Albspirit

Media/News/Publishing

Ekskluzive/Libri i Bedri Blloshmit për Sigurimin e Shtetit në Librazhd (1)

 

Çelo Hoxha

 

Në arkivën e Sigurimit të Shtetit, ende me një hyrje shumë të kufizuar në të, gjenden një numër dorëshkrimesh, të konsideruara punime shkencore nga autorët dhe institucioni i Sigurimit, të cilat përshkruajnë veprimtarinë e degëve të ndryshme të tij në rrethe ose gjithë institucionit. Një nga këto histori është ky libër, i cili ka arritur të dalë nga arkivi dhe t’i jepet lexuesit të gjerë. Në kohën që u shkrua e më vonë, ky material ishte i klasifikuar në nivelin ‘sekret’, megjithëse, siç do ta shikoni nga leximi, nuk është asgjë më shumë se një narrativë mediokre, e cila operon me elementët gjuhësorë të propagandës zyrtare të regjimit komunist, për të përshkruar si të ligjshme, të moralshme dhe të sukseshme, veprimtarinë e instrumentit kryesor të dhunës së regjimit.

Realisht Sigurimi i Shtetit ishte policia politike. Më 1948, në platformën e Sigurimit, detyra e tij për caktohej kështu: “Detyra e Sigurimit është vetëm një: Të zbulojë dhe të godisë në kohën e duhur të gjithë veprimtarinë armike kundërrevolucionare të armiqve të jashtëm dhe të brendshëm të Republikës s’onë Popullore dhe të Partisë s’onë të Punës”.

Përgjatë viteve detyra e Sigurimit nuk ndryshoi, përkufizimi i saj tregon veç një gjë: paranojën e drejtuesve të regjimit komunist se dikush punonte në mënyrë të përhershme (24/7) kundër pushtetit të tyre. Një pushtet i ngrintur mbi krimin, padyshim do të jetonte i ndjekur nga paranoja.

Personalisht ka marrë pjesë në diskutime për botimin ose jo të këtij materiali, i cili, duhet pranuar, është e do të jetë, i diskutueshëm. Argumentet kundër botimit të tij janë serioze dhe të bazuara. Argumenti kryesor ka të bëjë me përmbajtjen, e cila është thellësisht në frymë me propagandën e regjimit; pra, mesazhi i gjithë leximit, nëse nuk tregohet kujdes, është suksesi i Sigurimit të Shtetit në rrethin e Librazhdit. Dhe, me të drejtë, pretendojnë kundërshtarët e botimit, kujt do t’i interesonte një mesazh i tillë?

Sigurisht, libra me përmbajtje e mesazhe të tillë ka plot në qarkullim, ku përfshihen veprat e Enver Hoxhës, tekstet e historisë së PPSH, veprat e drejtuesve të tjerë të regjimit komunist, të cilët sot shiten veç buzë trotuarëve, me një lexues shumë të kufizuar: ose nostalgjikët e regjimit komunist, ose ndonjë koleksionist, ose ndonjë studiues që i blen për arsye pune. Lexuesi nostalgjik e blen për arsye personale, koleksionisti e blen si objekt historik, ndërsa ai që e blen për ta lexuar është studiuesi, por ai është një lexues i kualifikuar dhe mund t’i lexojë teskte të tilla pa qenë nevoja e shpjegimeve shoqëruese.

Duke i mirëkuptuar kundërshtarët e botimit të këtij teksti, personalisht qëndroj në kampin pro botimit. Një tekts i kësaj natyre, pavarësisht qëllimit fillestar të përgatitjes së tij, ka vlerë historike, është një dritare në të shkuarën e një institucioni prej të cilët shumë pak gjëra kanë parë dritën e botimit. Nga ato që shkruhen në tekts ose nga mënyra si janë shkruar mund të mësojmë disa gjëra jo vetëm për funksionimin e një dege specifike të Sigurimit, por gjithë institucionit ose personave që punonin brenda tij, përfshi dhe autorët origjinalë të tesktit.

Duke lexuar këtë tekst vëren sesa vulgarë kanë qenë jo vetëm projektuesit dhe ndërtuesit e Sigurimit të Shtetit, por gjithë regjimit komunist. Historia paraqitet si histori e një konflikti të vazhdueshëm. Ky konflikt, në fakt, mbahej gjallë jo prej kundërshtarëve të regjimit komunist, por prej vetë regjimit, përmes konfliktit klasor.

E vërteta ishte ndryshe. Në majën e piramidës së regjimit komunist qëndronte partia komuniste, një entitet politik që veproi gjithë jetën në ilegalitet (paligjshmëri). Edhe Sigurimit i Shtetit, për të cilin pretendohej se është krijuar që gjatë luftës, ishte një rrjet informativ i paligjshëm. Nuk ezkiston asnjë dokument që të vërtetohet ligjshmëria e tij.

Kujdes duhet treguar kur rrëfehen histori me ndjekjen, përgjimin, arrestimin, apo ekzekutimin e “armiqve”, “tradhtarëve”, “reaksionarëve” etj. Ngjyrimi negativ që përçojnë këto terma, sidomos gjatë periudhës së komunizmit, duhet zhvleftësuar gjatë leximit, sepse njerëzit që kjo histori i anatemon ishin në anën e duhur të historisë, dhe në mesin e tyre duhen kërkuar heronjtë, dhe jo në anën e Sigurimit. Sado të vogla mund të jenë historitë e personave të anatemuar, ato përfaëqsojnë veç dy gjëra: ose qëndresë ndaj regjimit kriminal, ose persekutim të personave të pafajshëm, ose të dyja bashkë.

Nëse kemi parasyh këto gjëra, duke lexuar historinë e Sigurimit, të degës së Librazhdit apo ndonjë dege tjetër, e kemi më të lehtë për të kuptuar kush qëndronte në anën e së mirës dhe kush në anën e së keqes. Nëse realizohet kjo, është mjaftueshme ta konsiderojmë të dobishëm një libër.

 

 

 

Bedri Blloshmi tregon kalvarin në burgje: S' i fal! Më morën jetën

Bedri Blloshmi: Sekreti jeton vetëm në errësirë

Emrat realë të pseudonimeve të agjentëve  nga libri “Historiku i Degës së Punëve të Brendshme Librazhd”.
B.P. “Surrati” – Halil Bozha, Rrajcë
B.P. “Miku Personal” – Jaho Balliu, (denoncuesi i Selim Gurrës).
B.P. “Vigjilenti” – Mefail Biçaku, Qarrishtë
B.P. “Shelgu i Butë” – Mahmut Vasku, Lëpushë
Marko Laçka, operativi i Pogradecit arratisur në Jugosllavi.
B.P. “Themeli” – Ram Kurti B.P që ndiqnin Sami Blloshmin
B.P. “Turja” – Qamil Selim Muçaku, Xhyrë
B.P. “Guri” – Shahin Yryku, Fanjë
B.P. “Pazari i Muzinës” – Hasan Sali Alliu, Qukës
B.P. “Nogoli” – Ëngjëllush Çela, Manastrec
B.P. “Sporti i Koresë” – Nuk ka emër
B.P. “Shela e Venoit” – Nuk ka emër
B.P. “Sagura” – Nuk ka emër
B.P. “Luani” – Nuk ka emër
B.P. “Deti Adriatik” – Nuk ka emër
Në këtë punim ka plot bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit, por u kanë mbetur pseudonimet dhe u janë hequr emrat origjinalë.

Lufta civile vëlla-vrasëse gjatë vitit 1943-1944 në Shqipëri, në vitin 1945 do të intensifikohej më shumë nga terroristët komunistë, të cilët ripushtuan vendin. Me zjarr e me plumba vazhdoi shkatërrimi i plotë i “klasës së përmbysur” nga orteku i pamëshirshëm i historisë. Terrori i kuq, veç vrasjeve, zhdukjeve, burgosjeve e internimeve të familjeve më në zë, një pjesë e tyre i ndihmoi këta katilë zhelanë dhe ata ua shpërblyen me gjak duke u vrarë njerëzit e familjes, pasi nuk e donin dhe e urrenin komunizmin. Sigurimi gjakatar i Shtetit kërkonte të futej në çdo familje për t’i rekrutuar si bashkëpuntorë, informatorë, rezidentë me qëllim që t’i kontrollonin dhe përçanin, të mblidhnin informata për të gjithë ata që ishin në arrati apo kundërshtonin regjmin vrasës. Në shumë raste ia kanë arritur qëllimit.

Gjatë kërkimit në bodrumet e errëta, të cilat mbanin erë igrasi, myk, gjak e rënikme, kam zbuluar tmerre. Në dosjet voluminoze, të sajuara dhe komplet fiktive, midis shumë arkave të rretheve të ndryshmeme, më ra në sy njëra sosh, prej hekuri, e kyçur, mbuluar me pluhur, me mbishkrimin me bojë të kuqe B.P. (bashkëpunëtorët) – rrethi Librazhd.

Për momentin shtanga. M’u drodh trupi, gati rashë përtokë, por për fat munda të mbështetem pas murit. Koka m’u var në gjoks, m’u bë se ndjeva përshpërima, një zhurmë e lehtë, zëra shumë të largët jashtë arkave; disa shkresurina të hedhura në tokë filluan të lëviznin e dukej sikur më thonin: “Hë, mblidhe veten, merri këto shkresurina të gjakosura, lexoji dhe i shpërndai, që të merret vesh se çfarë ka ndodhur në rrethin e Librazhdit; si kanë vepruar komunistët dhe Sigurimi për ta shkatërruar përfundimisht, burgosur, vrarë e varfëruar këtë popull”. Tek shfletoja gjeta disa faqe që hartonin plan-strategjinë për familjen time. Përgatiteshin për sajimin e grupit dhe se cili do të arrestohej i pari. Sipas materialit ishin gjetur dëshmitarët, madje ishte sajuar dhe akuza. Hasan Blloshmi ishte i pari, për t’u arrestuar pas tij Nergjize (bashkëshortja e Bardho Lekës.) Disa faqe më poshtë bëhej plani për arrestimin e Sami Blloshmit.

Nuk kuptoja asgjë çfarë po ndodhte në këtë dhomë plot me arka metalike të mbuluara nga pluhuri i kohës, të kyçura, secila me nga një dryn të ndryshkur. Ato kishin brenda raportime, intriga, sajime, dëshmi e shpifje për ata që ishin planifikuar për t’u arrestuar e vrarë e për të syrgjynosur familjet e tyre.

Kishte dhe nga ata që kishin qënë në përpunim (ishin në 2B).  Kishin pranuar për t’u bërë bashkëpunëtorë. U ngrita me shumë vështirësi, iu afrova arkës metalike e vështrova duke u munduar se si mund të hapej. Pashë përreth mos gjendej ndonjë shufër hekuri apo çfarëdolloj mjeti, por kurrsesi agjë nuk të zinte syri.

U përkula, kapa kapakun e llamarinës me të dyja duart, e palosa me lehtësi aq sa mund të merrej gjithçka që gjendej brenda saj. Nxorra disa shkresa ku lexoheshin emra ushtarësh, kartela të internuarish, propozime të tjera për t’u bërë bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit, disa shkresa të firmosura nga operativë ku thoshnin, se x ushtar apo fshatar, të ndërpresë bashkëpunimin, ngase “është djegur”. Llahtari e vërtetë, jetë njerëzish që ishin akuzuar pa asnjë faj, por që kishin plotësuar planin ditor, javor, mujor, vjetor të krijimit të “armiqve të klasës”.

Më pas më zuri dora një bllok të madh me faqe formati ku lexohej:

“Sekret” EKZ. Nr.1352 Grupi II-III.

Më poshtë vazhdonte:

Historiku i Sigurimit të Degës së Punëve të Brendshme të rrethit të Librazhdit.

Nuk dua të zgjatem në lidhje me këtë material të Sigurimit të Shtetit e bandës kriminale komuniste. Nëse do të shikoni dosjen e zezë të Librazhdit, me siguri do të habiteni për “bëmat” e këtyre vrasësve në rrethin tonë. Të gjitha familjet që ata mendonin se nuk ishin dakord e nuk pranonin të spiunonin fillonin t’u ngrinin kurthe e intriga, t’i provokonin e më pas t’iu hidhnin hekurat. Sigurimi e dinte më së miri, se askush nuk do të pranonte kolektivizimin dhe marrjen e pasurisë së tundshme e të patundshme. Dhe këtë mospranim e kërkonte te “armiku i klasës”, tek të cilësuarit “kulakë”, si nxitës që mund të bënin njerëz të pakënaqur. Të paktën për rrethin e Librazhdit kanë qenë me dhjetëra kryefamiljarë që janë detyruar t’i japin fund vetes nga torturat që iu bëheshin në Degën e Punëve të Brendshme, të pranonin të futeshin në kooperativë. Kur i lëshonin, u thoshnin: “Shko në shtëpi, mendohu edhe një herë, prano, se po të thirrën përsëri, të pret burgu”.

Sa e sa burra u detyruan të arratisen, të lënë familjet e tyre pa bukë, në mjerim, në dorën e terroristëve komunistë, po ashtu futeshin në burg, ndërsa disa i detyronin të hidhnin litarin në manin përpara shtëpisë e të varnin veten. Sigurimi shkonte nëpër fshatra duke torturuar njerëzt dhe familjet të futeshin me patjetër në kooperativë madje në Lunik dhe Gizavesh ata kanë rrahur dhe kanë thyer duar grave që të tregonin ku janë fshehur burrat.

Në rastet kur këta persona liroheshin për të shkuar në shtëpi, nuk mund ta bënin pa firmosur për kolektivizimin. Ka patur shumë raste që njerëzit vetvareshin kur dëgjonin se në fshatrat e ndryshme ishin bërë arrestime për ata që nuk pranonin. Terrori vazhdonte me pagimin e taksave dhe tepricat brenda një afati kohor shumë të shkurtër. Nuk mund të lë pa përmendur një rast, më tragjikun në fshatin Bërzeshtë.

Strukturat komuniste krijonin vazhdimisht një gjendje terrori të vërtetë në çdo familje që kundërshtonte. Nga mospërballimi i torturave, taksave apo tatimeve të dyfishta ato shtoheshin disafish, nëse nuk i shlyeje për 24 orë. Në këto kushte, ngaqë nuk kishin mundësi ‘t’i lanin’ detyrimet, detyroheshin t’i jepnin fund jetës apo të mbyteshin në lumin e Shkumbinit.

Ky pra, ishte komunizmi që u propagandua dhe u praktikua nga këta terroristë për 50 vjet rresht, duke derdhur gjak e çuar popullin në mjerim, përçarje ku, mundësisht, çdo familje duhet të kishte një spiun.  Lexoni dosjen e Librazhdit dhe do të shikoni se sa pseudonime do të gjeni, sa spiunë e informatorë, madje disa edhe me emrat e vërtetë. Ky është një material vrastar e përçarës në të gjitha fshtarat e Librazhdit. Këtu del e vërteta se çfarë kurthesh ngrinte Sigurimi i Shtetit dhe si donte ta kishte gjithë zonën nën thundrën e hekurt e në mjerim. Pra, duhet lexuar ky material për t’u informuar se çfarë ka ndodhur me këtë popull të shumë vuajtur, që nuk e mbushi asnjëherë barkun me bukë misri, duhet parë se si është futur përçarja dhe se si u vranë, u burgosën dhe u internuan mijëra shqiptare të pafajshëm.

Nuk mund të anashkaloj një nga tragjeditë e shumta të ndodhura në fshatin tim, Bërzeshtë, një rast që paraqet dhunën e ushtruar për të futur të gjitha familjet në të famshmen kooperativë. Që do të thoshte të dorëzoje me “dëshirë” çfarëdo lloj pasurie që kishe, megjithëse shumë fshatarë nuk kishin asgjë pas shpirtit.

Në veri të fshatit Bërzeshtë është një lagje e madhe me pjestarë të komunitetit rom. Një nga këto familjet kishte 3-4 shqerra (qingja), të cilët duhet të dorëzoheshin në kooperativë, sepse nuk lejohej prona private. E kishin thirrur disa herë në zyrat e fshatit, i bënin presion për t’u dorzuar qingjat, por plaku i shtëpisë nuk pranonte. Kjo familje kishte një djalë shofer, që punonte në sektorin e hekur-nikelit në Pishkash. Mbasi e thirrën në zyrat e fshatit i thanë se duhet tua mbushësh mendjen prindërve që t’i dorëzojnë qingjat, ndryshe do të vijmë t’i marrim me forcë dhe ty do të largojmë nga puna si shofer. Mbas disa ditësh, kryesia e kooperativës shkon tek kjo familje dhe ua merr shqerrat me forcë. Nëna e shoferit qante dhe ulërinte. Për këtë që i ndodhi, ajo i drejtohet sekretarit të partisë se: “po m’i morët shqerrat, unë do mbyten më Shkumbin”. Mirëpo drejtuesit e partisë nuk u tërhoqën nga vendimi; morën shqerrat e i dërguan te stallat e bagëtive. Mbrapa tyre vinte edhe Çanorja, duke sharë e shkulur flokët, me këmbë të gjakosura, pasi ishte zbathur. Ajo vazhdoi rrugën drejt lumit, mbërriti te pasarela (ura), hidhet në lumë e mbytet. U deshën dy javë kërkime dhe më në fund e gjetën gjysmën e trupit në afërsi të qytetit të Peqinit, se gjysma tjetër ishte zhdukur nga dallgët e lumit. Një veprim tjetër kriminal ka ndodhur në Qukës ku në një arë me grurë është gjetur një mësues i dekompozuar. Siç thonin fjalët atë e merrte sigurimi dhe e torturonte çdo natë në degën e punëve të brendshme

Ja pra ky ishte vetëm një nga shembujt e krimeve të Partisë Komuniste, saqë edhe romët i detyronte të mbyteshin. Kooperativa nuk arrinte të ushqente anëtarët e saj as me bukë misri, mbasi kishte shumë pak të ardhura (lekë për ditë pune). Kryesia ishte e detyruar t’i jepte urdhër shitësit të fshatit të jepte bukë me listë. Gati çdo familje kishte një person që punonte në ndërmarrje shtetërore, minierë apo fermë, me qëllim që të shlyenin bukën e marrë me listë.

Më 2 maj të vitit 1968 ndodhi ajo që përshpëritej për katër familjet e cilësuara kulakë. Na thirrën për të na futur në kooperativë. Dorëzuam me “dëshirë” ato pak bagëti që kishim dhe të gjithë sa ishim punonin veçmas anëtarëve të tjerë të kooperativës. Në vitin 1976 egërsia e diktaturës kishte vendosur ta shkatërronte familjen tonë, përfundimisht, duke na burgosur, pushkatuar e internuar të gjithëve, deri më 1987. Po ashtu u goditën për së dyti, dy familjet e Shaban dhe Xhemal Dashit. Këto familje ishin familjet më të pasura në krahinë. Edhe sot në Turje, në trungjet e Qershive, janë akoma ganxhat e hekurit ku varej mishi për ata që pretendonin se luftonin pushtuesin. Ata u goditën përsëri në 1976, duke e dënuar djalin e tyre Rystem Dashin me 15 vjet burg. Këto janë shembuj të punës 50 vjeçare të terrorit komunist.

Duke parë bëmat e tyre, e them me plot gojën, se të gjithë format e terrorrit, dhuna e terroristëve të kohëve të shkuara e të tashme, zbehet para shembujve të logjikës terroriste të komunistëve fanatikë shqiptarë, të cilët arritën më shumë se çdo pushtues i huaj, ta shfytyrojnë vendin tonë, ta çojnë atdheun dhe shoqërinë shqiptare në faliment e katastrofë kombëtare.

Bedri Blloshmi sjell në një libër Sigurimin e Shtetit në Librazhd (2)

Bedri Blloshmi sjell në një libër Sigurimin e Shtetit në Librazhd (3)

Bedri Blloshmi sjell në një libër Sigurimin e Shtetit në Librazhd (4)

Bedri Blloshmi sjell në një libër Sigurimin e Shtetit në Librazhd (5)

Bedri Blloshmi sjell në një libër Sigurimin e Shtetit në Librazhd (6)

Bedri Blloshmi sjell në një libër Sigurimin e Shtetit në Librazhd (7)

 

Please follow and like us: