Albspirit

Media/News/Publishing

Ibrahim Emiri: Kur projektohej dhe ndërtohej Hyrja e Qytetit të Përmetit…

Ibrahim Emiri

 

36 vjet më parë, në maj 1984, është përuruar në Përmet kompleksi arkitektonik “Hyrja e Qytetit”. Si autor i projektit arkitektonik, ruaj në kujtesë mjaft mbresa, jo vetëm për projektimin, por edhe për realizimin e objektit në kohë rekord. Deri në fund të vitit 1983, në hyrjen e qytetit Përmet ndodhej si barrierë një mur mbajtës me lartësi maksimale rreth 9 m, që të krijonte ndjesinë e përplasjes me të, sapo kaloje urën, kur hyje në qytet  me makinë.

Ideja urbanistike për heqjen e murit ekzistues dhe krijimit të një hapësire funksionale e dekorative në hyrje të qytetit, ishte e mirëpritur, por vendimi, që duhej të merrej nga drejtuesit e rrethit për realizimin e saj, ishte tepër i vështirë. Duhej të spostoheshin e të strehoheshin përfundimisht rreth 15 familje, të cilat jetonin shtrënguar në banesat përdhese, që duhej të prisheshin. Gjithashtu, për një periudhë të shkurtër kohe, duhej të kryhej një punë mjaft e madhe për gërmimin e transportin e masivit të dheut e shkëmbit, si dhe për ndërtimin e një volumi të madh muresh prej guri.

Kjo sipërmarrje e madhe në një kohë mjaft të kufizuar, ishte realisht jashtë mundësive të  rrethit të Përmetit, por është meritë e padiskutueshme e Resul Zanit (Kryetarit të Komitetit Ekzekutiv të Rrethit të asaj periudhe), i cili pa hezitim miratoi idenë urbanistike, siguroi financimin dhe me vendosmëri organizoi punën për të realizuar me sukses kompleksin arkitektonik të Hyrjes së Qytetit. Ai, me vizion e pasion të veçantë, punoi me përkushtim për ta transformuar Përmetin në qytet me vlera, si nga ana urbanistike, ashtu edhe ndërtimore. Prandaj, kujtimi i Resul Zanit, “Qytetar Nderi i Përmetit”, meriton nderim nga përmetarët!

Në foto duket një fragment i murit mbajtës, si dhe objektet që u prishën, mbrapa Shtëpisë së Kulturës

 

Kompleksi arkitektonik i Hyrjes së Qytetit, si zgjidhje unikale, si dhe mini-parku qëndror në vazhdim në pjesën e sipërme të tij, duheshin realizuar duke kryer një “ndërhyrje kirurgjikale“ të guximshme e shumë të kushtueshme për atë kohë. Për realizimin e asaj “kirurgjie urbane” u hartuan projekte të veçantë arkitektonikë e konstruktivë, të rrjeteve inxhinierike e dendrologjike, për të ndryshuar tërësisht, si funksionalisht, ashtu edhe estetikisht këtë zonë qëndrore e prezantuese të qytetit.

Hyrja e Qytetit u konceptua në forme gjysëm rrethi me dy shkallë anësore, simetrike e harkore, që lidhnin funksionalisht hyrjen në qytet tek ura me platformën mbrapa shtëpisë së kulturës, e cila do të trajtohej si mini-park i qytetit.

Pjesa qëndrore e kompleksit arkitektonik të Hyrjes së Qytetit u konceptua si një platformë harkore, në kuotë rreth 1.5 m më lart nga kuota e rrugës së hyrjes, me shkallë radiale të shtrira e simetrike. Në qendër u parashikua një platformë rrethore me lule shumëngjyreshe, kurse në ballë një ambient pritës funksional e dekorativ, që do të shërbente kryesisht për shlodhjen e të porsa-ardhurve në Përmet, por edhe si kënd relaksues për qytetarët e Përmetit. Formulimi arkitektonik i këtij ambienti u inspirua nga kënga popullore përmetare “a kanë ujë ato burime”? Këndi relaksues u kompozua me dy portale dekorativë me motive tradicionale të trajtuara me gur artificial të bardhë, të vendosura në sfondin gri të murit ballor. Në seicilin prej portaleve u parashikuan nga dy kupa guri të gdhendur me ngjyrë gri, ku do të rridhte uji i freskët i  burimeve. Në analogji me çezmat tradicionale, anash e midis portaleve u parashikuan ndënjëse për tu shlodhur, kurse mbi ato një pergolatë funksionale e dekorative druri, e cila e mbuluar nga gjelbërimi kacavjerrës, do krijonte një ambient mjaft të freskët e të këndshëm për shlodhje. Ndriçimi i zbehtë natën do ta bënte këtë ambient më intim e më magjik për çiftet e reja.

Shkallët harkore radiale u parashikuan me gur të gdhendur, kurse parapeti i tyre u parapëlqye transparent, duke stilizuar në metal një motiv valleje popullore.

 

Mini-parku, i cili do të shtrihej në pjesën e sipërme të hyrjes, duhet të ishte hapësira më e përshtatëshme për përjetësimin e personaliteteve e figurave më të shquara përmetare të rilindjes kombëtare, të kulturës e të artit, duke realizuar aty në forma të ndryshme të artit figurativ  memoriale, portrete apo simbole të tyre. Duke qenë se Përmeti fatmirësisht është shumë i pasur me figura të shquara, mundësohej  transformimi i mini-parkut në një “pantheon në natyrë” të vlerave më të spikatura patriotike e kulturore, gjë që do të ishte një trajtim i veçantë unikal jo vetëm për vendin tonë.

Për të shtuar vlerat e mini-parkut, u projektua një shatërvan, i vendosur në aksin qendror të Hyrjes. Në periudhën e verës shatërvani do të krijonte freski të veçantë, kurse mbrëmjeve, kur do të frekuentohej më shumë mini-parku, loja e ujit dhe ndriçimit do ta bënte më relaksues ambientin rreth tij. Sipërfaqia vertikale në qendër të kompleksit arkitektonik të Hyrjes së Qytetit u konceptua për realizimin mbi të të një vepre arti, reliev ose mozaik, në të cilën mund të prezantoheshin të sitentizuara artistikisht vlerat e Përmetit, jo vetëm si vatër e rilindjes kombëtare, por edhe si djep i kulturës. Në këtë mënyre ajo vepër arti do të shndrohej në një nga simbolet domethënëse të qytetit.

U realizua një pikturë murale kushtuar udhëheqësit dhe Kongresit të Përmetit, si zgjidhje provizore.

 

 

 

Për hartimin e projekt-zbatimit u angazhua pothuaj i gjithë personeli inxhiniero-teknik i zyrës së projektimit pranë Komitetit Ekzekutiv të Rrethit. Projekti konstruktiv i mureve mbajtëse u bë nga ing. S. Çeku, i cili drejtoi edhe punimet topografike në objekt.

Zbatimi i projektit ishte një aventurë më vete, që u bë i mundur me një mobilizim të jashtëzakonshëm të gjithë mundësive njerëzore, teknike e materiale të rrethit. Drejtues i kantierit të punimeve u caktua z. A. Kristulla, ndërsa personeli inxhiniero-teknik projektues ndiqte hap pas hapi realizimin e projektit.  U zbatua e famshmja metodë e socializmit “aksion me goditje të përqëndruar”, pra puna fillonte sa zbardhte dita e mbaronte vetëm kur errësohej.

U realizua me urgjencë çvendosja e familjeve e prishja e disa banesave një katshe, si dhe dy ndërtesave dy katshe, respektivisht të Bankës e Kursit të Partisë. Gërmimi e çvendosja e masivit të dheut e shkëmbit u krye me të gjitha mjetet e mundshme, me makineri, me mina e me krahë, duke punuar pa ndërprerje ditë e natë. Për gdhëndjen e gurit e ndërtimin e mureve mbajtës e njëkohësisht dekorativë u mobilizuan një numër i konsiderueshem specialistësh muratorë, nga më të mirët e kooperativave bujqësore të rrethit. Si autori i projektit arkitektonik të objektit, shpreh respektin e mirënjohjen time për ndërtuesit përmetarë, të cilët e realizuan në kohë rekord e me cilësi objektin.

Gjithë qytetarët e Përmetit, por sidomos pensionistët, ishin “mbikqyrësit” e përhershëm të punimeve. Ky fenomen, karakteristik i qyteteve provinciale, në këtë rast ndoshta përligjej me faktin që në hyrjen e qytetit po realizohej një transformim radikal.

Në ndonjë rast “mbikqyrësit e zellshëm” pa dashur bëheshin pengesë për ecurinë e punimeve, sepse duke qenë “tepër vigjilentë”, krijonin shqetësime të kota me komentet absurde.

Kur po lyhej shatërvani me ngjyrë te kaltër e të bardhë nxituan të informojnë drejtuesit e rrethit se në mes të Përmetit po bëhej flamuri grek. U desh një ndërhyrje nga Tirana, për të lejuar vazhdimin e punimeve sipas projektit.

Nga ana e “mbikqyrësve”, kishte edhe ndonjë thashethem qesharak, si në rastin e kupave prej guri, ku rridhte uji, tek këndi relaksues. Sipas tyre, arkitekti qëllimisht kishte caktuar vetëm katër kupa, nga një kupë për çdo entitet banorësh të Përmetit: një për muslimanët, një për kristianët, një për çobanët e një për evgjitët!

Fantazia e “mbikqyrësve” ishte sa e habitshme e për të qeshur, kur ishte pa zarar, por aq keqdashëse e për të qarë, kur mund të sillte pasoja.

 

Foto para Hyrjes së Qytetit, gjatë procesit të punimeve, me Kryetarin e Komitetit Ekzekutiv të rrethit – Resul Zani – Artistët – skulptorin  Taqo Miho e piktorët  Zamir Mati e Niko Dhales.

 

Meqenëse kam jetuar e punuar 25 vjet në Përmet, si qytetar, si projektues e ndërtues, ruaj nostalgji të veçantë për  atë qytet, sepse, veç viteve më të bukur të jetës, kam lenë atje përfundimisht një pjesë të krijimtarise sime profesionale si arkitekt e konstruktor në mjaft projekte të realizuara, apo edhe ndonjë projekt-ide. Nostalgjia dhe dashuria për Përmetin më nxit që, edhe pse aktualisht jam në pension, të vazhdoj të mendoj për atë qytet, si dhe të jap ndihmesën time modeste, për ta bërë atë sa më të bukur e më atraktiv.

Bashkëpunimi me DEA-Studio për projektin “Rehabilitimi i qendrës së qytetit”

Nisur nga dëshira e mirë, mendoj të jap disa opinione profesionale, që uroj të mirëpriten nga qytetarët e Përmetit  dhe, jo vetëm të merren në konsideratë nga pushteti vendor, por mundësisht të bëhen realitet në të ardhmen.

– Sipërfaqia vertikale në qendër të kompleksit arkitektonik të Hyrjes së Qytetit është konceptuar për aplikimin e një vepre arti, mozaik apo reliev, e cila duhet të përzgjidhet si vepra më e mire nëpërmjet një konkursi artistik. Me qëllim që të bëhet simbol prezantues për qytetin, tek vepra e artit duhet të prezantohen të sitentizuara artistikisht vlerat e trevës, jo vetëm si vatër e rilindjes kombëtare e atdhetarizmit, por edhe si djep i kulturës, sepse rrethi i Përmetit:

Është vendi i origjinës së pishtarëve të Rilindjes Kombëtare, vëllezërve Frashëri, si dhe të atdhetarëve, që luftuan me pushkë e penë për lirinë, pavarësinë, arsimin e kulturën kombëtare. Ka dhënë kontribut të rëndësishëm në luftën për çlirim nga pushtuesit nazi-fashistë. Është  vendi  i  origjinës  së disa shkrimtareve, akademikëve,  studjuesve  dhe shumë  artistëve  te  arteve  figurative  e  të muzikës, Për vlerat e veçanta, që e karakterizojnë, Përmeti quhet “qyteti i trëndafilave”, apo “qyteti i muzikës, kulturës, poezisë”.

– Mini-Parku, si një “pantheon në natyrë” nuk duhet të jetë thjesht një galeri e hapur statujash, bustesh, apo simbolesh. Mendoj se duhet organizuar konkurs me krijuesit, duke aktivizuar edhe Akademinë e Arteve për të realizuar vepra arti moderne, në materiale rezistente si gur natyral apo artificial, metal, xham organik, etj. Financimi për realizimin e tyre hap pas hapi, mund të bëhet edhe me sponsorizime nga bisneset, shoqatat e ndryshme, apo të ardhurat nga turizmi kulturor.

Objekti që ka funksionuar si Shtëpi Kulture për rreth 30 vjet, i cili është ndërtuar para 56 vjetesh në nje zonë me objekte të ndryshme banimi, tashmë është degraduar më së shumti nga ndërhyrjet e ndryshme se sa nga koha e shfrytëzimit, pra është amortizuar më shumë fizikisht, se sa moralisht. Sugjeroj që ky objekt të shëmbet dhe sipërfaqia e zënë prej tij t’i shtohet Mini-Parkut të qytetit. Heqja përfundimisht e këtij objekti sjell disa avantazhe: Rrit sipërfaqen e mini-parkut, por sidomos krijon hapësirën e transparencën e nevojëshme urbane. Shëmbja  e këtij objekti nuk duhet parë me skepticizëm, sepse është i vetmi objekt që vazhdon të qëndroje akoma në teritorin e mini-parkut, pamvarësisht degradimit të plotë.

Mjafton të kujtojmë se rreth 35 vjet më parë, për realizimin e objektit Hyrja e Qytetit dhe mini-parku qëndror në vazhdim në pjesën e sipërme të tij, janë prishur të gjithë objektet ekzistues në atë zonë, si ndërtesa dy katëshe e bankës dhe bibliotekës, si dhe disa objekte banimi e shërbimi. Për të njëjtat arsye urbanistike nuk duhet lejuar në asnjë mënyrë që ndërtesa e re e kishës orthodokse të mund të ndërtohet në zonën e mini-parkut, siç pretendohet. Në çdo vend të civilizuar ruhen me fanatizëm objektet e kultit, si dhe ato me vlera të veçanta historike e kulturore, ose në ndonjë rast janë bërë edhe zhvillime urbane zonale në funksion të tyre. Por në asnjë rast nuk ka ndodhur që të jetë ndërtuar ndonjë objekt i ri kulti, duke dëmtuar zhvillimin urban të zonës. Për ndërtimin e objektit të kultit duhet gjetur kompromisi i nevojshem me drejtuesit e Kishës Autoqefale Shqiptare dhe duhet caktuar një truall tjetër më i përshtatshëm.

Shembull identik është Katedralja Orthodhokse në Tiranë, e cila nuk u ndërtua në vendin ku ka qenë kisha, e cila u shëmb për të ndërtuar objektin 15 kate “Hotel Tirana”.

 

OBJEKTET SIMBOLIKE TË LUFTËS NACIONAL-ÇLIRIMTARE NË PËRMET

 

Please follow and like us: