Video e dhunës seksuale dhe nevoja për të ndëshkuar krimin kibernetik

Sevim Arbana
Një video dhune seksuale ndaj një minoreneje, qarkullon në Instagram.
Me të drejtë dhe shumë qytetari, një vajzë studente na shkruan në email.
Policia dhe krimi kibernitik, duhet të investigojnë nëse është e vërtetë apo e sajuar.
E ka detyrë!
Ne të gjithë e kemi përgjegjësi qytetare të reagojmë.
Edhe nëse është një ‘provokim’ apo ‘shaka’ rrjetesh, shpërndarësit duhen gjykuar si dhunues apo përkrahës të këtij fenomeni.
Më poshtë letra e studentes
Unë që po ju shkruaj këtë email jam një studente që aktualisht po mbaron studimet e Bachelor në Turqi. Po ju drejtohem për të shprehur një shqetësim për të cilin mendoj se duhet të ndërmerren masa urgjente.
Disa studente të tjera shqiptare po këtu, na vunë në dijeni se në rrjete sociale, në Instagram, qarkullon një video, në të cilën një vajzë abuzohet seksualisht prej një djali, ndërkohë që një djalë i dytë është duke filmuar aktin (“viktima” dhe “agresori” mendohen të jenë minorenë). Nga videoja, duket se vajza njihet me djemtë, pasi mund të dëgjohet teksa ajo përmend emrin e agresorit dhe ky i fundit përmend emrin e shokut që po filmon; dukshëm mund të dëgjohet që vajza është duke e refuzuar djalin, duke ju lutur të ndalë dhe pavarësisht kësaj, djali nuk ndalon. Jemi të shokuara jo vetëm nga mendimi se vajza ka humbur të drejtën e fjalës dhe lirinë e saj si një individ që i përket shoqërisë, por edhe nga fakti se ky akt mizor është dokumentuar dhe tani përhapet lirshëm, logjikisht pa lejen e viktimës, në rrjetin social të Instagramit, duke mosrespektuar të drejtën e privatësisë.
Asnjëra prej nesh nuk i di rrethanat në të cilën ajo video është xhiruar; nuk njohim asnjë prej personave në video dhe as personin përgjegjës të faqes ku është publikuar; gjithsesi, asgjë nga këto nuk është arsye që kjo video të mos marrë vëmendjen e duhur, qoftë edhe për një hetim apo kontroll për të ditur se në çfarë gjendje është vajza. Në të njëjtën kohë, mendoj se edhe djemtë kanë nevojë për ndihmë, duke qenë se dy nuk nuk janë të aftë të mendojnë qartazi si individë të ndërgjegjshëm dhe të kuptojnë se liria e tyre ka mbaruar në pikën ku të drejtat e dikujt tjetër janë cenuar. Askush nuk meriton të ndihet “i mbytur” dhe pa zë.
Videoja në Instagram është shpërndarë nga një llogari me username “o_kusho” dhe bashkëngjitur po ju dërgoj linkun e videos:
Së bashku me studentet e tjera, pasi jemi vënë në dijeni të kësaj videoje, jemi drejtuar për të informuar institucionet përkatëse. Gjithashtu, këtë shqetësim e kam ndarë nëpërmjet një mesazhi në faqen zyrtare edhe me Policinë e Shtetit.
Uroj që ky email të shërbëje sado pak dhe të ndihmojë dikë që ka nevojë.
Me respect: R.J.