të përftuar vlera maksimale ushqyese). Farat e linit përmbajnë komponentë të shumtë të dobishëm, duke përfshirë vitamina, minerale, acide yndyrore dhe fibra, të cilat e normalizojnë punën e zorrëve. Ky lloj i farave e pastron organizmin nga toksinat, e normalizon metabolizmin, ul nivelin e sheqerit në gjak dhe e ul oreksin. Duke vepruar kështu, absorbon përbërës të caktuar nga ushqimi të cilin e konsumojmë, i pastron zorrët dhe në të njëjtën kohë e siguron organizmin me lecitinë. Acidet yndyrore që përmbajnë farat e linit, e aktivizojnë indin dhjamor, duke ndihmuar në “shkrirjen” e tij. Për këtë shkak, farat e linit ju ndihmojnë që të bini nga pesha.

 

FARAT E KOPRËS, DIURETIKE

Farat e koprës janë të mbushura me vitamina, minerale dhe lënde ushqyese, të cilat pozitivisht ndikojnë në shëndetin, pa marrë parasysh gjininë dhe moshën. U jepen edhe fëmijëve dhe foshnjave kur kanë probleme me tretjen. Ato ndikojnë së diuretikë, përdoren me rastin e fryrjes së barkut, kapsllëkut, thartirës dhe i ndihmojnë organizmit që më shpejtë t’i absorbojë përbërësit ushqyes nga ushqimi. Ndihmojnë, gjithashtu, në mënjanimin e erës së keqe nga goja, janë më të shëndetshme dhe më efikase se çamçakizët. Në mjekësinë alternative u rekomandohen personave që kanë bronkit, kollë të fortë dhe infeksione të traktit respirator, kanë ndikim antioksidues. Studime të ndryshme kanë zbuluar se zbusin edhe disa lloje të tumoreve. Gjithashtu, është dëshmuar se në doza të caktuara mund ta ulin tensionin e gjakut, sepse përmbajnë kalium, kalcium dhe fibra. Ndihmojnë edhe gjatë problemeve menstruale, stimulojnë funksionimin e trurit dhe parandalojnë ndryshimet degjeneruese si demenca dhe sëmundja e Alzheimerit.

FARAT E LULËKUQES, QETËSUESET NERVORE

Këto fara përmbajnë shumë komponime kimike që kanë vlerë të antioksidantëve, parandalojnë sëmundjet dhe garantojnë shëndet të plotë. Aroma e tyre unike dhe shija e këndshme vjen për shkak të acideve yndyrore dhe vajrave esenciale, të cilat përbëjnë rreth 50% të peshës neto. Këto fara janë veçanërisht të pasura me acid oleik dhe linoleik dhe acide yndyrore që ndihmojnë në uljen e kolesterolit të keq në gjak. Ndërkaq, lëvorja e jashtme e këtyre farave është një burim i mirë i fijeve dietike. 100 gr fara të papërpunuara sigurojnë 19.5 gr ose 51% të nivelit të rekomanduar ditor të fibrave. Pjesa më e madhe e këtyre fibrave ndihmon në përthithjen e ushqimit dhe në këtë mënyrë duke lehtësuar problemin e kapsllëkut.Përveç kësaj, fibrat dietike lidhen edhe me kripërat biliare (produkt i kolesterolit) dhe uljen e absorbimit të tyre në zorrë. Kështu ajo ndihmon në rënien e mëtejshme të niveleve të kolesterolit në gjak. Këto fara janë burim i shkëlqyer i vitaminave B-kompleks, si thiamin, acidi pantotenik, pirodiksin, riboflavin, niacin dhe acidi folik. Farat e lulëkuqes përmbajnë gjithashtu nivele të mineraleve si hekur, bakër, kalcium, kalium, mangan, zink dhe magnez. Bakri shfrytëzohet në prodhimin e qelizave të kuqe të gjakut. Zinku është një bashkë-faktor në shumë enzime që rregullojnë rritjen dhe zhvillimin, prodhimin e spermës, tretjen dhe sintezën e acidit nukleik. Kaliumi është një komponent i rëndësishëm i qelizave dhe lëngjeve trupore, që ndihmojnë kontrollimin e rrahjeve të zemrës dhe presionin e gjakut. Farat e thata përmbajnë nivele shumë të vogla të alkaloideve me përmbajtje opiumi, si morfinë, thebaine, codiene, papaverine etj. Kur konsumohen në ushqim, këto komponime prodhojnë efekt minimal në sistemin nervor të njeriut. Këto kimikate janë gjetur që të kenë efekte të dobishme për trupin e njeriut, zbusin nervozizmin nervor, veprojnë si qetësues dhe zvogëlojnë dhimbjet. Ekstrakti i nxjerrë nga këto fara, është shumë i dobishëm në farmaci dhe ilaçe tradicionale. Farat e lulëkuqes përdoren mbi të gjitha, si element shtues dhe dekorativ në përgatitjen e bukës, krakersave, tortave dhe biskotave. Janë nga përbërësit tipikë që përdoren shpesh tek strudeli, sikurse dhe në receta të tjera të ëmbla dhe të kripura. Personalisht i përdor shpesh si shoqëruese me perimet e gjalla, në supra të ndryshme, sallatra, me kos, ose shoqëruese e mishit dhe peshkut.

Në formë çaji: 2 lugë çaji fara lulëkuqe hidhen në ½ gotë ujë që zien. Ena mbulohet me kapak dhe lihet gjysëm ore. Lëngu kullohet dhe pihet i ëmbëlsuar. Pihen 1-3 doza të tilla në ditë, sidomos në rastet ankthioze e nervozet.

Kos me fara për të humbur peshë

Zorrët e shëndetshme janë sinonim me shëndet të mirë në përgjithësi, pasi një pjesë e madhe e mbrojtjes së trupit e ka origjinën nga mëlçia, ku gjithashtu rregullohen proceset e ndryshme hormonale. Kosi natyral përmban probiotikë, një lloj i baktereve të mira që rregullojnë florën e zorrëve dhe mbrojnë mikroorganizmat e dëmtuara.

PËRBËRËSIT:

1 filxhan kos të thjeshtë

1 lugë gjelle fara lini (14 g)

1 lugë fara susami (14 g)

1 lugë gjelle fara luledielli (14 g)

PËRGATITJA:

Përzieni të gjitha farat me kosin, e lini të qëndrojë 30 minuta dhe më pas e hani atë. Koha për të pushuar është shumë e rëndësishme, për shkak se ajo lejon të gjithë ushqyesit të përqendrohen në kos.

 

Xhel me fara lini që ju mbush me estrogjen

Siç e thamë, farat e linit përmbajnë sasi të mëdha kaliumi, magnezi, vitaminë E, amino acidet esenciale, duke përfshirë acide yndyrore omega-3. Ato kanë një efekt të madh jo vetëm në shëndetin e përgjithshëm të njerëzve, por edhe në lëkurë, si një zgjidhje e shkëlqyer kozmetike. Kjo maskë me fara lini pastron fytyrën thellësisht nga të gjtha papastërtitë. Gjithashtu ajo minimizon poret e mëdha, zvogëlon ynydyrën dhe ngadalëson formimin e rrudhave. Falë përmbajtjes së fitoestrogjenit (estrogjen bimor), ato e bëjnë lëkurën të butë, elastike sidhe aktivizojnë proceset e rigjenerimit.

PËRBËRËSIT:

1 lugë gjelle fara lini

1/3 gotë ujë të nxehtë

PËRGATITJA

Së pari është shumë e rëndësishme t’i blini farat e linit të një cilësie të lartë, që nuk përbajnë lagështirë. Kombinononi në një gotë me ujë të nxehtë farat e linit. Këtë proces bëjeni në mëngjes, mbulojeni gotën me një pecetë dhe lëreni përgjatë gjithë ditës. Në mbrëmje kullojeni ujin i cili ka marrë formën e një lëngu xhelatinoz, duke qenë se farat e linit kanë lëshuar ekstraktin e tyre plotësisht. Aplikojeni me një copë pambuku në fytyrë dhe në qafë. Lyejeni atë 5 herë radhazi brenda natës, derisa të ndjeni një ndjesi mpirje që nuk mund të flisni e as të qeshni. Më pas lajeni fytyrën me ujë të ngrohtë dhe vendosni një krem hidratues. Mjafton ta aplikoni këtë maskë për 12 ditë rresht, dhe do të shihni rezultate mahnitëse në fytyrën tuaj. Lëngun xhelatinoz gjithashtu mund ta pini, me nga një lugë gjelle në ditë, pasi ju mbush me estrogjen, ju përmirëson tretjen, forcon kockat etj.

Please follow and like us: