Albspirit

Media/News/Publishing

Dr.Argita Zalli. Anglia i vodhi fëmijërinë, por i realizoi ëndrrën; 26 vjeçe u bë Doktore shkencash

Asaj i bëri përshtypje vizorja, çanta me Mickey Mouse që një shoku të klasës ia kishte sjellë i ati nga Greqia. Në klasën e tyre ai gëzonte njëfarë privilegji social duke tejçuar idenë se jashtë Shqipërisë është shumë bukur. E gjitha kjo u kombinua me ngjarjet e frikshme të 97-ës ku edhe fëmijët farkëtoheshin me idenë se duhej larguar një ditë e më parë. Çdo bisedë në shkollë apo në lagje ishte e përqendruar tek të larguarit, nxënës që braktisnin bankat e shkollës, të rinj shpresëhumbur, që ktheheshin në “braktisës”.

’97  viti i mbrapshtë i shqiptarëve shënoi nisjen e udhëtimit për 13-vjeçaren Argita Zalli. Së bashku me motrën binjake dhe prindërit e tyre morën udhë drejt së panjohurës, ku ikja ishte i vetmi shpëtim. Shpeshherë Argita e kujton këtë moment me ndjeshmërinë e një mjekje akademike ku dhimbshëm pohon se Anglia ua vodhi fëmijërinë.

Ishte vetëm 13 vjeçe kur u gjend në Britaninë e Madhe, ku thyhej çdo perceptim apo ëndërr për qytetin e madh dhe me drita, për lodrat e bukura të fëmijërisë. Dalëngadalë e kuptonin se të qënurit “pa letra” e kufizonte në shumë aspekte, dhe i vetmi ngushëllim ishte motra binjake me të cilën ndanin çdo gjë. Ajo beson se rezultatet e larta në mësime ishte shpërblimi më i mirë për sakrificën e prindërve të tyre.

Po si lindi dëshira për tu bërë mjeke?

Argita na tregon ngjizjen e kësaj ëndrre të fëmijërisë.

“Kur isha 4 vjeçe Gjyshi im Llazi dhe Nëna Lira më blenë një çantë me të gjitha mjetet e mjekut dhe me mbahet mend kur luaja me motrën time binjake Detinën sikurse të ishim doktoresha. Që të vogla ishim te vendosura ta bënim ëndrrën tonë realitet (edhe përse gjërat nuk shkuan tamam si i planifikuam sepse ne sot jemi shkencëtare edhe jo mjeke), duke qenë dy nga nxënëset më të mira të shkollës “Hekuran Maneku” në Patos.

Si një fëmijë 13 vjeçare, nuk arrin të kuptosh tamam sakrificën e prindit. Si një 31 vjeçare, kuptoj se duhet shumë kurajo, forcë, besim por veçanërisht dashuri, të heqësh dorë nga jeta jote duke lënë një copë të madhe zemre në Shqipëri, e të ecësh drejt së panjohurës, duke pasur një përgjegjësi aq të madhe siç është ajo e sigurimit të  ardhmen e fëmijëve të tu, në një shtet të huaj. Për këtë arsye puna jone ishte e lehtë në krahasim me atë të prindërve. Prandaj unë nuk do të arrij kurrë t’ua shpërblej dot gjithë sakrificat prindërve të mi, të cilët janë heronjtë e mi.

Ëndrrën për tu bërë mjeke e kishin ruajtur fort në mesin e kujtimeve të shumta të fëmijërisë.

Kur erdhëm në Angli, shton ajo,  shkuam në Secondary Sçool, ku si unë, dhe Detina dolëm dy nxënëset më të mira, dhe me pas fituam një vend në shkollën më të mirë të qytetit, Grammar School, në Folkestone “The Folkestone School For Girls” ku përfunduam A-Levels (Gjimnazin) me nota shumë të mira, të cilat do të na siguronin një ofertë nga Universitetet angleze në mjekësi, në baze të marrjes së dokumenteve.

Ishte pengesa e parë që ndeshën. U refuzuan. Nuk kishin dokumente qëndrimi.

Por motrat binjake e përjetuan në mënyra të ndryshme këtë gjendje. Motra e madhe, Argita  na tregon për atë moment: “Ndërsa unë isha në atë kohë një 18 vjeçare e dëshpëruar të cilës i përfundoi ëndrra për të cilën kishte punuar aq shumë, motra ime binjake, e cila e kishte marrë më me pozitivitet këtë humbje, zbavitej me mua, duke me incizuar në një video e duke më thënë se këtë moment do ta mbante mend për gjithë jetën.

Ndërkohë,  kishte aplikuar në emër timin dhe të sajin në Molecular Medicine Programme në University of Sussex (të cilët për shkak të notave tona shumë të mira, na dhanë 2 muaj kohë afati të merrnim dokumentat, dhe fati jonë që përmes ndihmës së disa personave të mrekullueshëm në shërbimet sociale, e shpejtuam procedurën dhe i morëm në kohë).

Dhe kështu filloi udhëtimi i saj…

Pas përfundimit të Molecular Medicine, dëshironin të dyja të vazhdonin doktoratën, dhe kishin filluar të aplikonin në disa vende. Ndodh ndonjëherë që fati mund të ndihmojë por jo aq sa motra binjake. Kështu ndodhi me motrat Zalli kur u ftuan për tu intervistuar në universitetin e Birmingham-it. Ndërkohë që Argita nuk e kishte idenë më të vogël që e motra kishte aplikuar edhe për të, erdhi momenti që të dy motrat do konkurronin përballë njëra-tjetrës për të kryer doktoratën në fushën e Immunology në Universitetin e Birmingham.

Një sfidë jo fort e zakonshme, mbase unike në llojin e saj që u fitua jo nga aplikuesja por nga “e ftuara”. Ishte një kthesë interesante në karrierën e saj dhe Argita e konsideron si privilegj këtë periudhë pasi gjatë doktoratës pati mundësinë të mësonte dhe nga “heronjtë” e imunologjisë, njëri prej të cilëve ishte dhe co-supervisor – i saj  dhe të zhvillonte aftësitë e saj shkencore në një degë për të cilën e kishte me shumë pasion.

Pas përfundimit të doktoratës, u shpërngul në Londër dhe filloi të punonte si post-doc (post-doktoratën) në University College London, duke  punuar me disa nga shkencëtaret më të mëdhenj në botë në fushën e psikobiologjisë ku u fokusua në disa projekte shkencore, njëri prej të cilëve investigonte mekanizmat molekular se si stresi shkakton sëmundjet kardiovaskulare.

Ajo shprehet se: “UCL ishte një eksperiencë e shkëlqyer dhe pata fatin të më ofrohej mundësia të punoja në projekte të rëndësishëm dhe publikova në gazeta të mëdha shkencore si PNAS, ku unë jam autorja e parë edhe një nga autoret është gjithashtu edhe  Prof. Elizabeth Blackburn (fituesja e çmimit Nobel në Fiziologji dhe mjekësi). Dhe ndihem krenare për këtë.

Duke qenë gjithmonë e pasionuar, të ndaja dijen time me studentët të shkencës dhe mjekësisë, dëshiroja shumë të jepja leksione, por isha e vetëdijshme sepse këto oportunitete ishin të rralla, në një Universitet më me emër”.

Ambicioze? Jo vetëm. Pedagogia shqiptare sfidon veten duke marrë iniciativën për të krijuar një module/ kurs të ri (në fushën e neuro-immunology dhe në research methods in immunology) që nuk ishte shfaqur me parë (në medical student selected components course (SSC)) për studentet e mjekësisë në UCL. Pasi kishte formuluar idetë e saj, kontaktoi drejtorin e SSC (një nga doktorët me inspirues në UCL, fituesi i disa çmimeve si pedagogu me i mirë në UCL) dhe i prezantoi ato, duke shpresuar se do ta aprovonte kursin.

Ai pasi e shqyrtoi vendosi ta aprovonte kërkesën e saj. Një vit më vonë  komentet e studenteve pas mbarimit të kursit ishin të shkëlqyera.

Një sukses i padiskutueshëm i Dr Argita Zalli që nuk do të ishte befasi kur një vit më vonë ishte vet doktori që i kërkoi ta ri-drejtonte atë kurs.

“Ishte një eksperiencë fantastike dhe u ndjeva shumë e vlerësuar pasi mora edhe çmimin si UCL medical students’ top teaching award”- thotë Argita. Pra një nga këshillat që do t’ju jepja studentëve është të ri-theksoja një shprehje nga Abraham Lincon “Mënyra më e mire për të parashikuar të ardhmen është ta krijosh vetë atë”.

Pas dy vite e gjysmë në UCL, “nuk mund të rrinte rehat” por dëshironte ta sfidonte veten me një tjeter projekt të rëndësishëm dhe të ndryshëm shkencor në mënyrë që të mësonte aftësi të reja shkencore që nuk i kishte më parë. Për këtë arsye lëvizi në Imperial College London, ku para pak kohe përfundoi se punuari me një projekt në fushën e haematologjise, i cili shpresojmë të publikohet muajt e ardhshëm.

Për më tepër vazhdoi të jepja leksione studentëve të mjekësisë, të masterit (post-graduate) si edhe under-graduate student), dhe fitoi një bursë prestigjioze në lidhje me edukimin në Universitet – si të ndryshojmë edukimin në mënyre efikase duke përdorur metoda dhe teknologji të reja që mbështesin studentin.  Tashmë po punon si pedagoge, në Imperial College London, ku ka kontribuar dhe po kontribuon në zhvillimin e një programi super-emocionues duke punuar me një skuadër të shkëlqyer e përbërë nga pedagogë që vijnë nga Universitetet  nga më të mirë në botë si Harvard, Oxford dhe Cambridge.

Për më tepër pati privilegjin të fitonte një bursë tjetër prestigjioze të cilën sapo ka filluar ta ndjekë me shumë pasion.

Cili ka qenë  çelësi i suksesit të saj?

Argita shprehet se  nuk  ka menduar ndonjëherë për suksesin që ka arritur – dhe ndoshta nuk do ta quante akoma sukses derisa të arrijë të plotësoje atë ëndrrën e madhe.

Por një nga çelësat e mëdhenj e të ecurit përpara është “dështimi”, sepse siç e ka thënë edhe Einstein “çdo gabim na mëson diçka”.

Por suksesi për Argitën  “është një valixhe me shumë mjete të integruar njëra me tjetrën si, vendosmëria, puna e fortë, integriteti personal, sinqeriteti, thjeshtësia, të qenit të përulur.

Me fjalë të tjera, për të qenë i suksesshëm një person duhet  të rritet në të gjitha aspektet e jetës  si mendore, emocionale, spiritualë dhe fizike. Duhet të theksoj gjithashtu rëndësinë e të pasurit një familje që të mbështet fort.

Më pëlqen të mendoj se unë dhe Detina, i mbajmë fort këto vlera, dhe kjo është gjithashtu falë një kulture që kemi marrë, në vendin më të bukur në botë, Shqipëria”

Çfarë është atdheu për Argitën?

Siç e ka thënë edhe shkrimtari Andon Zako Cajupi; “Mëmëdhe quhet toka ku më ka rënë koka…ku jam rritur me thërrime, ku kam folur gjuhën time… ku dëshiroj të rroj me shpresë, ku kam dëshirë të vdesë…

Atdheu është dashuria e vërtetë. Janë gjyshërit dhe gjyshet e mia, janë të afërmit e mi,  shoqëria e fëmijërisë, shtëpia tashme e vjetër ku jam rritur në Patos, shkolla me xhamat të thyer, edhe bankat e ftohta të dimrit,  dhe  mbi të gjitha ajo lumturi në të qeshurën e një fëmijë që e mbaj me vete deri më sot.

Të qënurit pjese e atdheut dy binjaket e ndiejnë në çdo moment dhe krejt natyrshëm janë shndërruar në ambasadoret më të shkëlqyera të vlerave shqiptare në botë. Ngritja e një platforme komunikimi, për tu ardhur në ndihmë studentëve në të gjitha trojet etnike shqiptare ishte një angazhim që dëshmon më së miri se për të ndihmuar koha mund të gjendet.

Në çdo bisedë ato flasin me ekzaltim për këtë projekt  që synon bashkëpunimin me studentë të mjekësisë/ mjekë (por edhe studentë të shkencës / farmacisë etj) nga e gjithë Shqipëria në një organizatë që ato kanë themeluar e cila titullohet “We Speak Science” (e përbërë nga disa profesionistë nga Universitete të mëdha si për shembull Harvard) i cili synon të përmirësoje edukimin shkencor dhe mjekësor në USA dhe Evropë.        Me anën e We Speak Science ato mundohen tu ofrojnë mundësi dhe studentëve shqiptar duke i perfshirë në konferenca, si edhe në konkurse shkencore.

E ardhmja …

Ajo shprehet se momentalisht është plotësisht e angazhuar me programin e ri të bioshkencës mjekësore në Imperial College London (një nga 4 Universitetet më të mirë në botë), dhe e vendosur për të kontribuar në zhvillimin dhe suksesin e tij. Është një program krejtësisht inovativ dhe shumë emocionues, i cili për herë të parë shfaqet në mënyrë të tillë në një universitet anglez (bazuar në sistemin e Harvardit).         Mbetet dëshirë e saj të merret me research në fushën e edukimit dhe të prezantoje një mënyrë të re dhe efikase pedagogjike në Universitet duke kontribuar në ndryshimin e edukimit.

Mesazhi

“I uroj shumë fat të gjithë studentëve që dëshirojnë të ndjekin rrugën e shkencës/mjekësisë  dhe të akademisë. Mesazhi im për ju të dashur student, është të ndiqni pasionin tuaj dhe jepni me të mirën për ta bërë atë një sukses. Mos harroni se pjesë e këtij suksesi është dhe dështimi, dhe të mësuarit nga gabimet. Mos e lini asnjëherë dështimin t’ju futet në zemër, dhe as suksesin t’ju futet në kokë. Jini të përulur, dhe vlerësojini ndihmën dhe mundësitë që ju jepen në jetë”

Petrit Kuçana & Marinela Nikolli

Please follow and like us: